Rrëfehet avokati nga Drenasi: Lushtaku më tha se ka me të kallë me kënd ke

Aktuale

Rrëfehet avokati nga Drenasi: Lushtaku më tha se ka me të kallë me kënd ke

Më: 15 prill 2020 Në ora: 12:11
Gazmend Halilaj

Avokati nga Drenasi, Gazmend Halilaj, ka thënë se nuk tërhiqet nga akuzat ndaj Sami Lushtakut, të cilin e ka fajësuar për përgatitjen e atentatit ndaj tij.

Halilaj u plagos të martën rreth orës 16:00 në Drenas. Sipas Policisë së Kosovës, avokati Halilaj u lëndua pas një sulmi nga dy persona.

Tri ditë para sulmit ndaj tij, Halilaj tha se ka pranuar një telefonatë kërcënuese nga Sami Lushtaku. Ndërkaq, të martën, disa orë pas sulmit ku mbeti i lënduar në dorë, Halilaj akuzoi Lushtakun për përgatitjen e atentatit kundër tij. E quajti “kriminel gjakftohtë”.

Në një bisedë mëngjesin e së mërkurës, Gazmend Halilaj ka deklaruar se nuk tërhiqet nga këto akuza ndaj kryetarit të Degës së PDK-së në Skenderaj.

“Ajo siç e kam thënë, ashtu është. Nuk tërhiqem nga deklarata, por për shkak që jemi në fazë të hetimeve nuk dua të hyjë në detaje”, ka thënë Halilaj.

Halilaj ka treguar se Lushtaku e ka telefonuar të dielën në mbrëmje dhe e ka kanosur. I ka thënë se do t’i shkojë në shtëpi.

“Rreth një minutë [ka zgjatur biseda]. Veç më ka thirrë, më ka kanos, më ka thënë: ‘Prit se po vi aty edhe ka me të kallë me kënd e ki’ dhe pastaj të nesërmen në mëngjes kanë filluar veturat të enden në lagje. I kanë pyetur njerëzit për shtëpinë time, deri sa e kanë gjetur lokacionin”, ka deklaruar Halilaj.

Një ditë pas kanosjes, thotë Halilaj, disa njerëz dhe vetura po e monitoronin lagjen ku ai banon.

“Menjëherë e kam vërejtur, sepse më kanë treguar njerëzit të cilët i kanë pyetur për shtëpinë time. Kur e kanë verifikuar cila është shtëpia dhe identifikuar veturën time, pastaj më kanë goditë në derën e veturës të martës. Fillimisht më kanë goditur nga anash, sepse kanë dashur të ma mbyllin derën”, ka thënë ai.

Halilaj ka thënë se ekzistojnë pamjet e rastit.

“Kamerat e sigurisë i kanë Policia. Drenasi është i pajisur me kamera të sigurisë të cilat monitorohen nga Policia. Gjithçka është deri në detaje e qartë në pamje”, ka thënë ai.

Avokati Halilaj ka akuzuar Sami Lushtakun për atentatin kundër tij.

“E kam pasë komandant dhe nuk kam besim te ai prej se kanë filluar skandalet. Është e sigurt. Ata janë njerëz të Sami Lushtakut. Vrasjen në tentativë para shtëpisë sime e ka bërë krimineli Sami Lushtaku. Ai është një kriminel gjakftohtë”, ka thënë të martën Halilaj.

Policia e Kosovës, përmes një komunikate për media të martën, tha se dy persona dyshohet ta kenë sulmuar avokatin Halilaj.

“Në ora 15:50, policia është njoftuar për një rast në Drenas. Rastit i janë përgjigjur menjëherë njësitet relevante policore. Nga informatat e para të marra nga vendi i ngjarjes, dyshohet se dy persona ta kenë  sulmuar ankuesin”, ka thënë Policia e Kosovës.

Sipas Policisë, në vendin e ngjarjes janë gjetur gëzhoja të armës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat