Fitore Pacolli tregon pse Spanja po ndryshon qendrim ndaj Kosovës

Aktuale

Fitore Pacolli tregon pse Spanja po ndryshon qendrim ndaj Kosovës

Më: 26 maj 2020 Në ora: 20:39
Fitore Pacolli

Deputetja e Kuvendit të Kosovës, Fitore Pacolli që vjen nga radhët e Vetëvendosjes ka dalë me një konstatim interesant sa i përket qasjes së Spanjës ndaj Kosovës. Ky shtet anëtar i Bashkimit Evropian nuk e njeh dhe e ,kundërshton Kosovën. Por, sipas deputetes me Qeverinë Kurti, ani pse janë vetëm pak më shumë se 100 ditë, gjërat kanë ndryshuar.

Qeveria e Albin Kurtit po bënte nja 15 ditë që ishte votuar në Kuvend dhe u dha një lajm se Xhamajka na ka njohur. Të nesërmen u mohua njohja dhe e gjitha dukej të ishte një blof që do të sqarohet me kohë.

Por, teksa në Kosovë gëzoheshin për njohjen, ishte një deputete e Vetëvendosjes, e njohur si shumë aktive në mbrojtjen e partisë, që këtë njohje e lidhi me Qeverinë. Në një status ën Facebook, deputetja e Vetëvendosjes, Fitore Pacolli e pat lidhur këtë njohje me ardhjen në pushtet të VV-së.

“Viti 2020 filloi mbarë. Në 2018 kishim vetëm një njohje e në 2019 kishim 0 njohje. Sot, Xhamajka e ka njohur Republikën e Kosovës. Era e ndryshimit politik në Kosovë po ndihet edhe jashtë saj. Ky ndryshim do të sjellë njohje të reja, investime e edhe Liberalizimin e vizave”, pati thënë ajo kur ende konsiderohej valide njohja.

Tash kur Qeveria Kurti është në detyrë, e rrëzuar me 82 vota në Kuvend, dhe po bën diçka më shumë se 100 ditë, Fitore Pacolli ka një teori tjetër interesante sa i përket qasjes së Spanjës ndaj Kosovës. Spanja dhe 4 vende tjera anëtarë të BE-së, Greqia, Sllovakia, Qipro dhe Rumania refuzojnë ta njohin Kosovën dhe të marrin pjesë në takime të nivelit evropian ku merr pjesë edhe Kosova, sidomos kur ka edhe simbole shtetërore.

Por, nëse i besojmë teorisë së Fitore Pacollit, gjërat paskan ndryshuar. Ajo thotë se Spanja ka ndryshuar qasje ndaj Kosovës dhe këtë ia atribuon Qeverisë së Kurtit.

“Me Qeverinë e re keni pa që ka pasë ndryshime, sidomos në qasjen e Spanjës ndaj Kosovës, që është një hap tejet pozitiv sepse Spanja më herët ka refuzu të marrë pjesë nëpër mbledhje ku është diskutuar për Kosovën. Në Samitin e fundit kishim pjesëmarrjen e Spanjës. Po ashtu kishim edhe deklarim të Ministrisë së Punëve të Jashtme për çështje të Kosovës, kështu që percepcionin e shteteve evropiane që kanë karshi Kosovës e ndryshojmë vetëm me një qeveri demokratike, me një qeveri që është e pa korruptuar dhe e pa lidhne me krimin. Dhe kjo është Qeveria Kurti. Neve na duhet një Qeveri e dytë, Qeveria Kurti 2 për me ndryshu percepcionin tek shtetet e Bashkimit Evropian”, ka deklaruar ajo sot pas një mbledhje në Komisionin për Integrime Evropian të Kuvendit të Kosovës.

Në fakt Spanja nuk është se ka ndryshuar shumë pozicion karshi Kosovës, veçanërisht në drejtim të njohjes. Katalonia dhe problemet e tjera janë theksuar si arsye se pse ky shtet evropian nuk po e njeh Kosovën, madje as pas opinionit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë që e quajti të ligjshme shpalljen e pavarësisë.

Nëpër takimet e ndryshme evropiane e botërore, Spanja ka refuzuar ta shoh Kosovën si shtet. Ajo çfarë ka ndodhur në këtë rast është pjesëmarrja në Samitin e Zagrebit që u mbajt në muajin Maj e ku Spanja hoqi veton sa i përket pjesëmarrjes së Kosovës. Në këmbim, u pajtuan që shtetet pjesëmarrëse të mos paraqiten me simbole shtetërore.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat