Për dy muaj u paguan rreth 10 milionë euro dëme

Aktuale

Për dy muaj u paguan rreth 10 milionë euro dëme

Më: 17 prill 2020 Në ora: 07:39
Ilustrim

Vetëm gjatë dy muajve janar dhe shkurt të këtij viti kompanitë e sigurimeve që operojnë në vendin tonë kanë paguar gjithsej 9,799,106 euro dëme, ose 56.96% më shumë se gjatë periudhës së njëjtë të vitit 2019. Gjatë periudhës janar – shkurt 2020 tregu i sigurimeve ka pasur një rritje prej 17.69% krahasuar me periudhën e njëjte të vitit 2019. Volumi i primeve të shkruara bruto në krahasim me periudhën paraprake është rritur me 2,504,772 euro duke arritur shumën e përgjithshmë 16,664,435 euro

Rreth 10 milionë euro dëme i kanë paguar kompanitë e sigurimeve në Kosovë vetëm gjatë dy muajve të parë të këtij viti, por një muaj më vonë situata u rëndua tej mase për shkak pandemisë COVID 19. Si pasojë e mbylljes së Qendrave të Regjistrimit të Automjeteve numri i automjeteve të regjistruara ka rënë tej mase duke e vështirësuar edhe më shumë funksionimin e kompanive të sigurimeve në vendin tonë. Sipas të dhënave zyrtare të Bankës Qendrore të Kosovës gjatë muajit janar dhe shkurt 2020 janë paguar gjithsej 9,799,106 euro dëme, ose 56.96% më shumë se gjatë periudhës së njëjtë në vitin 2019. “Numri i dëmeve të paguara gjatë periudhës janar – shkurt 2020 në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit paraprak është rritur me 5,086 euro më shumë dhe arriti në 25,997, nga të cilat 25,955 euro dëme janë paguar nga kompanitë e sigurimit të Jo-Jetës dhe 42 nga kompanitë e sigurimit të Jetës”, thuhet në raportin zyrtare të BQK-së, ka raportuar “iSIGURIME”.

Mazreku: Pagesa e dëmeve është prioritet i kompanive

Sami Mazreku, drejtor i Shoqatës së Sigurimeve të Kosovës thotë se pagesa e dëmeve ndaj qytetareve është prioritet i kompanive të sigurimit që operojnë në vendin tonë. Sipas tij, dy muajt e parë të vitit kishte rritje të dukshme të pagesës së dëmeve si në numër ashtu edhe në vlerë, por gjatë kësaj kohe ka pasur edhe rritje të dukshme të tregut krahasuar me periudhën e njëjte të vitit paraprak. “Dy muajt e parë ishin shumë të mirë, por në muajin e tretë dhe të katërt në të cilën jemi aktualisht efektet e pandemisë COVID 19 janë të mëdha. Gjatë kësaj kohe ka pasur rënie të dukshme të shitjes së policave, pavarësisht se gjatë gjithë kohës në rrugë është parë fluks i automjeteve. Gjatë dy javëve që lamë pas, nëpër të gjitha mediat nacionale e lokale u kam apeluar të gjithë qytetareve të Kosovës që nëse vendosin të dalin në rrugë, të mos dalin pa sigurim pasi që dëmet janë të mëdha si për ta, ashtu edhe për Industrinë”, ka thënë Mazreku.

MST: Janar- shkurt 2020 tregu u rrit për 17.69%

Më tutje, në raportin e fundit të Bankës Qendrore të Kosovës thuhet se gjatë periudhës janar – shkurt 2020 tregu i sigurimeve ka pasur një rritje prej 17.69% krahasuar me periudhën e njejtë të vitit 2019. Volumi i primeve të shkruara bruto në krahasim me periudhën paraprake është rritur me 2,504,772 euro, duke arritur shumën prej 16,664,435 euro. “Numri i kontratave arriti në 155,530, duke shënuar një rritje me 13.69% krahasuar me periudhën e njëjtë janar – shkurt 2019”, thuhet më tutje në raport. Më tutje në raport thuhet se volumi i primeve të shkruara bruto në veprimtarinë e Jo-Jetës arriti shumën 16,083,502 euro duke shënuar një rritje në masën prej 18.26% më shumë krahasuar me periudhën Janar – Shkurt 2019.  Sipas BQK-së numri i kontratave në sigurimin e Jo-Jetës arriti në 152,738 duke shënuar rritje në masën 12.87% krahasuar me periudhën e njejtë janar – shkurt 2019. “Volumi i primeve të shkruara bruto në veprimtarinë e Jetës arriti shumën 580,933 euro, duke shënuar rritje në masën 3.73% krahasuar me periudhën e njejtë janar – shkurt 2019. Numri i kontratave në sigurimin e Jetës arriti në 2,792 duke shënuar një rritje në masën 89.80% krahasuar me periudhën e njejtë (janar-shkurt) të vitit 2019”, thuhet në raportin e fundit të BQK-së.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat