Ambasadori italian: Falënderoj institucionet e Kosovës për mënyrën e menaxhimit të pandemisë

Aktuale

Ambasadori italian: Falënderoj institucionet e Kosovës për mënyrën e menaxhimit të pandemisë

Më: 28 maj 2020 Në ora: 14:08
Pamje nga takimi

Ministria italiane e Mbrojtjes për gjatë dy javëve të fundit ka bërë dezinfektimin e mbi pesëdhjetë objekteve publike në Kosovë, ku përfshihet Inspektorati i Policisë dhe Qendrat e Shëndetit Publik. Kjo dhe ndihmat e tjera që shteti mik italian i ka bërë në Kosovë u shpalosën gjatë të enjtes në një takim ndërmjet ministrave Vitia e Sveçla dhe ambasadorit italian, Nicola Orlando. Derisa ky i fundit theksoi se institucionet kosovare kanë menaxhuar mirë pandeminë Covid 19.

Orlando u shpreh se shteti i Kosovës i ka marrë masat e duhura qysh në fillim për parandalimin e Covid 19.

Orlando: Dua të falënderoj institucionet për mënyrën si e kanë menaxhuar pandeminë

“Disa vende fatkeqësisht nuk mësuan nga fatkeqësia italiane dhe nuk morën masat e duhura. Por Kosova është njëra prej atyre që e mori shembullin e Italisë dhe i mori masat e duhura. Me këtë rast dua vërtet të falënderoj institucionet kosovare për mënyrën si e kanë menaxhuar pandeminë”, tha ai.

Ndërsa, koloneli David Colussi tregoi punën e tyre gjatë dezinfektimit të objekteve publike në Kosovë.

Colussi: Një ekip i specializuar nga Italia kanë operuar në gjithë Kosovën

“Dy javët e fundit e kemi pasur një ekip nga Italia të regjimentit të 7-të me një specializim të lartë që kanë operuar në gjithë Kosovën në objektet e Administratave Civile”, u shpreh ai.

Për të gjitha ndihmat e shtetit italian ndaj Kosovës u shpreh falënderues, ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia. Ai tha se këto veç sa e forcojnë lidhjet mes dy shteteve.

Vitia: Qëndrimi i Italisë pranë Kosovës në këtë gjendje pandemie e bën raportin tonë më të afërt

“Në këtë situatë kur shteti mik italian u përballë me pasojat shumë më të mëdha gjatë kësaj pandemie, vëmendja dhe qëndrimi pranë nesh në këtë kohë, e bën akoma më të afërt. Të jemi më falënderues që në këto kohë u gjetën pranë nesh dhe na ndihmuan vazhdimisht në këtë situatë, tha ai.

E u.d. ministri i Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike, Xhelal Sveçla tha se dezinfektimi i objekteve publike do të lehtësojë kthimin në vendet e punës të punëtorëve.

Sveçla: Po mendojmë rikthimin në normalitet

“Situata e re na sjell në gjendje të re, mendojmë për një rikthim në normalitet. Prandaj dua t’ju falënderoj për ndihmën e juaj. Për dezinfektimin e të gjitha objekteve të ministrisë, duke filluar prej zyrave të IPK-së, ndërtesave për regjistrimin e automjeteve dhe pajisjet me dokumente të qytetarëve. E cila përfundoi sot me Institutin për Transfuzion të Gjakut”, u shpreh ai.

Shteti italian edhe në fillim të pandemisë në muajin mars ka ndihmuar Kosovën me pajisje mbrojtëse.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat