A ka mospajtime mes LDK-së e AAK-së për ‘vetting’-un në drejtësi? Përgjigjet Gashi

Aktuale

A ka mospajtime mes LDK-së e AAK-së për ‘vetting’-un në drejtësi? Përgjigjet Gashi

Më: 20 maj 2020 Në ora: 21:36
Arben Gashi

Shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi, ka thënë se në Kosovë duhet të ketë vetting në sistemin e drejtësisë e duhet të ketë matje të performancës së prokurorëve e gjyqtarëve.

Sipas tij, paralajmërimet e Selim Selimit të AAK-së, të propozuar për ministër të Drejtësisë në koalicion me LDK-në se s’do të ketë vetting, kanë dalë nga konteksti.

“Me aq sa kam diskutuar me ministrin e propozuar nga AAK-ja, ajo ka dalë pak nga konteksti se si është trajtuar. Jam i bindur se Kosova ka nevojë për një sistem verifikimi të kontrollit, të ndjekjes së rasteve, sa raste hapen nga policia, sa raste dërgohen në prokurori, sa raste prej tyre konfirmohen e dërgohen në gjykatë e sa raste të dërguara dënohen e pastaj në secilën shkallë. Nëse një prokuror i ngrit 500 akuza brenda vitit dhe prej tyre 470 i rrëzohen në proces, do të thotë ai po ndërton gabimisht akuzën, ose qëllimisht ose s’po di. S’duhet të jetë prokuror në asnjërin rast”, ka thënë ai.

Sipas Gashit, duhet të ndërtohet një sistem i kontrollit të brendshëm në sistem të drejtësisë që mat performancën. Ai ka thënë se është çështje e ndjeshme e se duhet të ketë edhe ndryshim ligjesh nëse kjo shihet e nevojshme.

Gashi ka thënë se në sistem të drejtësisë ndër vite ka pasur progres, por sipas tij, “tani është koha e matjes së performancës dhe hulumtim në sistemin e vettingut për të parë a ka lidhje kriminale ndonjë prokuror apo gjyqtar”.

“Ministri i propozuar më tha që jam keqkuptuar. Ajo që mund të them është: Do të ketë proces të monitorimit, vlerësimit dhe matjes së performancës së prokurorëve e gjyqtarëve. Do të ketë proces të vlerësimit të pastërtisë së figurës dhe pasurisë së gjyqtarëve e prokurorëve. Kaq”, ka thënë ai.

I pyetur se a do të vazhdojë iniciativa e ndërmarrë në qeverisjen nga ku doli LDK-ja, për procesin e vettingut, Gashi ka thënë se “çdo punë e mirë do të vazhdojë”.

Gashi ka thënë se sa i përket liberalizimit, sundimi i ligjit si kriter, është plotësuar.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat