Detaje të reja nga vrasja e shumëfishtë brenda familjes në Gjilan

Aktuale

Detaje të reja nga vrasja e shumëfishtë brenda familjes në Gjilan

Më: 8 maj 2020 Në ora: 20:34
Foto

Një polici të Gjilanit i është ngritur kallëzim penal nën dyshimin se ka keqpërdorur detyrën zyrtare duke i mbajtur në mënyrë të pasigurtë çelësat e sirtarit ku ruhen armët, me ç’rast zyrtarja policore, Valdete Bllaca e kishte marrë armën dhe kishte kryer vrasje të shumëfishtë. Detaje rreth mënyrës së si Bllaca ia doli ta nxjerrë armën kanë dhënë në Prokurorinë e Gjilanit.

Një familje e tërë u shua mëngjesin e 18 shkurtit të këtij viti në Gjilan. Zeqir, Hanife, Blerim, Fisnik e Valdete Bllaca u gjetën pa shenja jete në shtëpinë e tyre në lagjen “Bojanina”.

Vrasja dyshohet se u krye me armën zyrtare nga e bija e vetme e kësaj familje, zyrtarja policore, Valdete Bllaca, e cila më pastaj bëri vetëvrasje.

Ajo kishte pranuar tretman mjekësor, disa muaj para se të kryente vrasjen e shumëfishtë dhe në bazë të raporteve, ishte rekomanduar që të punonte pa uniform dhe pa armë zyrtare.

Por, edhe pse i ishte marrë arma, Bllaca kishte arritur që ta nxjerrë armën nga Policia, për të kryer më pas vrasjen e shumëfishtë.

Në Prokurorinë Themelore të Gjilanit kanë deklaruar se kanë pranuar kallëzim penal nga Inspektorati policor ndaj XH.A, i cili ishte përgjegjës për ruajtjen e sendeve dhe armëve të zyrtarëve policorë.

Zëdhënësja e Prokurorisë, Liridona Xheladini ka thënë se dyshohet se si pasojë e mbajtjes së çelësave në mënyrë të pasigurtë nga ana e tij, zayrtarja policore kishte arritur që të kopjonte çelësat, duke marrë armën e saj nga sirtari metalik.

“Lidhur me rastin, Prokuroria Themelore në Gjilan, më 23 prill 2020, nga Inspektorati Policor i Kosovës, ka pranuar kallëzimin penal ndaj zyrtarit policor, tani të dyshuarit XH.A., i cili ishte përgjegjësi i vetëm për ruajtjen e sendeve/armëve të zyrtarëve policor, për shkak të veprës penale ‘’Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar’’, të KPRK-së, sepse dyshohet se si pasojë e mbajtjes së çelësave në mënyrë të pasigurtë nga ana e tij, e ndjera V.B, kishte arritur që të kopjonte çelësat, duke marrë armën e saj nga sirtari metalik, me çka ka kryer veprat penale ‘’Vrasje e rëndë’’ dhe ‘’Vetëvrasje’’”, thuhet në përgjigjet e Xhaldinit.

Në Prokurori deklarojnë se ende nuk e kanë pranuar raportin e autopsisë.

“Prokuroria ende nuk ka pranuar raportin e autopsisë nga Instituti i Mjekësisë Ligjore, në Prishtinë”, ka thënë Xheladini.

Informacione rreth këtij rasti kanë dhënë edhe në Inspektoratin Policor.

Në këtë institucion e kanë konfirmuar se është ngritur kallëzim penal ndaj një punonjësi të PK-së me dyshimin se i njëjti ka kryer veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

“Inspektorati Policor i Kosovës në bashkëpunim me Prokurorinë Themelore në Gjilan ka ndërmarrë veprime hetimore dhe në konsultim me këtë prokurori ka ngrit kallëzim penal ndaj një punonjësi të PK-së me dyshimin se i njëjti ka kryer veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 414 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, thuhet në përgjigjet e Inspektoratit.

Ndërkohë, sa i përket të dyshuarve të tjerë, në IPK thonë se pasi që gjatë hetimit nuk janë siguruar prova dhe dëshmi se të njëjtit kanë kryer ndonjë vepër penale në lidhje me këtë rast, rasti është përcjellë në Drejtorinë për hetime të brendshme dhe verifikim të së kaluarës në Polici të Kosovës për trajtim administrativ për shkelje të mundshme disiplinore.

“Pasi që IPK ka përfunduar hetimet dhe ka pushuar arsyeja e suspendimit, me rekomandim të IPK-së dhe me vendim të PK-së të njëjtëve u është ndërprerë masa e suspendimit”, kanë deklaruar nga IKP.

Ndërkohë, për gjendjen shëndetësore të Bllacës ishin deklaruar edhe në Policinë e Kosovës.

Në këtë institucion e kishin konfirmuar se Bllaca ishte trajtuar në 14 seanca të ndryshme dëgjimore dhe këshilluese deri në fund të vitit 2019.

Për herë të fundit, ajo kishte mbajtur trajtim në fillim të tetorit të vitit të kaluar, kur edhe ishte rekomanduar lirimi nga bartja e uniformës dhe armës zyrtare.

“Trajtimin e fundit mjekësor psikologjik në klinikë e ka mbajtur me datën 03.10.2019, në të cilin trajtim gjithashtu është rekomanduar lirimi nga bartja e uniformës, përfshirë edhe armën zyrtare për shkak të gjendjes së saj shëndetësore/psikologjike si dhe i është caktuar terapia përkatëse”, kishte njoftuar Policia.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat