Mbi 2 mijë autobusë të bllokuar, Shoqata e Transportit Rrugor paralajmëron protesta

Aktuale

Mbi 2 mijë autobusë të bllokuar, Shoqata e Transportit Rrugor paralajmëron protesta

Më: 12 maj 2020 Në ora: 17:56
Foto ilustrim

Sektori i transportit është një nga sektorët e shumtë që kanë pësuar humbje nga situata e krijuar nga pandemia Covid-19, e cila ka shkaktuar rënie ekonomike në gjithë botën.

Kryetari i Shoqatës së Transportit Rrugor, Ruzhdi Kurtishaj ka thënë se mbi 2000 autobusë janë jashtë përdorimit për shkak të pezullimit të punës, teksa janë dëmtuar mbi 10 mijë punëtorë e 500 kompani.

“Pandemia dihet se ka sjellë shumë të këqija për vendin tonë. Sa i përket transportit rrugor të udhëtarëve, sot janë mbi 2,000 autobusë që qëndrojnë jashtë vendeve të tyre të punës. Janë bllokuar mbi 10 mijë punëtorë, qoftë shoferë apo staf mbështetës dhe mbi 500 kompani që operojnë në këtë sektorë. Këto shifra flasin mjaft sa i përket dëmit që i është shkaktuar transportit të udhëtarëve”, ka thënë Kurtishaj.

Kurtishaj thotë se së pari synohet të fillojë transporti ndër urban dhe brenda Kosovës në mënyrë që të lidhen qytetet dhe fshatrat në mënyrë që qytetarët të ruajnë vendet e tyre të punës.

Po ashtu ai tha se është paralajmëruar se nga data 18 maj parashihet të lirohet një lloj transporti i veçantë e që sipas tij, ky nuk përmbushë kërkesat e qytetarëve.

“Ai transport është për nevojat e kompanive të caktuara dhe jo transport që lidh stacionet” tha Kurtishaj.

Në rast të mos lehtësimit të masave, Kurtishaj ka thënë se mund të ketë edhe protesta.

“Ne do të kemi një mbledhje gjatë kësaj jave për t’u përgatitur qoftë për t’u kthyer në punë apo për të dalë në protesta”, tha Kurtishaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat