Kurti: Dëmi në ekonominë e vendit, mund të shkojë deri në 600 milion euro!

Aktuale

Kurti: Dëmi në ekonominë e vendit, mund të shkojë deri në 600 milion euro!

Më: 21 prill 2020 Në ora: 22:55
Albin Kurti

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti dhe Ministri në detyrë i Financave dhe Transfereve, Besnik Bislimi sot morën pjesë në forumin virtual të organizuar nga Oda Ekonomike Amerikë në Kosovë për të diskutuar menaxhimin e COVID-19 nga ana e institucioneve qeverisëse, me theks të veçantë shëndetin e ekonomisë në kohë pandemie. Ky forum u moderua nga drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, Arian Zeka.

Në fjalën e tij, Kurti tregoi analogjinë në mes krizës shëndetësore dhe asaj ekonomike. Duke pas për qëllim që të ruhet shëndeti publik, ai theksoi se vendet në mbarë botën kanë ulur aktivitetin ekonomik, dhe se Kosova në këtë situatë nuk përbën përjashtim.

“Ashtu si në tërë botën, futja e ekonomisë në komë ka nënkuptuar kufizimin e veprimtarive ekonomike. Por, sot si asnjëherë më parë, kemi pothuajse pajtueshmëri unanime mes ekonomistëve më të mirë në botë. Mesazhi i tyre: dëgjoni mjekët, rrini në shtëpi, sepse kështu do ta shkurtojmë kohën që do nevojitet për rimëkëmbje ekonomike”, tha Kryeministri në detyrë.

Megjithatë, Qeveria e udhëhequr nga ai, u shpreh Kurti, nëpërmjet vendimeve të kujdesshme dhe të përllogarituara ka “maksimizuar aktivitetin ekonomik duke minimizuar dëmin shëndetësor”. Përkundër veprimeve me kohë dhe optimizmit për të ardhmen, ne jemi të vëtëdijshëm se sërish do të këtë humbje, tha Kryeministri në detyrë Kurti. Me qëllim që ta minimizojmë humbjen dhe në mënyrë që të mos përkeqësohet gjendja e ekonomisë, Qeveria tashmë ka marrë hapin e parë duke aprovuar Pakon Emergjente Fiskale. Kurse hapi i dytë, shtoi ai, do të përbëjë atë të këndelljes së ekonomisë nëpërmjet dizajnimit të Pakos për Rimëkëmbjen Ekonomike, për të cilën “do të kemi diskutim të gjerë e gjithpërfshirës, dhe politika të menduara mirë dhe të bazuara në vlerësime shkencore”.

Në fund, Kryeminsitri në detyrë përfundoi fjalën me një notë pozitive. “Krizat janë sfida me shumë vështirësi, por edhe mundësi me shanse të fshehura”, theksoi ai. Prandaj, për ne si Qeveri në detyrë kriza ekonomike paraqet edhe rast për progres. Nëpërmjet Pakos për Rimëkëmbje Ekonomike dhe politika përcjellëse, ne “nuk do të synojmë kthimin në gjendjen e mëparshme”, por “ne do të synojmë përparim” dhe “riorientim të ekonomisë”, përfundoi ai.

Fjala e plotë e Kryeministrit në detyrë Kurti:

I nderuari Zeka, drejtor ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë,

Të nderuar të pranishëm anëtarë të Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë,

Mua më vjen mirë që ndodhemi këtu, në një kohë të vështirë, por me vullnet për ta kaluar atë.

Të gjithë e dimë që pandemia COVID-19 ka ndezur një krizë të paprecedent në shkallë globale. Dhe, kriza në botë është e dyfishtë, shëndetësore e ekonomike, unë mund ta bëjmë një analogji me këtë rast.

Me qëllim që të ruhet shëndeti publik, vendet në mbarë botën e kanë futur ekonominë në një hibernacion. Si pasojë, aktiviteti ekonomik ka rënë, me ç’rast kanë rënë edhe të ardhurat. Edhe oferta edhe kërkesa kanë përjetuar një shok negativ. Pra, ka më pak punë, më pak prodhim, më pak fitim, më pak shkëmbim dhe më pak shpenzim.

Të vetëdijshëm që gjendja e ekonomisë në hibernacion mund të përkeqësohet, vendet në mbarë botën kanë përdorur dy mjetet: kanë përdorur politikat fiskale dhe politikat monetare.

Në këtë aspekt ne kemi qenë të hendikepuar sepse ne mund të përdorim vetëm politikat fiskale jo edhe ato monetare. Por, kemi qenë dyfish të hendikepuar meqenëse në anën tjetër kriza te ne nuk është e dyfishtë por e trefishtë: pra nuk është vetëm shëndetësore dhe ekonomike, por edhe politike.

Kriza shëndetësore ishte e paparashikueshme. Kriza ekonomike po duket e paevitueshme. Ndërsa kjo politike ishte edhe e panevojshme edhe e paarsyeshme, por meqenëse ishte e planifikuar u bë e pashmangshme.

Jemi futur në fazën kritike të krizës shëndetësore, por jam i bindur se ajo do të menaxhohet mirë nga Ministria e Shëndetësisë dhe Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik.

Neve na duhet ekspertiza e tyre shkencore, e atyre ju nevojitet bashkëpunimi ynë pa kushte.

Unë ju siguroj që kriza e panevojshme politike nuk do të më ndalë që si Kryeministër në detyrë, dhe si Qeveri në detyrë, ta përmbushim detyrën tonë për rimëkëmbjen e ekonomisë. Pra, ta zgjojmë atë nga hibernacioni dhe ta bëjmë më të fortë se sa që ishte kur ishte futur. Unë jam mirënjohës për të gjithë ndërmarrësit për bashkëpunimin e tyre dhe jam i sigurt se ai do të vazhdojë të rritet në mes nesh.

Më lejoni që sot të fokusohem në adresimin e krizës ekonomike.

Ashtu si në tërë botën, futja e ekonomisë në hibernacion ka nënkuptuar kufizimin e veprimtarive ekonomike. Por, sot si asnjëherë më parë, kemi pothuajse pajtueshmëri unanime të ekonomistëve më të mirë në botë. Mesazhi i tyre është: dëgjoni mjekët, rrini në shtëpi, ruani higjienën, sepse kështu do ta shkurtojmë kohën që do të nevojitet për rimëkëmbje ekonomike.

Megjithatë, ne si Qeveri edhe e kemi bërë këtë duke llogaritur e optimizuar. Pra, e kemi maksimizuar aktivitetin ekonomik duke e minimizuar dëmin shëndetësor.

E duke e ditur që përkundër optimizimit sërish do të kemi humbje, atëherë e kemi dizajnuar terapinë emergjente dhe parandaluese.

Në mënyrë që të mos përkeqësohet gjendja e ekonomisë në hibernacion, e kemi marrë hapin e parë duke e përgatitur Pakon Emergjente Fiskale. Me që rast i kemi ndarë rreth 190 milionë euro që t’i minimizojmë dëmet e krizës.

Por, duhet kuptuar që kjo shumë nuk është kostoja ekonomike e pakos. Sepse nuk e përfshin koston e mundësisë. Dhe, ju si ndërmarrës e dini më së miri që kostoja e mundësisë luan rol përcaktues në vlerësimet ekonomike para marrjes së çfarëdo vendimi.

Me rënien e aktiviteteve ekonomike, do të bien edhe të hyrat e Qeverisë. Dhe, nëse ne parashikojmë se do të gjenerojmë rreth 200 milionë euro më pak të hyra, atëherë kjo është kostoja e mundësisë që duhet ta përfshijmë.

Rrjedhimisht, kostoja ekonomike e pakos bëhet rreth 390 milionë euro. Këtë po e theksoj në mënyrë që të mos lëmë hapësirë për keqinterpretime e keqpërdorime që kanë tentuar të bëhen nga ata që ekonominë tonë veçse e kishin shkatërruar pa asnjë pandemi.

Hapi i dytë, ai i nxjerrjes dhe këndelljes së ekonomisë nga hibernacioni, do të jetë dizajnimi i Pakos për Rimëkëmbje Ekonomike. Për ta bërë këtë, kemi planifikuar diskutim të gjerë e gjithpërfshirës, dhe politika të menduara mirë dhe të bazuara në vlerësime shkencore.

Kujtojmë që rritja ekonomike sipas Fondit Monetar Ndërkombëtar para përhapjes së pandemisë, ishte paraparë 4% ndërkaq sipas Bankës Botërore nga 4.2%.

Ndikimin e vërtetë në ekonomi do ta dimë vetëm pasi të përfundojë pandemia. Por, vlerësimet ex ante që kemi tani variojnë nga parashikimi më optimist, ku GDP shënon rënie vjetore prej 1.6% (Banka Botërore), e deri tëk ai më pesimist, ku GDP shënon rënie vjetore prej 5% (Fondi Monetar Ndërkombëtar). Pra, FMN edhe parashihte një rritje më të vogël, e tash një rënje më të madhe, ndërkar Banka Botërore parashihte një rritje më të madhe tash një rënje më të vogël.

Në bazë të këtyre parametrave, dëmi në ekonominë tonë mund të variojë prej rreth 392 milionë deri në rreth 645 milionë euro. Pra, gjithnjë duke e llogaritur edhe koston ekonomike në bazë të parashikimeve që i përmenda.

Këto shifra me qëllim që t’ju inkurajoj që kërkesat tuaja të jenë të bazuara, ky është kuptimi i këtyre shifrave. Siç e dini ju si ndërmarrës, për ta hartuar një buxhet duhet t’i përafrojmë nevojat me mundësitë. Prandaj na duhet një harmonizim mes këndvështrimit tuaj të ndërmarrësit që është mikroekonomik, dhe perspektivës tonë si Qeveri që është makroekonomike.

Por, gjithashtu e dini edhe një gjë tjetër. Ju e dini shumë mirë që krizat janë sfida me shumë vështirësi, por edhe mundësi me shanse të fshehura.

Ne si Qeveri në detyrë krizën ekonomike e shohim edhe si një rast për progres. Me Pakon për Rimëkëmbjen Ekonomike dhe politikat përcjellëse nuk do ta synojmë kthimin në gjendjen e mëhershme, por do të synojmë përparim. Pra, nuk do të kënaqëmi me kthim në kohë, por vetëm me ecje përpara.

Gjithëpërfshirja në hartimin e pakos do të bëhet me synim që të kemi edhe një ri-orientim të ekonomisë.

Krizën do ta shfrytëzojmë, pra, si mundësi jo vetëm për kompenzimin e vendeve të punës që mund të humben, por edhe për krijimin e vendeve të reja të punës përmes investimeve kapitale.

Subvencionet dhe kreditë për ndërmarrjet tuaja nuk do të jenë vetëm për të siguruar likuiditet. Ato do të jenë për ta zgjeruar aktivitetin, rritur prodhimin e ngritur eksportin.

Pra, investime, subvencione e kredi, për punësim, prodhim e eksport.

Andaj le ta shfrytëzojmë këtë krizë për të hapur horizonte të reja. Le ta çlirojmë imagjinatën dhe ta mendojmë një ekonomi më ndryshe, por duke i mbajtur këmbët në tokë dhe llogaritur mirë hapat.

Pra, edhe shkencë edhe vizion. Të bëjmë matje dhe projeksione shkencore për synime e qëllime ideale. Dhe, le të punojmë bashkarisht për t’i jetësuar ato. Për një ekonomi më të qëndrueshme, për një ekonomi për të gjithë.

Në këtë rrugëtim do ta keni garancinë time personale dhe mbështetjen institucionale të Qeverisë në detyrë të Republikës së Kosovës.

Ju falemnderit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat