​Nga 28 maji hapen objektet fetare, ndryshon orari i lëvizjes për qytetarët

Aktuale

​Nga 28 maji hapen objektet fetare, ndryshon orari i lëvizjes për qytetarët

Më: 25 maj 2020 Në ora: 17:00
Arben Vitia

(E plotësuar) - Ministri në detyrë i Shëndetësisë Arben Vitia në një konferencë për media ka folur për fazën e re të lehtësimit të masave kundër përhapjes së koronavirusit.

Ai ka bërë të ditur se nga 28 maji do të ndryshojë orari i qarkullimit për qytetarët, të cilët mund të lëvizin nga ora 5 e mëngjesit deri 21.00 pa kufizime, derisa në fund të muajit do të mbyllet edhe karantina.

Vitia: Nga 28 maji ndryshon orari për qytetarët

“Nga 13 marsi është hera e parë që kemi zero rast me koronavirus dhe ky është sukses i të gjithë qytetarëve tanë. Deri sot kemi 1032 me koronavirus, prej tyre 789 raste janë të shëruar dhe 29 kanë vdekur dhe kemi 240 raste aktive. Janë realizuar mbi 13 mijë teste dhe do të vazhdojnë me teste sepse rreziku nuk ka kaluar. Virusi mund të përshtatet dhe ne duhet të tregojmë me luftimin e tij. Në fillim masat ishin më të vështira, por nga 4 maji kemi nisur kalimin në normalitet të ri. Para një jave prezantuam fazën e dytë graduale, ku thamë se do të bëhet edhe një analizë deri më 25 maj. Pas rezultateve nga terreni, jemi të inkurajuar të inkurajojmë masat e reja lehtësuese... Ndër masat lehtësuese janë edhe për ato për hapjen e objekteve fetare nga data e enjte, më 28 maj. Nga 28 maji ndryshon orari për qytetarët. Do të jetë ora nga ora 5 e mëngjesit deri 21 në mbrëmje qytetarët mund të lëvizin pa kufizime. Deri në fund të muajit do të mbyllet edhe karantina. Në fazën e tretë që nis më 1 qershor parashihen masa të leja lehtësuese që do të lehtësojnë ekonominë”, tha Vitia.

Ministri Vitia tha se lehtësimi i masave nuk do të thotë që qytetarët të mos bartin maskat mbrojtëse, higjienën, por ata duhet të vazhdojnë të mbajnë distancë sociale dhe të shmangin vizitat, pasi rreziku nga koronavirusi ende nuk ka kaluar

Vitia: Virusi është ende në mesin tonë

“Çdo hap përpara bart edhe rrezik me vete ndërsa virusi është në mesin tonë dhe virusin nuk e kemi mundur akoma, por neglizhenca jonë është armik i dukshëm. Kam një kërkesë si ministër, mjek dhe qytetar i juaji. Virusi është i rrezikshëm dhe shpërndahet lehtë. Vaksinë, ilaç për këtë virus nuk kemi, andaj duhet të përgatitemi. Të rinjtë janë të rrezikuar sikur edhe të vjetrit dhe ka raste kur virusi nuk kursen as fëmijët. Në këtë fazë të re maskat duhet të vazhdojnë të mbahen kur jeni në autobus, zyrë, floktari, te mjeku, kur prisni. Vendosni maskat çdo kund. Mbani distancën dy metra. Shmangni vizita familjare”, ka thënë ministri Vitia.

Për më tepër, ministri Vitia tha se shumica e hapjes së aktiviteteve tjera ekonomike, si kafiterive dhe gastronomisë, pritet të hapen në fazën e tretë, dhe beson se nuk do të ketë vonesa. Sa i përket hapjes së kufijve, Vitia tha se nuk ka ende vendim, pasi kjo varet edhe nga vendet fqinje.

Vitia: Hapja e kufijve varet edhe nga vendet fqinje

“Në fund të kësaj faze apo të fazë tjetër, dhe kjo nuk varet nga ne por edhe nga shtete tjera nga rajoni apo më gjerë dhe disa ditë përpara do të lajmërohen të gjithë qytetarët”, tha Vitia.

Derisa për hapjen e shkollave dhe çerdheve, ai tha se janë në diskutime me MASHT-in që të mundësohet një gjë e tillë në qershor, sidomos për klasat e 9 dhe 12, por se vendimi do të merret në një kohë sa më të shpejtë.

Naser Ramadani nga IKSHPK, tha se Kosova ka shpëtuar me numër minimal të rasteve me koronavirus.

Ramadani: Kosova ka shpëtuar me numër minimal të rasteve

“Ne kemi shpëtuar me numrin minimal të rasteve, tashmë ka dalë se kemi qenë nën planifikim se sa në skenarët tanë të lehtë, të mesëm dhe të ashpër, të cilat kanë qenë të frikshme se ku mund të shkojnë nëse nuk iu përmbahemi masave të institucioneve të shëndetësisë. Dua të përmend një faktor të rëndësishëm që na ka ndihmuar për parandalimin e përhapjes së COVID. Kjo përmes këtyre dy prijëseve fetarë duke bërë thirrje që të ndalen ritet fetare dhe kemi parë se këto përkufizime kanë shpëtuar shumë jetë... Jemi në përfundim të lakores, e cila ka një bisht epidemik që do të zgjasë disa javë, ose disa muaj. Në bazë të masave që kemi ndërmarrë, faza e kthimit të virusit mund të shfaqet, por edhe të shfaqet në një masë të vogël. Ne do të marrim të gjitha masat adekuate që të ruajmë vitalitetin e popullatës dhe duke ruajtur në minimum të asnjë rast fatal”, tha Ramadani.

Drejtoresha e Klinikës Infektive të QKUK-së, Lindita Ajazaj Berisha tha se kanë qenë 24 orë në gatishmëri për të ndihmuar qytetarët.

Berisha: Do të jemi në gatishmëri për ndihmë 24 orë për qytetarët

“Që nga janari kemi nisur me përgatitjet për sigurimin e masave mbrojtëse dhe masave tjera të nevojshme për qytetarët dhe që nga ajo kohë vazhdimisht kanë qenë ekipet mjekësore 24 orësh që të ofrohet ndihmë shëndetësore. Në Klinikën Infektive javën e fundit kemi pasur një rast më të vogël, por pavarësisht kësaj, ne kemi ende raste të rënda që po trajtohen dhe përkundër lehtësimit të masave, ne duhet të jemi të vetëdijshëm që të jemi të kujdesshëm dhe të respektojmë masat që dalin nga institucionet gjegjëse. Klinika Infektive deri në momentin nuk do të kemi në të ardhmen asnjë rast, ne do të jemi në gatishmëri për ndihmë 24 orë për qytetarët e Kosovës”, tha Berisha.

Myftiu Tërnava ka mirëpritur faktin se Kosova ka pasur sukses në lehtësimin e masave, dujke kërkuar që ato të vazhdojnë të respektohen edhe më tej.

Tërnava: Na u lehtësua gjendja të hapim shtëpitë e zotit

“Jam i gëzuar që së bashku me institucionet e vendit, me popullatën, bashkësitë fetare në Kosovë, ia arritëm ta mundim edhe këtë virus vdekjeprurëse apo ta dobësojmë deri në një masë që neve na u lehtësua gjendja të hapim shtëpitë e zotit që qytetarët të shkojnë nëpër xhami dhe kisha, t’i falen Zotit, të kërkojnë nga Zoti ndihmë dhe mëshirë. Falënderoj të gjithë ata që kontribuuan, institucionet tona, IKSHPK, mjekët, qendrën infektive, të cilët dhanë gjithçka nga vetja”, tha Tërnava.

Edhe kreu i Ipeshkvisë së Kosovës, Imzot Dodë Gjergji, ka falënderuar besimtarët myslimanë dhe katolikë që iu përgjigjen ftesës për t’i mbrojtur nga përhapja e COVID-19.

Dodë Gjergji: Duhet t’i mbahemi rregullave, sepse virusi është mes nesh

“Dëshiroj të falënderoj institucionet tona për bashkëpunim, ministrin Vitia, mbi të gjitha IKSHPK, mjekët, infermierët dhe të tjerët që janë angazhuar në mbrojtjen e shëndetit. Falënderoj besimtarët myslimanë dhe katolikë që na kanë dëgjuar. Mund të kthehemi serish në kisha dhe xhamia dhe t’i japim nder Zotit. Duhet t’i mbahemi rregullave, sepse virusi është mes nesh dhe nuk e dimë kur do të ikë”, tha Dodë Gjergji.

Ndryshe, Kosova dje për herë të parë pas 13 marsit, nuk ka shënuar asnjë rast të ri me COVID-19, ndërkohë që deri në momentet e fundit nga 93 të testuar po ashtu nuk ka asnjë rast të ri.

Të enjten hapen xhamitë dhe kishat, ndërron orari i kufizimit të lëvizjes

Drejtori i Institutit Kombëtarë të Shëndetësisë Publike të Kosovës, Naser Ramadani ka thënë se situata sëndetësore në Kosovë është më e mirë se asnjëherë më parë sa i përket coronavirusit.

Ramadani thotë se Kosova ka dalë shumë më mirë se skenariot që ishin parashikuar para fillimit të pandemisë në vendin tonë.

Ai ka falënderuar qytetarët dhe prijësit fetarë duke ndihmuar në mbajtjen nën kontrollë të situatës pandemike.

Drejtori i IKSHPK-së thotë se duke respektuar masat mbrojtëse nuk do të jetë e vështirë që të mbahet situata nën kontrollë.

***

Ministri në detyrë i Shëndetësisë, Arben Vitia në një konferëncë për media bashkë me drejtuesit e komuniteteve fetare në Kosovë ka njoftuar për lehtësimin e një serë masave që janë në fuqi prej kohësh për shkak të pandemisë.

Vitia thotë se ashtu siç është premtuar sot është bërë rishikimi i masave.

Ai ka thënë se nga 28 maj do të ketë lehtësim të masave kufizuese, ku qytetarët do të mund të lëvizin nga ora 5 e mëngjesit deri në orën 21 në mbrëmje.

Ministri në detyrë i Shëndetësisë ka thënë se nga e enjtja hapen xhamitë dhe kishat.

Vitia ka thënë se ne duhet të mësohemi me virusin pasi ai mund të ndryshojë.

Ai ka thënë se deri në fund të muajit do të hiqet edhe karantina, varësisht prej gjendjes.

Lehtësimi i masave vjen pas vendimit të Ministrisë së Shëndetësisë për rishikimin e fazës së dytë e cila ka filluar nga 18 maji.

​Drejtpërdrejt nga konferenca e ministrit në detyrë të Shëndetësisë Arben Vitia

Ministri në detyrë i Shëndetësisë Arben Vitia së bashku me kreun e BIK-ut, Myftiun Naim Tërnava, kreun e Ipeshkvisë së Kosovës, Imzot Dodë Gjergji, drejtorin e IKSHPK-së, Naser Ramadani dhe drejtoreshën e Klinikës Infektive të QKUK-së, Lindita Ajazaj Berisha, mbajnë konferencë për media. 

Vitia del në konferencë sot me prijësit fetarë

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia do të mbajë konferencë për media bashkë me prijësit fetarë në vend.

Përmes një komunikate drejtuar mediave, MSh-ja ka bërë me dije se në konferencë do të marrin pjesë edhe drejtori i IKShP-së, Naser Ramadani dhe drejtoresha e Klinikës Infektive, Lindita Ajazaj Berisha.

Konferenca do të mbahet në ora 17:30, në mjediset e Qeverisë së Republikës së Kosovës.

“Ministri i Shëndetësisë Arben Vitia, bashkë me Kreun e Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiun Naim Tërnava, kreun e Ipeshkvisë së Kosovës,  Imzot Dodë Gjergji, drejtorin e IKSHPK-së, Naser Ramadani dhe drejtoreshën e Klinikës Infektive të QKUK-së, Lindita Ajazaj Berisha,  do të mbajnë sot më 25 Maj 2020 konferencë për media, duke filluar nga ora 17:30”, thuhet në komunikatë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat