​Agjencia e Pyjeve deklarohet rreth kërkesës së OAK për shkarkimin e Ahmet Zejnullahut

Aktuale

​Agjencia e Pyjeve deklarohet rreth kërkesës së OAK për shkarkimin e Ahmet Zejnullahut

Më: 5 maj 2020 Në ora: 20:18
OAK

Agjencia e Pyjeve të Kosovës (APK) reagon ndaj komunikatës për media të Odës së Afarizmit të Kosovës(OAK), më 4 maj 2020, në të cilën kërkohej shkarkimi i kryeshefit të APK-së, Ahmet Zejnullahu, me arsyetimin se ky i fundit përmes një përgjigje ndaj OAK kishte thënë se nuk i jep prioritet kërkesës së operatorëve ekonomikë për lirim nga qiraja për tokat pyjore të APK-së.

Sipas APK-së, Zejnullahu në asnjë rast nuk e ka dhënë një përgjigje të tillë për OAK dhe se në përgjigjen e tij ka theksuar se tashmë APK është në pritje të vendimit të Qeverisë së Kosovës lidhur me kërkesën e OAK për përfshirjen në pakon emergjente, për lirimin nga pagesa e qirasë të operatorëve ekonomikë, të cilët shfrytëzojnë tokat pyjore.

APK njofton se më 31 mars 2020 ka pranuar kërkesën e OAK-së përmes ministrit të Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, ku është kërkuar nga agjencia përpilimi i një analize financiare për kërkesën e Odës për pezullimin e qirasë për operatorët ekonomikë në sektorin pyjor dhe të shihet aspekti ligjor se në cilin nivel duhet marrë ky vendim.

Ndërsa, më 6 prill 2020, APK-ja pas shqyrtimit të kërkesës së OAK-së, i cili përfshin vetëm sektorin e minierave/ mineraleve/gurthyesve, kërkon nga ministri i MBPZHR-së që ndërmarrjet që kanë kontratë për shfrytëzim në sektorin minerar nuk janë në grupin e ndërmarrjeve që përfshihen në lirimin e pagesës.

APK me këtë rast i ka propozuar ministrit Besian Mustafa, që për shkak të kushteve dhe rrethanave të krijuara me COVID-19, të kërkojë nga Ministria e Financave dhe Transfereve që të marrë vendim për pezullim të përkohshëm të pagesës për periudhën 1 mars- 1 qershor 2020 të qirasë, pasi kjo masë do të ketë direkt interferim në buxhetin e Kosovës.

Për më tepër, Agjencia Pyjore e Kosovës sqaron se që nga muaji mars nuk ka bërë asnjë presion ndaj asnjë operatori ekonomik për kryerjen e pagesave sipas kontratave, pasi janë në pritje të përgjigjes nga Qeveria e Kosovës dhe se pas marrjes së përgjigjes, do të veprohet konform vendimit nga kjo e fundit.

Sipas APK-së, deri në marrjen e një vendimi të tillë operatorët ekonomikë nuk janë të liruar në kryerjen e obligimeve që rrjedhin sipas kontratës valide për shfrytëzimin e tokës pyjore me qira.

APK njofton se MBPZHR ka marrë për bazë kërkesat e OAK-së dhe ka formuar grupin punues për nxjerrjen e Udhëzimit Administrativ për rregullimin e sektorit minerar, i cili është në procedurë të miratimit.

Ndërsa, të gjithë operatorët me rastin e aplikimit për marrjen e tokës pyjore me qira, kanë qenë të informuar me kushtet ligjore dhe të gjitha kontratat janë bërë pa imponime, andaj APK kërkon respektimin e tyre.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat