COVID-19 ua ndërpret trajnimin kadetëve të Policisë së Kosovës, nuk dihet kur e vazhdojnë - Bota Sot
COVID-19 ua ndërpret trajnimin kadetëve të Policisë së Kosovës, nuk dihet kur e vazhdojnë

Aktuale

COVID-19 ua ndërpret trajnimin kadetëve të Policisë së Kosovës, nuk dihet kur e vazhdojnë

Më: 15 maj 2020 Në ora: 11:36
Ismail Smakiqi

Mbyllja e institucioneve arsimore në vend si masë parandaluese për përhapjen e virusit COVID-19, ka bërë që të ndërpritet edhe trajnimi i 435 kadetëve të Policisë së Kosovës, të cilët kanë qenë duke i vijuar trajnimet në Akademinë e Kosovës për Siguri Publike në Vushtrri.

E derisa hapja e institucioneve arsimore nuk është paraparë në asnjërën nga fazat e lirimit të masave parandaluese për përhapjen e COVID-19, nuk dihet se kur kadetët do të vazhdojnë trajnimin.

Drejtori i përgjithshëm i Akademisë së Kosovës për Siguri Publike Ismail Smakiqi, në një intervistë për kp ka treguar se kadetët e Policisë së Kosovës kanë përfunduar tre muaj trajnim, ndërsa deri në diplomim i kanë edhe katër muaj të tjerë.

Smakiqi: Aktualisht i kemi ndërprerë të gjitha aktivitetet

“Pas vendimit të parë të qeverisë për ndërprerjen e procesit edukativ arsimor edhe Akademia si institucion arsimor me datën 12 ka bërë ndërprerjen e procesit edukativ arsimor. Në atë kohë i kemi pasur në Akademi 435 kadetë të Policisë së Kosovës të cilët kanë ndjekur trajnimin profesional për zyrtarë policorë dhe disa trajnime të tjera që janë të specializuara të agjencive të tjera. Po ashtu, edhe procesi i 215 studentëve të katër gjeneratave meqë fakulteti bachelor i Sigurisë Publike është katërvjeçar. Aktualisht i kemi ndërprerë të gjitha aktivitetet sa i përket fushëveprimit të Akademisë për me i dhënë shërbime agjencive të sigurisë publike”, thotë ai.

Marrë parasysh që në të gjithë vendin po mbahet mësimi online, Smakiqi thotë se një gjë e tillë është e pamundur të realizohet për kadetët e Policisë së Kosovës. Kjo sipas tij, për shkak se trajnimet janë më shumë praktike.

Ndërsa, mësimin online ai thekson se po e mbajnë për studentët e nivelit bachelor të Akademisë së Kosovës për Siguri Publike.

Smakiqi: Me kadetët është e pamundur të zhvillohet mësimi nga distanca

“Me studentët, sikur të gjitha institucionet e arsimit të lartë, edhe ne vazhdojmë studimin online nga distanca me studentët. Do të thotë i kemi profesorët tanë të rregullt po ashtu edhe ata të angazhuar jemi inkorporuar edhe ne në këto platformat që është arsimi i lartë në Kosovë ‘google meet’ dhe ‘google classroom’. Kështu që, të gjitha platformat po i shfrytëzojmë për mësim online. Ne patëm javën e kaluar një mbrojtje të diplomës. Kurse me kadetët është e pamundur të zhvillojmë mësimin nga distanca, për shkak se ato janë trajnime që kanë përveç mësimit në klasa kanë edhe shkathtësi operative, kanë edhe pjesë praktike, kështu që është e pamundur fatkeqësisht”, thotë Smakiqi.

Ndërprerja e trajnimit, Smakiqi deklaron se do të jetë problematike për studentët, por që thotë se kurdo që të kthehen do të bëjnë edhe një rifreskim të trajnimeve që i kanë bërë deri në ndërprerjen e mësimit.

Kreu i Akademisë së Kosovës për Siguri Publike lavdëron gjeneratën e 55 të kadetëve, për çka thotë se përkundër ndërprerjes do ta vazhdojnë trajnimin pa shumë vështirësi.

Smakiqi: Ne do të vazhdojmë pa kurrfarë problemi

“Po sigurisht që po, sikur edhe në të gjitha nivelet shkollore në Kosovë, por sido që të jetë ne shpresojmë që do të vazhdojmë meqë kemi një gjeneratë të shkëlqyeshme. Kjo është gjenerata e 55 e kadetëve, një numër i madh është që kanë edhe fakultete dhe arsim të lartë, njerëz të pjekur dhe sikur të kishte qenë në rrjedha normale ata do të diplomonin diku kah qershori dhe do të përfundonte. Por tash do të duhet me u kthye në Akademi me vazhdua trajnimin aty ku kanë mbetur. Natyrisht që ne do të bëjmë ndonjë rifreskim të atyre njohurive që ata i kanë marrë, ndonjë testim eventual, por ne do të vazhdojmë pa kurrfarë problemi”, deklaroi ai.

Akademia e Kosovës për Siguri Publike ishte paraparë që në rast nevoje të kthehet në qendër karantinë, por Smakiqi thotë se një gjë e tillë ende nuk është kërkuar.

Smakiqi: Tash për tash nuk kemi një kërkesë për me qenë karantinë

Akademia tash është e lirë, meqenëse dihet që ne jemi një kampus që mund ta kemi një jetë përbrenda kampusit të organizuar për njerëzit që ne i shërbejmë, po njëkohësisht iu shërbejmë edhe komuniteteve. Meqenëse këtu kemi edhe konviktet në bazë të kërkesës të Qendrës Operative të Ministrisë së Punëve të Brendshme ne kemi bërë një përgatitje të një konvikti për eventualisht siç na është thënë nga Qendra Operative për karantinë eventuale. Po tash për tash nuk kemi një kërkesë për me vazhdua me qenë si karantinë”, potencoi ai.

Qeveria e Kosovës me 12 mars ka mbyllur të gjitha institucionet arsimore si masë parandaluese për përhapjen e koronavirusit. Hapja e tyre nuk është paraparë në asnjërën nga fazat e lehtësimit të masave, derisa mësimi po vazhdon online.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat