Qalaj: Mbi 8 mijë policë me orar 12 orësh po operojnë në tërë territorin e Kosovës

Aktuale

Qalaj: Mbi 8 mijë policë me orar 12 orësh po operojnë në tërë territorin e Kosovës

Më: 14 prill 2020 Në ora: 10:15
Foto ilustrim

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj thotë se po operojnë njësoj në të gjithë Republikën e Kosovës gjatë menaxhimit të situatës me Covid-19.

Mbi 8 mijë pjesëtarë të Policisë së Kosovës, me orar 12 orësh, janë të angazhuar në menaxhimin e situatës në aspektin e sigurisë, në parandalimin e lëvizjes së qytetarëve dhe aktiviteteve të tjera gjatë periudhës kur vendi po përballet me Covid-19.

Disa nga Komunat e Kosovës tashmë janë të vendosura në karantinë, si ma së preventive për mospërhapje të virusit dhe shtimit të rasteve pozitive.

Drejtori i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj, nuk ka dashur të ndalet te çështja e veriut të vendit, ku ditë më parë edhe ajo pjesë u fut në karantinë.

Ai ka thënë se Policia e Kosovës operon njësoj në gjithë vendin, përfshirë edhe pjesën veriore.

“Këto janë sqaruar nga ministri i Shëndetësisë dhe nuk do të kisha dashur t’i komentoj. Mund të them që Policia e Kosovës është duke operuar në tërë vendin dhe duke e menaxhuar situatën në tërë vendin, në mënyrë të njëjtë”, thotë Qalaj.

Ai pranon se fillimi i menaxhimit të kësaj situate ka qenë më i vështirë , por që gradualisht janë përmirësuar sa i përket masave mbrojtëse për zyrtarët policorë.

Qalaj thotë se në vazhdimësi pajisen nga Ministria e Shëndetësisë me masa mbrojtëse, e që kohët e fundit kanë pranuar edhe donacione.

Në Kosovë është shënuar një muaj prej kur janë identifikuar rastet e para me Covid-19.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat