Kurti zbulon kërkesën e Grenellit në lidhje me dialogun Kosovë-Serbi - Bota Sot
Kurti zbulon kërkesën e Grenellit në lidhje me dialogun Kosovë-Serbi

Aktuale

Kurti zbulon kërkesën e Grenellit në lidhje me dialogun Kosovë-Serbi

Më: 18 maj 2020 Në ora: 18:30
Albin Kurti

(E plotësuar) - Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka paralajmëruar shtimin e disa elementeve të tjera të reciprocitetit me Serbinë.

Në një bashkëbisedim me disa studentë shqiptarë të Harvardit, ai ka thënë se që prej vendosjes më 1 prill procesi i reciprocitetit po shkon mirë.

“Para 1 prillit kemi hequr tarifën për lëndën e parë. Nga 1 prilli kemi hequr tarifën për të gjitha të mirat nga Serbia dhe Bosnja dhe Hercegovina dhe kemi nisur implementimin e reciprocitetit. Do të vazhdojmë me elemente të tjera sepse mendojmë se reciprociteti është princip i shëndosh i marrëdhënieve bilaterale”, është shprehur Kurti.

“Më 15 qershor do të vlerësojmë se çfarë ka qenë mirë e çfarë ka qenë keq. Importi nuk është i madh siç ka qenë. Jemi të fokusuar në menxhaimin e pandemisë, por poashtu fuqizimin e prodhuesve vendorë”.

“Serbia s’e ka pëlqyer reciprocitetin. Edhe Grenell ka qenë kundër. Më ka thënë ta heqim tarifën. E kemi hequr, por i kemi thënë se do ta vendosin reciprocitetin. I kam thënë se reciprociteti është fjala e preferuar e Trump…”.

“Reciprociteti po shkon mirë. Ka shumë elemente të reciprocitetin që nuk i kemi vendosur ai ajo e diplomave. Ka shumë shqiptarë nga Presheva, Medvegja dhe Bujanoci që diplomojnë në Kosovë dhe nuk mund të bëhen mësues atje. Duam të jemi të barabartë dhe për atë e kemi vendosur reciprocitetin”.

***

Kryeministri në detyrë i Kosovës Albin Kurti, në video-konferencën e tij me studentët e Universitetit të Harvardit, ka folur rreth rolit të shtetit amerikan në zgjidhjen e problemit me Serbinë dhe arritjen e marrëveshjes finale.

I pyetur për arsyet që administrata e presidentit Donald Trump kërkon një normalizim të shpejtë të marrëdhënieve me Serbinë, Kurti mendon se ambasadori Richard Grenell nuk ia dëshiron të keqen popullit të Kosovës, por kërkesën për përshpejtim të arritjes së marrëveshjes më tepër e sheh si ‘arritje historike nga ana e vetë Grenell”.

“Grenell ka kërkuar një marrëveshje të shpejtë dhe është impresioni im se ai nuk deshi të keqen për popullin shqiptar dhe Kosovën dhe kur duhet të bëhet diçka shpejt ju mundohuni të bëni presion dhe ka një nguti prej tij për arritje të marrëveshjes historike, duke u fokusuar më pak në tekstin e marrëveshjes. Ai dëshironte marrëveshjen si qëllim të tij kryesor. Ai në tetor më tash se dëshiron marrëveshje në shkurt, dhe tash dëshiron të arrihet marrëveshje deri në shtator”, ka thënë Kurti.

Për më tepër, Kurti ka thënë se është për një dialog të përgatitur mirë, me SHBA dhe BE si ndërmjetësues.

Sipas tij, presidenti Trump nuk ishte në dijeni kur takoi homologun e tij rus Vladimir Putin në Helsinki se do të fuqizojë influencën ruse në Ballkanin Perëndimor.

“Ka pasur dy dështime për tentim-puç në Maqedoninë Veriore dhe Malin e Zi dhe tash radha e tretë mund të jetë në Kosovë ose Bosnjë. Trump është i preokupuar me fuqizimin e Kinës dhe Putin dëshiron ta shfrytëzojë këtë në Ballkanin Perëndimor”, është shprehur Kurti.

***

Kryeministri në detyrë i Kosovës Albin Kurti ka folur sot në një konferencë virtuale para studentëve të Universitetit të Harvardit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Ai ka thënë se papunësia dhe krimi e korrupsioni janë dy probleme me të cilat u përball kur erdhi në krye të qeverisë së Kosovës.

Kurti ka folur për masat që ka ndërmarrë si qeveri për të luftuar krimin e organizuar dhe korrupsionin.

Ai ka thënë se programi qeverisës është i organizuar në bazë të dy prioriteteve, drejtësinë dhe krijimin e vendeve të punës.

Si pjesë e luftës kundër krimit dhe korrupsionit, Kurti ka përmendur shkarkimin e bordeve të ndërmarrjeve publike për shkak të miliona humbjeve në këto ndërmarrje.

Kurti tha se hapja e vendeve të punës është prioritet i qeverisë që ai drejton, përfshirë edhe tërheqjen e investimeve të huaja. Në këtë drejtim ai ka përmendur se Kosova ka popullsi të re dhe si e tillë ka kushte të mira për tërheqjen e investimeve të huaja, ndonëse e pranoi se në këtë drejtim ka shumë punë për të bërë.

Kurti ka thënë se dëshiron normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi dhe se dialogu duhet të vazhdojë. Në këtë drejtim ai ka përmendur ekipet që ka formuar për që të qenë pjesë e këtij procesi.

“S’ka dialog me harta në tavolinë, s’ka president rreth hartave. Rezultati final i bisedimeve duhet të jetë njohja reciproke”, ka thënë kryeministri në detyrë Albin Kurti.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat