​Sindikata nuk pajtohet me uljen e pagave në Telekom, s’përjashton protestat

Aktuale

​Sindikata nuk pajtohet me uljen e pagave në Telekom, s’përjashton protestat

Më: 14 maj 2020 Në ora: 18:38
Telekomi i Kosovës

Për uljen e pagave të punëtorëve në Telekomin e Kosovës nga dita e nesërme, nuk po pajtohet Sindikata e Pavarur Telekomit të Kosovës, derisa ende nuk kanë ndonjë qëndrim për formën e veprimit sindikal për ta kundërshtuar vendimin e Bordit të përkohshëm të kësaj kompanie publike.

Kryetari i kësaj sindikate, Lamih Balaj duke thënë se gjendja në Telekom është e rëndë ku të hyrat kanë rënë në mënyrë drastike, theksoi për KosovaPress se pa e pranuar një vendim nga Bordi, nuk do të marrin asnjë veprim sindikal, pasi sipas tij dje kanë pranuar vetëm një e-mail zyrtar prej ushtrueses së detyrës të kryeshefit ekzekutiv të Telekomit.

Balaj po beson se do të arrin një mirëkuptim me bordin dhe nuk do të ketë nevojë për protesta dhe greva.

Balaj: Nuk pajtohemi me uljen e pagave në Telekom

“Kemi kërkuar gjithmonë me i shterë mundësit e diskutimit, para se me ardhur deri te grevat ose protestat. Paraprakisht do të ulemi me parë nesër me bordin në takim. Të shohim se çka kemi me mundur me arrit. Ne kemi thënë shumë herë që në Telekom janë një pjesë e pagave të mëdha, kemi kërkuar vazhdimisht ristrukturim ku do ta mbështesim në vazhdimësi që në këtë ristrukturim me pasur edhe ulje të pagave. Nuk them që pajtohemi, por nuk e kam marrë akoma vendimin nuk e di çka ka në vendim. Dua me pasur vendimin që është marrë në bord, e jo e-mailin që është dërguar. Pasi ta marrë vendimin do të dalë edhe me një komunikatë pas takimit me kryetarin e bordit”, thotë Balaj.

Megjithatë kreu i kësaj sindikate nuk ka përjashtuar edhe mundësinë mbajtjes së protestave për ta kundërshtuar vendimin që mund t’i dëmtoj punëtorët e Telekomit në të ardhura.

Ai po kërkon që edhe nëse ka zbritje të pagave, të jetë e përkohshme.

Balaj: Ulja e pagave të bëhet përkohësisht

“Ne po e kuptojmë që është gjendja e rëndë. Nëse shkohet me një zbritje, duhet me ditë sa ka me zgjatë kjo zbritje e pagave. Ne kemi deklaruar shpeshherë që nëse është nevoja ne japim edhe pagën tonë për me rimëkëmb Telekomin, por mos ta japim pagën tonë dhe djersen tonë, ndërsa ata që kanë shkatërruar Telekomin të rrinë shumë komod. Nesër do të bëjmë publike të gjitha verimet tona pas takimit me bordin, por nuk përjashtohet asgjë sepse është Kuvendi i Sindikatës ai që vendos për të gjitha veprimet sindikale”, deklaron Balaj.

Dje Bordi i përkohshëm i Drejtorëve të Telekomit ka miratuar uljen e pagave për punëtorët e kësaj ndërmarrjeje. Ulja e pagës nis prej kryeshefit ekzekutiv deri 62 përqind, i cili ka pasur pagë deri tash rreth 5 mijë e 200 euro.

Ky vendim do të hyn në fuqi nga data 15 maj 2020 dhe ka impakt direkt në të hyrat e Telekomit, kështu është thënë në e-mailin e drejtuar punëtorëve të kësaj kompanie që është dërguar nga ushtruesja e detyrës së kryeshefit Burbuqe Hana.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat