QKRMT kërkon përsëri ndryshime ligjore që të lirohet përkohësisht të burgosurit

Aktuale

QKRMT kërkon përsëri ndryshime ligjore që të lirohet përkohësisht të burgosurit

Më: 14 prill 2020 Në ora: 11:48
Ilustrim

Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës ka kërkuar sërish që të bëhen ndryshime ligjore me qëllim të lirimit të përkohshëm apo amnistisë së të burgosurve në kohën e pandemisë Covid-19.

QKRMT i është drejtuar Komisionit për Legjislacion si dhe shefave të grupeve parlamentare me propozimin për inicimin e ndryshimeve ligjore në procedurë të përshpejtuar në mënyrë që të mundësohet lirimi i përkohshëm apo amnistia për të dënuarit në kohën e pandemisë.

“Legjislacioni aktual që rregullon këtë kornizë në Kosovë nuk ofron ndonjë mundësi për veprime të tilla, si zgjidhje e vetme mbetet mundësia që përmes nismës për ndryshime ligjore të Ligjit për Ekzekutimin e Sanksioneve Penale apo me akt të veçantë (Ligj për Amnisti etj.) të adresohet kjo çështje në mënyrë që një numër i të dënuarve të mund të përfitojnë dhe kështu të adresohet kjo problematikë edhe në institucionet korrektuese në Kosovë në kushtet e pandemisë”, thuhet në njoftim.

Ditë më parë, QKRMT i ka propozuar edhe Ministrisë së Drejtësisë një nismë të tillë. Po ashtu QKRMT ka kërkuar nga Këshilli Gjyqësor dhe Gjykatat Themelore, aplikimin e masave alternative në vend të paraburgimit, me qëllim të zvogëlimit të numrit të paraburgosurve. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat