Mazreku: Edhe pa punuar, pagesat e dëmeve nga ana e kompanive të sigurimit ishin rekorde

Aktuale

Mazreku: Edhe pa punuar, pagesat e dëmeve nga ana e kompanive të sigurimit ishin rekorde

Më: 25 maj 2020 Në ora: 15:01
Sami Mazreku

Sami Mazreku, drejtor i Shoqatës së Sigurimeve të Kosovës, thotë se gjatë muajve mars dhe prill shitja e policave të sigurimit ka rënë për 50 për qind, përderisa kompanitë e sigurimeve kanë rritur pagesën e dëmeve për automjetet e aksidentuara në shifra rekorde deri më tani

Drejtori i Shoqatës së Sigurimeve të Kosovës, Sami Mazreku, thotë se në tre mujorin e parë të këtij viti pagesa e dëmeve për automjetet e aksidentuara nga kompanitë vendore të sigurimeve ka qenë më e larta deri më tani, ndonëse në gjysmën e dytë të muajit mars kompanitë nuk kanë punuar fare për shkak të pandemisë COVID-19. Sipas tij, gjatë periudhë janar-mars 2020 janë paguar 13 milionë euro dëme nga kompanitë e sigurimeve, apo rreth 17.5% më shumë se në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar. Gjatë intervistës për shtojcën “iSigurime”, Mazreku ka folur edhe për dëmin financiar që i është shkaktuar industrisë së sigurimeve nga pandemia gjatë dy muajve të fundit. Sipas tij, gjatë muajve mars dhe prill, si pasojë e pandemisë COVID-19, shitja e policave të sigurimit në Kosovë ka rënë gati për 50%, krahasuar me muajt paraprak, por edhe me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar. Ai ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës t’i ndihmojë edhe këtij sektori, i cili po përballet me faturë të lartë të humbjeve si pasojë e pandemisë COVID-19, raporton “iSIGURIME”.

COVID-19 e goditi rëndë industrinë e sigurimeve

Përkundër goditjes që ka pësuar industria e sigurimeve nga pandemia COVID-19, a ka vazhduar me të njëjtin ritëm edhe pagesa e dëmeve për qytetarët?

Mazreku: E kam potencuar në disa raste se pandemia COVID-19 ka goditur rëndë industrinë kosovare të sigurimeve, me ç’rast numri i policave të sigurimit ka rënë në minimum në dy muajt e fundit(mars-prill), prej se është shënuar rasti i parë me Coronavirus në Kosovë, përkatësisht më 13 mars 2020.

Përkundër këtij fakti, kur të hyrat kanë rënë dukshëm, kompanitë e sigurimeve në Kosovë kanë vazhduar me pagesën e dëmeve për veturat e aksidentuara. Sipas të dhënave zyrtare që i disponojmë nga Banka Qendrore e Kosovës(BQK), vetëm për tre muajtë e parë të këtij viti, kompanitë e sigurimeve kanë paguar dëme në vlerë prej rreth 13 milionë euro, shifër kjo më e larta e paguar në historikun e këtij sektori. Ky ritëm i shpejt i pagesës padyshim se është penguar nga pandemia, por edhe përkundër kësaj, kompanitë janë duke trajtuar dhe paguar dëmet ashtu siç është e paraparë me ligjet e aplikueshme në vendin tonë.

Nëse krahasohet me çerekun e parë të vitit të kaluar, si është gjendja këtë vit sa i përket pagesës së dëmeve për veturat e aksidentuara?

Mazreku: Kompanitë kosovare të sigurimeve kanë paguar miliona euro dëme për veturat e aksidentuara edhe gjatë muajit mars, ndonëse nuk ishin duke punuar fare. Pra, gjatë muajve janar-mars 2020 janë paguar dëme në vlerë prej 13 milionë euro, shifër kjo përreth 17.5% më e lartë se në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.

Pagesa e dëmeve është prioritet i secilës kompani që operon në vendin tone dhe për këtë arsye krahasuar me vitin paraprak ka rritje të madhe të pagesës së dëmeve, si në vlerë financiare ashtu edhe në numër të rasteve.

 50% ka rënë shitja e policave të sigurimeve

 Sa e ka vështirësuar punën në industrinë e sigurimeve pandemia dhe a ka ndikuar në zvogëlimin e numrit të punëtorëve ?

Mazreku: Për shkak të pandemisë, nga 16 marsi 2020, Qendrat e Regjistrimit të Automjeteve janë mbyllur dhe për këtë arsye shumë qytetarë kanë lëvizur në rrugët e Kosovës pa regjistrim të automjeteve. Qendrat e Regjistrimit të Automjeteve në Kosovë janë hapur pas dy muajve, përkatësisht më 18 maj 2020, duke punuar me staf të reduktuar esencial për t’i kryer të gjitha shërbimet. Përgjatë kësaj periudhe dy mujore, kur Qendrat e Automjeteve kanë qenë të mbyllura, kompanitë të sigurimeve janë ballafaquar me humbje të mëdha financiare si pasojë e rënies së të hyrave. Konkretisht gjatë muajve mars dhe prill, si pasojë e pandemisë COVID-19, shitja e policave të sigurimit ka rënë gati për 50 % krahasuar me muajt paraprak, por edhe me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar. Sipas të dhënave zyrtare të Bankës Qendrore të Kosovës, gjatë muajit mars të këtij viti të gjitha kompanitë e sigurimeve që operojnë në vendin tonë kanë shitur 17,040 polica obligative, nga 30,002 sa ishin në muajin paraprak.
Ndonëse të dhënat zyrtare për muajin prill ende nuk janë publikuar, situata është e njëjtë, madje edhe më e rënduar është në ketë muaj, ku shitja e policave ka rënë në masën prej 50% në raport me periudhën e njëjtë të viti 2019, kur gjatë muajit prill ishin shitur 31,283 polica.
Përkundër rënies së të hyrave për shkak të pandemisë, industria e sigurimeve nuk ka raportuar për zvogëlim të numrit të punëtorëve. Në këtë sektor janë rreth 3000 punëtorë të rregullt dhe 2000 punëtorë të tjerë janë të lidhur në mënyrë indirekte me këtë industri, sepse këto kompani kanë rrjetin e shitjes, kanë zyre që i marrin me qira dhe doemos ka familje që varen nga qiraja që i kanë lëshuar zyrat e tyre.

 A mendoni se Qendrat e Regjistrimit të Automjeteve është dashur të hapen në fazën e parë?

Mazreku: Ne disa herë kemi apeluar tek autoritetet kompetente që t’i hapin Qendrat e Regjistrimit të Automjeteve, sepse mbyllja e tyre ka rrezikuar industrinë e sigurimeve. Po të mos hapeshin edhe për një kohë Qendrat e Regjistrimit të Automjeteve, hapja e të cilave ndodhi më 18 maj, dëmi financiar i shkaktuar ndaj industrisë së sigurimeve do të ishte vështirë i riparueshëm dhe shumë punëtorë rrezikonin t’i humbnin vendet e tyre të punës. Duke u bazuar në statistikat që i kishim nga autoritetet kompetente dhe praktikave nga vendet tjera, kemi vlerësuar se Qendrat e Regjistrimit të Automjeteve do të duhej të hapeshin në fazën e parë të hapjes së bizneseve, por duke i zbatuar në mënyrë strikte rekomandimet e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike dhe Ministrisë së Shëndetësisë së Qeverisë së Republikës së Kosovës për mbrojtje nga pandemia, dhe në këtë mënyrë edhe dëmi financiar ndaj këtij sektori do të ishte më i vogël.

Alarmante numri i përgjithshëm i automjeteve të paregjistruara

Numri i automjeteve të paregjistruara ka arritur në mbi 150 mijë. A është alarmante kjo shifër për industrinë e sigurimeve?

Mazreku: Deri pak para shpalljes së pandemisë së COVID-19, sipas statistikave zyrtare të Ministrisë së Punëve të Brendshme, numri i automjeteve të pasiguruara në Kosovë ishte rreth 150 mijë. Kjo shifër e automjeteve të paregjistruara në Kosovë padyshim se është alarmante, pasi që edhe dëmet financiare që u shkaktojnë kompanive të sigurimeve janë tepër të larta. Për dëmet e shkaktuara në komunikacion nga automjetet e paregjistruara, kompanitë e sigurimeve nga viti 2000 e deri më tani kanë paguar hiç më pak se 44 milionë euro dhe kjo shifër padyshim se është shumë e lartë.

Humbjet në industrinë e sigurimeve u konfirmuan nga BQK-ja

A duhet të përfshihet industria e sigurimeve në Pakon Qeveritare, pasi që guvernatori konfirmoi se sektori që e përfaqësoni është ndër më të goditurit në vend?

Mazreku:  Ne kemi kërkuar qw sektori i kompanive të sigurimeve të jetë pjesë e grupit punues të “Pakos II” për rimëkëmbje ekonomike, për shkak se humbjet nga pandemia COVID-19 në këtë sektor janë shumë të larta. Këtë gjë e konfirmoi ditë më parë edhe guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Fehmi Mehmeti, në një intervistë për  Radio Televizionin “Dukagjini”, i cili e pohoi se sektori i sigurimeve në Kosovë më së shumti është afektuar nga pandemia COVID-19. Mirëpo, deri më tani ky sektor nuk është përfshirë në kuadër të Pakos Qeveritare për ndihmë bizneseve.

50% ka rënë shitja e policave të sigurimeve gjatë muajve mars dhe prill të këtij viti, krahasuar me muajt paraprak, por edhe periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.

17.5% ka qenë më e lartë gjatë periudhës janar-mars 2020, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.

5000 punëtorë janë të angazhuar direkt dhe indirekt në  industrinë kosovare të sigurimeve.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat