Ymeri: Gjykata ka shkuar përtej shqyrtimit të kushtetueshmërisë së dekretit të Thaçit për emërimin e Hotit për kryeministër

Aktuale

Ymeri: Gjykata ka shkuar përtej shqyrtimit të kushtetueshmërisë së dekretit të Thaçit për emërimin e Hotit për kryeministër

Më: 30 maj 2020 Në ora: 00:29
Visar Ymeri

Nënkryetari i PSD-së, Visar Ymeri, e ka quajtur të qëlluar vendimin e Gjykatës Kushtetuese, e cila dje erdhi në përfundim se dekreti i presidentit për nominimin e Avdullah Hotit për kryeministër, është në përputhje me Kushtetutën.

“Gjykata Kushtetuese, ka qenë mjaft kreative në arsyetimin që e ka bërë. Në bazë të materialit që e ka publikuar mbrëmë, goxha mirë e arsyeton vendimin e vet, të cilit i referohet vitit 2014”.

Ymeri ka thënë që megjithatë, Kushtetuesja me këtë vendim, ka tejkaluar kompetencat e veta.

“Ka shkuar përtej shqyrtimit të kushtetueshmërisë së dekretit të Thaçit për emërimin e Hotit për kryeministër. Mirëpo ka edhe mbështetje në rendin kushtetues, por në disa gjëra pak edhe e ka tejkaluar kompetencën e vet”.

Përkundër pakënaqësive që mund të ketë, Ymeri vlerëson se megjithatë Vetëvendosje duhet ta zbatojë vendimin e Kushtetueses.

“Edhe nëse nuk e pranon këtë aktgjykim, duhet ta zbatojë pasi s’ka rrugë tjetër. Është plotësisht legjitime që ata që janë të pakënaqur të protestojë kundër kësaj qeverie dhe të kërkojë zgjedhje”.

“Në parim protestat janë të mira, kur ka kërkesa të drejta dhe progresive. VV ka të drejtë ta manifestojë pakënaqësine e vet për vendimin e Gjykatës Kushtetuese”, është shprehur Ymeri.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat