Thaçi përkujton Ilaz Kodrën: Serbia ka kryer gjenocid në Kosovë, kjo nuk mund të amnistohet

Aktuale

Thaçi përkujton Ilaz Kodrën: Serbia ka kryer gjenocid në Kosovë, kjo nuk mund të amnistohet

Më: 30 prill 2020 Në ora: 11:58
Hashim Thaçi

(E plotësuar) - Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka përkujtuar sot komandantin e brigadës 114, Ilaz Kodra, i cili ra heroikisht 21 vjet më parë. Thaçi, pas homazheve që i bëri në kompleksin memorial në Marinë të Skenderajt, tha se Ilaz Kodra ra në përballje me ushtrinë dhe policinë serbe duke mbrojtur popullatën civile. Edhe prej aty, presidenti ka thënë se askush nuk mund të amnistojë gjenocidin dhe krimet që Serbia i ka kryer në Kosovë.

Thaçi ka kujtuar edhe rreth 300 civilë shqiptarë të vrarë nga ushtria e policia serbe në fshatin Verboc të Drenicës.

Thaçi: Ilaz Kodra ra heroikisht në përballje me ushtrinë dhe policinë serbe

“Si çdo herë edhe sot jemi në përkujtim të përvjetorit të rënies heroike të bashkëluftëtarit dhe komandantit Ilaz Kodra, një prej themeluesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të rënë heroikisht para 21 vitesh në përballje me ushtrinë dhe policinë serbe duke mbrojtur popullatën civile. Në të njëjtën kohë sot, kujtojmë me respektin më të lartë edhe rreth 300 civilë shqiptarë, gra, fëmijë, pleq, të vrarë nga ushtria dhe policia serbe në fshatin Verboc këtu në Drenicë. Dhimbja është e madhe, pikëllimi është i madh por ajo rezeistencë i jep kuptim dhe dinjitet lirisë”, tha Thaçi.

Thaçi tha se masakra e kryer në Verboc ndaj 300 shqiptarëve është në radhën e 400 masakrave që ka kryer ushtria serbe kundër shqiptarëve, mbi 10 mijë civilëve të tjerë vrarë, 20 mijë grave të dhunuara, mijëra fëmijëve të vrarë dhe dëbimit të 1 milionë qytetarëve nga shtëpitë e tyre.

Thaçi: Serbia ka kryer gjenocid në Kosovë, kjo nuk mund të amnistohet

“Kjo nuk ka tjetër kuptim përpos asaj që është bërë e qartë në nivel lokal dhe botëror, se Serbia ka kryer gjenocid në Kosovë, ka kryer spastrim etnik, për fat të keq heshtja ndërkombëtare ka krijuar një lloj amnistie për krimet e Serbisë në Kosovë por nuk ka kohë, faktor dhe rrethanë që e amniston gjenocidin dhe krimet, e vrasjet e Serbisë në Kosovë”, tha Thaçi.

Në prill të vitit 1999, forcat serbe të goditura nga bombardimet e NATO-s, i’u vërsulen popullatës civile duke pushkatuar e masakruar pleq, të rijnë e fëmijë.

Ilaz Kodra ishte nisur për në fshatin Verboc, në mënyrë që t’i dalë ndihmë popullatës civile, pasi kishte marrë lajmin  se forcat serbe po bënin përpjekje t'ia mësyjnë fshatit Verboc e Shtuticë.

Ilaz Kodra, komandant i brigadës 114, aty ishte përballur në luftë të drejtpërdrejtë me forcat serbe ku ra heroikisht më 30 prill të vitit 1999 në fshatin Vërboc. Ai la pas vetës bashkëshorten dhe dy vajza.

Thaçi bën homazhe te varri i Ilaz Kodrës (Drejtpërdrejt)

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat