​Osmani: Paqja e mundshme vetëm pas dënimit të autorëve të krimit

Aktuale

​Osmani: Paqja e mundshme vetëm pas dënimit të autorëve të krimit

Më: 2 maj 2020 Në ora: 12:07
Vjosa Osmani

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani në 21 vjetorin e masakrës në Studime të Vushtrrisë, ku u vranë 116 shqiptarë, ka thënë se përveç se do t`i rikujtohen për çdo 2 maj, do ta përsërisim se nuk ka paqe të qëndrueshme pa zbardhjen e të gjitha krimeve të luftës të bëra nga Serbia.

Duke kujtuar këtë masakër, Osmani ka thënë se brenda dy orësh, teksa po dëboheshin me dhunë për në Shqipëri nga forcat paramilitare serbe, u vranë mizorisht 116 civilë, në mesin e të cilëve fëmijë, gra, burra e pleq. Kjo tregon qartazi përpjekjet e regjimit të asaj kohe për spastrim etnik dhe gjenocid ndaj shqiptarëve.

“Në këtë ditë, bashkëndjejë me familjet e tyre në këtë përvjetor dhe ua rikujtoj se misioni ynë i vazhdueshëm do të jetë që kryesit e veprës të marrin dënimin e merituar. Sot, shkaku i pandemisë Covid-19, familjet nuk do të mund të jenë te varrezat e të familjarëve të tyre për t`i kujtuar, por do t`i kujtojmë bashkërisht në secilën familje, sepse ata janë edhe familjarë tanë që dhanë jetën për shtetin dhe lirinë tonë! Përveç se do t`i rikujtojmë për çdo 2 maj, do ta përsërisim se nuk ka paqe të qëndrueshme pa zbardhjen e të gjitha krimeve të luftës të bëra nga Serbia. Ndaj, çfarëdo procesi negociatash nuk ka kuptim nëse drejtësia nuk shkon në vend. Për krimet ndaj shqiptarëve nuk duhet të ketë aministi. Duhet të ketë vetëm një epilog. E ky epilog është dënimi i atyre që i kryen këto krime. Qoftë i përjetshëm kujtimi për 116 civilët e vrarë të Studimes”, thuhet në deklaratën e Osmanit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat