Kujtim Gashi: PDK-ja s’e voton qeverinë e re, për bashkëpunim me VV-në është herët të flitet

Aktuale

Kujtim Gashi: PDK-ja s’e voton qeverinë e re, për bashkëpunim me VV-në është herët të flitet

Më: 29 maj 2020 Në ora: 21:52
Kujtim Gashi

Kujtim Gashi nga Partia Demokratike e Kosovës, theksoi edhe një herë se kjo parti s’do t’i jep votat për qeverinë e re në krye me Avdullah Hotin

“Nuk do ta votojmë këtë qeveri të LDK-së me partitë tjera, sepse nuk dallojnë nga njëra-tjetra e as nga qeverisja e kaluar”, u shpreh Gashi.

Deputeti Gashi shtoi se PDK-ja do të vazhdojë të jetë parti opozitare.

“Do të jemi opozitë dhe sa herë që kjo qeveri vepron në kundërshtim me interesat e qytetarëve do ta kritikojmë. Jemi të qartë, i kemi veprimet e qarta. Atë ditë që votohet qeveria Hoti PDK-ja do të votojë kundër. Më e mirë do të ishte të kishte zgjedhje, por ne do të respektojmë vendimin e Kushtetueses”, u shpreh Gashi në “Desku” të KTV-së.

Gashi tha se “VV-ja do t’i kthehet zanatit të vjetër, sepse është dëshmuar si opozitë”.

“Jemi të përgatitur për ta luajtur rolin opozitar. Sa i përket mundësisë së bashkëpunimit, në asnjë rrethanë s’kemi vënë vija të kuqe për subjekte parlamentare. Ishte VV-ja e disa parti që vendosën vija të kuqe dhe kjo ka dëmtuar mundësinë e bashkëpunimit”, u shpreh Gashi.

Sa i përket mundësisë së bashkëpunimit me Lëvizjen Vetëvendosje si parti opozitare, Gashi tha se është herët të flitet. “Është herët për mundësi të bashkëpunimit, të paktën për një periudhë. Por ndërkohë i shohim mundësitë”, tha ai.

Ndërkohë, Hajrulla Çeku tha se PDK-ja ishte arsyeja kryesore pse iu fut politikës. Ai tha se bashkëpunimi me PDK-në, nëse pyetet ai, nuk do të ndodhte kurrë.

“Ky është mendimi im, por nuk është koha të flitet për këtë çështje”, tha Çeku.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat