​Instituti i krimeve të luftës do merret edhe me adresimin e krimeve

Aktuale

​Instituti i krimeve të luftës do merret edhe me adresimin e krimeve

Më: 31 maj 2020 Në ora: 15:10
Krimet serbe

Qeveria në detyrë e Kosovës po tenton që të krijojë Institutin e ri për hetimin e krimeve të luftë të kryera gjatë luftës së fundit në Kosovës. Zyrtarë që po merren me krijimin e këtij instituti, thonë se krejt kjo po bëhet me qëllim që të krijohet kujtesë kolektive në lidhje me luftën në Kosovës.

Kryesuesja e grupit punues, Furtuna Sheremeti tha se si grup punues do mundohet të përdorin praktikat më të mira me qëllim të dokumentimit të krimeve të kryera gjatë luftës.

Sheremeti tha se krahas dokumentimit dhe arkivimit të krimeve gjatë luftës, Instituti për Hulumtimin e krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë, do merret edhe me adresimin e krimeve.

Sheremeti: Instituti do merret me dokumentin e krimeve të kryera gjatë luftës dhe adresimin e krimeve të shkaktuara

“Kjo nënkupton edhe pasjen e një Instituti i cili do të merrej jo vetëm me dokumentin e krimeve të kryera gjatë luftës , por gjithashtu konsiderojmë se do të duhej të shkonim edhe një hap tutje dhe të merremi edhe me adresimin e këtyre krimeve kanë shkaktuar...Puna e këtij ekipi deri në shtator do të jetë e bazuar në marrjen e praktikave më të mira ,do të marrim materiale që veç janë bërë deri tash e kam thënë disa herë që jemi me fat që nuk do fillojmë punën nga zero për shkak se shoqëria civile ka bërë një punë të jashtëzakonshme në dokumentimin e krimeve...Do të mund të shërbente si një vend ku do të krijohet kujtesa kolektive dhe do të dinim sa ka sepse për momentin historia është e ndryshme varësisht se nga cili vend vjen, kështu që do ishte mirë që të kemi një kujtesë kolektive në lidhjen me luftën e fundit në Kosovë ”, tha ajo.

Sheremeti e cila është edhe këshilltare juridike e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti tha se përmes këtij Instituti do të duhet të shihet edhe qasje në drejtësi.

Sheremeti: Instituti t’i ndihmonte viktimave që të kenë qasje në drejtësi

“Kjo po bëhet për popullin, kjo po bëhet që të ofrojmë një mbyllje të viktimat e luftës sado modeste që të jetë ajo të formojmë një lloj satisfaksioni se çka ka ndodhur por edhe ne si shtet të kemi një databazë dhe të dinim se cilat krime kanë ndodhur, sa është dëmi që është shkaktuar, cili është dëmi sepse nuk flasim vetëm për çështjen e kompensimit dhe dëmit material e të gjitha këto...Do duhej të shohim pastaj edhe këtë çështjen e qasjes në drejtësi si realisht do ishte mënyra më e mirë që Instituti t’u ndihmonte viktimave që të kenë qasje në drejtësi, sepse edhe kjo është shumë e rëndësishme, nuk është vetëm çështja e reparacioneve është edhe qasja në drejtësi një prej parimeve që do bazohet puna e Institutit”, theksoi Sheremeti.

Lidhur me krijimin e instituti për hetimin e krimeve të luftë të kryera gjatë luftës ka folur edhe Shkëndije Hoda nga Shoqata për Krimet e Luftës “Gjakova 98-99”. Ajo thotë tha për KosovaPress, se nuk e di se përse po hapet ky institut ndonëse një i tillë është mbyllur më herët.

Hoda: Nuk e kam të qartë pse duhet të hapet një institut dhe përse është mbyllur instituti më herët

“Në fillim ne kemi pasur një Institut të Krimeve të Luftës në kuadër të ministrisë së Drejtësisë, dhe ne si shoqëri civile kemi bashkëpunuar shumë me atë institut, unë edhe sot nuk e kam të qartë se përse është mbyllur ai institut dhe pse po hapet prapë një institut tjetër por sido që të jetë ajo çka është e mirë për vendin dhe Kosovën është e mirë, gjithsesi që këta kriminel duhet të dënohen çoftë nëpërmjet ministrisë Haxhiu, ose shoqërisë civile kriminelët duhet ta paguajnë atë që ka ndodhur në Kosovë“, tha ajo.

Duke folur për punën e shoqatës, Hoda tha se nga themelimi e deri tani rreth 3 mijë lëndë i kanë dërguar si ankesa penale kundër kriminelëve të dyshuar serbë të kohës së luftës. Gjysma prej tyre janë dorëzuar në Prokurorinë Speciale, dhe pjesën tjetër në departamentin për krime lufte në Policinë e Kosovës.

Hoda tha se tashmë janë listuar disa prej atyre që kanë kryer krimet e luftës në Kosovës dhe se janë duke pritur që ata të hyjnë në Kosovë nga shteti serb dhe të veprojë më pas Policia e Kosovës.

Sipas saj, së shpejt do vazhdojnë me dorëzimin e shumë fotografive dhe listave të paramilitarëve serb e dokumente të forcave serbe që kanë vepruar në komunën e Gjakovës dhe të cilët kanë kryer krime në atë pjesë të Kosovës.

Hoda: Duhet të hyjnë personat që figurojnë në databazën e Policisë dhe të arrestohen

“Tashmë ne duhet të presim që vetëm të hyjnë personat që figurojnë në data bazat e Policisë të presin që të veprojnë Kosovës dhe të arrestohen njëherë për njëherë derisa nuk kanë gjurmë këndej kufirit nuk mund të flasim asgjë, por që janë të listuar është një numër shumë i madh...Ne kemi materiale që nga vitit 99’ flasim për periudhën kur forcat e ndryshme që kanë vepruar në komunën e Gjakovës i kanë lënë dokumentet e veprimeve të tyre ushtarake. Njëherë kemi filluar me padinë ndaj këtyre individëve ndërsa në fazën pas pandemisë sepse kemi pasur ngecje për këta dy muaj, do vazhdojmë të dërgojmë dokumente të cilat i kemi që forcat serbe që kanë operuar këtu i kanë lënë në komunën e Gjakovës do i dërgojmë edhe fotografitë që është një numër i madh, kemi lista të paramilitarëve që janë paguar me veprua këtu kemi lloj lloj dokumentesh që do ia parashtrojmë Policisë“, theksoi ajo.

Instituti i mëhershëm për hulumtimin e krimeve të luftës, të cilin gjithashtu e ka formuar Qeveria e Kosovës, nga viti 2011 u mbyllur nga ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri i cili e ktheu në departament që vepronte në kuadër të kësaj ministrie.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat