Schallenberg: Marrëveshja e mundshme Kosovë-Serbi duhet të përputhet me ligjet ndërkombëtare

Aktuale

Schallenberg: Marrëveshja e mundshme Kosovë-Serbi duhet të përputhet me ligjet ndërkombëtare

Më: 28 maj 2020 Në ora: 16:33
Foto nga takimi

(E plotësuar) - Ministri për Evropë dhe Punë të Jashtme i Austrisë, Alexander Schallenberg pasditen e së e enjtes ka vizituar Kosovën. Ai gjatë qëndrimit rreth një orësh në aeroportin “Adem Jashari” theksoi se ndryshimi i kufijve është i vështirë në mundësitë e një marrëveshje finale ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Por shtoi se gjithçka varet nga palët e përfshira dhe vendimet finale do të merren nga vet zyrtarët e shteteve përkatëse.

Diplomati austriak në një konferencë për medie, pas takimit me homologun e tij kosovar, ministrin Glauk Konjufca tha se po i vështrojnë me kujdes zhvillimet e brendshme politike në Kosovë.

Schallenberg: Ndryshimi i kufijve është gjithmonë i vështirë

“Ne dëshirojmë që të ketë një marrëveshje finale mes Kosovës dhe Serbisë, mirëpo kjo nuk varet nga ne. Ndryshimet e kufijve janë gjithmonë të vështira, mirëpo pozita jonë, siç e thash edhe më herë çdo zgjidhje e miratuar nga palët që përputhet me ligjet ndërkombëtare dhe që shpije drejt një zgjidhje të pranueshme nuk do të jetë në Helsingi, apo Lisbon, por do te jenë njerëzit e Kosovës që do të vendosin për atë”, tha ai.

Sipas tij zgjidhja duhet të jetë brenda kornizës ligjore dhe kushtetuese të vendit.

Schallenberg: Po presim që zhvillimet të ndodhin brenda kornizës kushtetuese

“Ne si Austri do t’i vëzhgojmë dhe do të vazhdojmë të jemi me ju, do të presim që këto zhvillime të ndodhin brenda kornizës kushtetuese dhe në mënyrë demokratike”, tha ai.

Kryediplomati austriak në këtë vizitë në Kosovë ishte i shoqëruar edhe nga ministrja për Bashkimin Evropian dhe Kushtetutën e Austrisë, Karoline Edtstadler, e cila tha se është e rëndësishme që të fillojë procesi i liberalizimit të vizave për Kosovën.

Edtstadler: BE-ja duhet të fillojë procesin e liberalizimit të vizave

“Nga këndvështrimi i Bashkimit Evropian është me të vërtetë thelbësore të kesh një rajon të qëndrueshëm këtu dhe është e rëndësishme për të filluar procesin për liberalizimin e vizave, por edhe për të menduar për të ardhmen. Ajo se çfarë ndodhi në Mars gjatë krizës , Bashkimi Evropian tregoi aftësinë për të vepruar në procesin për pranimin e Maqedonisë Veriore dhe Shqipërisë u hap. Austria ishte gjithmonë një vend i cili dilte në shtetin tjetër anëtar të Bashkimit Evropian për ato që janë kritikë, që janë në mëdyshje në lidhje me procesin e pranimit të vendet e tjera, por ajo që na duhet sigurisht është mbështetja juaj, mbështetja e rajonit kur ne mund të tregojmë dhe të shohim diçka pozitive nga krizat”, tha ajo.

E ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca tha se kërkuan pikërisht ndihmën e Austrisë për liberalizimin e vizave.

Derisa theksoi se janë të gatshëm për dialogun përfundimtar me Serbinë, por pa e cenuar integritetin territorial dhe shtetësinë e Kosovës.

Konjufca: Kërkuam që të kemi mbështetjen e vazhdueshme

“Kërkuam që të kemi mbështetjen e vazhdueshme dhe kjo mbështetje nuk ka munguar kurrë sa i përket liberalizimit të vizave për Kosovën. Po ashtu shprehëm qëndrimin tonë për një gatishmëri për të pasur marrëdhënie të mira me të gjithë fqinjët tanë në rajon. Duke mos përjashtuar këtu as Serbinë, meqenenëse ne jemi të hapur për vazhdimin e dialogut me Serbinë, duke shpresuar dhe besuar në arritjen e një marrëveshje që e ka kuptimin eksplicit të njohjes dhe pavarësisë së Kosovës nga ana e Serbisë. Ne jemi të palëkundur në qëndrimin që çfarëdo zgjidhje që përfshinë marrëveshja me Serbinë nuk duhet të prek shtetësinë e Kosovës dhe integritetin territorial të Kosovës”, tha ai.

Krahas kësaj, ministri Konjufca tha se Kosova duhet të shkojë drejt zgjedhjeve të reja për të marrë legjitimitetin qytetarë.

Në këtë takim, shteti austriak ndau rreth gjysmë milioni euro për Kosovën si ndihmë për Covid 19.

***

Ministri në detyrë i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca, ka deklaruar se Kosova është e hapur për vazhdimin e dialogut me Serbinë.

Ai në një konferencë për media pas takimit me homologun e tij austriak Alexander Schallenberg ka thënë se marrëveshja finale me Serbinë nuk e prek shtetësinë dhe integritetin territorial të Kosovës.

“E informuam për zhvillimet në Kosovë, zhvillimet e brendshme dhe në rajon. Shprehëm qëndrimin tonë se ne jemi të përkushtuar drejt integrimit në BE. Ky është një drejtim pa dilema. Po ashtu kërkuam të kemi mbështetjen e Austrisë për liberalizim të vizave. Ne jemi të hapur për vazhdim të dialogut me Serbinë në një marrëveshje detyruese që nuk e prek shtetësinë e Kosovës dhe integritetin territorial tonë”, ka thënë Konjufca.

Ndërsa, ministri për Evropë dhe Punë të Jashtme i Austrisë, Alexander Schallenberg tha se duhet të ketë një bashkëpunim ndërkufitar dhe rajonal.

“Shpresoj që muajt e ardhshëm do të hapet një dritare dhe gjitha zhvillimet në Kosovë do t’i mbikëqyrim me kujdes”, tha ai.

Duke folur rreth mundësisë së një marrëveshje finale me Serbinë këtë vit, ministri austriak tha se ‘kjo nuk varet nga ne, por e mirëpresim’, teksa idenë për ndryshimin e kufijve e ka quajtur vështirë të pranueshme.

***

Ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca ka nisur takimin me delegacionin austriak të kryesuar nga ministri për Evropë dhe Punë të Jashtme, Alexander Schallenberg.

Pas takimit në aeroportin “Adem Jashari”, dy diplomatët do të mbajnë konferencë për medie.

Ndërsa, në këtë takim është edhe ministri i Integrimeve Evropiane, Blerim Reka.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat