1800 njësi mësimore janë realizuar gjatë pandemisë, Bajrami jep detajet e punës

Aktuale

1800 njësi mësimore janë realizuar gjatë pandemisë, Bajrami jep detajet e punës

Më: 11 maj 2020 Në ora: 21:02
Hykmete Bajrami

Ministrja në detyrë e Arsimit, Hykmete Bajrami, ka thënë se janë relativisht të kënaqur me ecurinë e mësimit online, derisa thotë se kanë realizuar 1.800 njësi mësimore.

Mësimi online ka nisur në Kosovë më 23 mars dhe vazhdon ende të mbahet.

“Menjëherë pas vendimit të Qeverisë, kemi filluar punën intensive brenda MASHT-it dhe më 18 mars kemi nisur incizimet dhe më 23 kemi nisur transmetimin. Mund të them se në këto kushte pandemie, jemi relativisht të kënaqur sepse gjithçka ka shkuar mirë. Kemi arritur të realizojmë 1800 njësi mësimore. Të gjitha këto që po i editojmë dhe disa prej tyre i incizojmë nga fillimi”, ka thënë Bajrami.

Por, shumë prindër kanë pasur ankesa për shkak të ngarkesës që kanë pasur për mësimin e fëmijëve të tyre, megjithatë Bajrami thotë se duhet të shihet ana pozitive e kësaj.

“E gjithë kjo ka një anë pozitive, po besoj se s’ka aktivitet më të mirë se t’u kushtosh kohën atyre”, u shpreh ajo.

Bajrami ka falënderuar vullnetarët për mësimin online, e OJQ të ndryshme dhe ndihmën nga Komuna e Prishtinës.

“Sfida më e madhe e jona ka qenë se mbase dikush po na infektohet e kjo do të ishte një ndërprerje e dhunshme e atij procesi, e fatmirësisht ka përfunduar pa asnjë incident”, ka thënë Bajrami.

Ajo tutje ka thënë se tani po bëhen incizime për gjuhën turke dhe boshnjake dhe po punohet në mënyrë intensive.

E një ftesë të tillë Bajrami thotë ta kenë bërë edhe për komunitetin serb në Kosovë, porse nuk kanë marrë përgjigje.

“Ne i kemi bërë thirrje edhe komunitetit serb, por ata nuk iu kanë përgjigjur ftesës tonë. Ftesa ishte që ata të punonin sipas kurrikulës tonë, por s’kanë dhënë përgjigje. Disa të tjerë kanë thënë se po i ndjekin ato nga Radio Televizioni serb”, deklaroi Bajrami.

Sipas saj 90 për qind e nxënësve janë përfshirë në mësimin online.

“Kemi raporte që thonë se përfshirja e nxënësve është mbi 90 për qind, e një pjesë e tyre që skano marrë pjesë është për shkak të mungesës së pajisjeve të mençura. Ka pasur donatorë që kanë ndihmuar me këtë, por ka pasur edhe iniciativa nga krerët e komunave. Ka përpjekje nga të gjithë që të ofrohet mundësia që të realizohet mësimi në distancë. Ne raportet dhe statistikat i kemi marrë nga Drejtoritë komunale, e kushtet ekonomike është arsyeja kryesore e mos pjesëmarrjes. Tani brenda MASHT-it jemi duke shikuar nëse mund të mbulojmë të gjitha këto”, ka thënë Bajrami.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat