Ministrat e LDK-së mungojnë në mbledhjen e qeverisë, Albin Kurti ka një përgjigje për ta!

Aktuale

Ministrat e LDK-së mungojnë në mbledhjen e qeverisë, Albin Kurti ka një përgjigje për ta!

Më: 31 maj 2020 Në ora: 18:07
Albin Kurti

(E plotësuar) -  Kurti flet për mosprezencën e ministrave të LDK-së në mbledhjen e qeverisë

Mbledhja e Qeverisë në detyrë është mbajtur pa prezencën e ministrave nga radhët e LDK-së, parti kjo që ka marrë mandatin për formimin e Qeverisë së re, pas vendimit të Kushtetueses që i ka dhënë të drejtën dekretit të presidentit Hashim Thaçi për emrin e mandatarit Avdullah Hoti.

Kryeministri në detyrë Albin Kurti pas mbledhjes së Qeverisë ku munguan ministrat e LDK-së ka thënë se nuk e din arsyen e mos marrjes pjesë në mbledhje.

Duke mos komentuar më shumë, Kurti ka thënë se ministrat e LDK-së do të duhej të merrnin pjesë në mbledhjen e Qeverisë sepse së bashku kanë marr shumë vendime.

“Për besën, nuk e di pse nuk kanë ardhur. Është dashur të jenë dhe e kanë për detyrë të jenë. Në votimet që kemi mbajtur në mbledhjet online, ndonjëherë kanë votuar, ndonjëherë nuk kanë votuar”, është shprehur Kurti. 

Vitia: Nga nesër rikthehen në punë të gjithë zyrtarët në sektorin privat e publik!

 Ministri në detyrë i Shëndetësisë në një konferencë për media, pas mbledhjes së qeverisë, foli rreth masave të reja lehtësuese që do të hyn  në fuqi nga nesër.

Ai tha se Faza e III-të, po nis falë bashkëpunimit që kanë treguar qytetarët, derisa shtoi se falë këtij organizimi nga nesër do të hapen aktivitete, por që me kujdes të shtuar.

“Siç jeni njoftu që nga fillimi për rihapjen nga 4 maj, IKSHPK bashkë me MSH kanë bërë analiza të përditshme dhe pas rekomandimeve të fundit nga instituti, ato garantojnë se ekziston një rrezik i reduktuar për pandeminë dhe në bazë të tyre të rihapen disa aktivitete në Fazën e Tretë.

Mbrëmë disa nga ministritë, janë paraqit rekomandime të fundit që janë marrë edhe ato nga ministrisë përkatëse dhe më lejoni të shpreh që jam i lumtur që po e prezantojmë Fazën e Tretë nga nesër

Në këtë fazë kemi arrit si bashkëpunim i të gjithë veçmas qytetarëve që jemi falënderues.

Gjatë fazës së dytë kanë monitoru situatën dhe ka vlerësu që kushtet janë të mjaftueshme për hapjen e Fazës së Tretë ku kanë kontribut të gjithë.

Falë organizimit mund të vijohet se të gjitha palët në sektorin publik dhe privat do të nisin punën.

Hapen çerdhet e kopshtit 0-5 publike dhe private, kufijtë tokësor e pas një jave edhe atyre ajror.

Do të hapen sektori i gastronomisë do të hapen qendrat tregtare.

Do të kthehen në punë zyrtarët publik, barnatoret dhe do të nisin aktivitetin taksitë.

Të gjitha këto janë të mundshme vetëm me masa mbrojtëse nga IKSHPK”, tha Vitia.

Ai tutje shtoi se Kosova ka qenë ndër vendet më të rrezikuara në rajon që nga 13 marsi.

“Kishim në dispozicion specialistë të fushës dhe vendosmëri titanike deri këtu kemi arrit së bashku.

Mësuar e pësuam shumë, por e mbrojtëm Kosovën nga kolapsi publik.

E di që që për operatorët e shërbimeve higjiena s’është diçka e re, ja dolëm se s’vendosëm theksin tek ndëshkimi, por solidariteti.

Erdhëm bashkë deri këtu, ndaj sot bashkë me këto njoftime për normalitet të ri, theksojmë se rreziku s’ka kalu.

As barna e as vaksinë s’ka akoma sepse kërkuesit shkencor ende s’i kanë zbulu, por e dimë se rreziku mund ta organizojmë jetën me përvojën e krijuar”.

Vitia tregon se kur hapen kufijtë ajrorë, teksa përmend se cilët kufijtë tokësorë hapen nesër!

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia ka deklaruar se nesër hapen kufijtë tokësorë, por jo të gjithë.

Përpos kësaj, Vitia ka bërë të ditur se sa i përket hapjes së kufijve ajror, ka mbetur që në javën e ardhshme pas një analize tjetër të merret vendimi.

“Vendimi dhe rekomandimet e IKSHPK-së, pritet të merret në fundin e javës së ardhshme”, tha Vitia.

Vitia theksoi se kufijtë tokësorë të cilët do të hapen prej nesër janë: Merdare, Vërmicë, Hani i Elezit, Jarinje dhe Dheu i Bardhë.

“Këto masa do të vlejnë njësoj për të gjithë qytetarët dhe të gjithë ata që hyjnë në territorin e Kosovës, obligohen t’i nënshtrohen kontrolleve të ekipeve mjekësorë të QKMF-ve në pikat kufitare dhe ti respektojnë masat mbrojtëse. Të gjithë ata që hyjnë në Kosovë dhe posedojnë rezultate negative nga testimi nuk i nënshtrohen vetizolimit, por ata që nuk kanë rezultatet si këto në teste brenda 4 ditëve vetizolohen. Kjo masë do të vazhdojë deri më 20 qershor, ku do të bëhet edhe një rivlerësim i situatës dhe do të vlerësohen edhe hyrje-daljet në Kosovë”, tha Vitia.

***

Qeveria në detyrë e Kosovës ka vendosur masa të reja reciprociteti ndaj Serbisë.

Në një konferencë për media, kryeministri në detyrë Albin Kurti, ka sqaruar vendimin e tij.

“Nëse Serbia shton barrierat, ne do të kundërpërgjigjemi. Prej momentin kur është identifikuar masa, ajo është studiuar dhe analizuar, dhe nuk ka kurrfarë taktikash politike”, është shprehur Kurti duke iu përgjigjur interesimit të mediave nga Serbia nëse vendimi për masa të reja reciprociteti ka të bëjë me taktizim politik.

Ndryshe, sipas vendimit të ri të Qeverinë në detyrë, asnjë maune nga Serbia nuk mund të hyjë në Kosovë nëse në dokumente nuk është emri Republika e Kosovës.

***

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti është deklaruara para mediave pas përfundimit të mbledhjes.

Kurti deklaroi fakti që po heqin të gjitha këto masa, nuk do të thotë se duhet të heqim edhe kujdesin.

“Është e domosdoshme që të gjitha udhëzimet, këshillat e IKSHPK-së, të jenë të respektuara në plotni dhe gjithashtu t’i ndjekim me vëmendje vendimet e ardhshme të ministrisë së Shëndetësisë”, tha Kurti.

“Një ndër vendimet e rëndësishme është ai për lehtësimin e mëtutjeshëm të masave, në ballafaqimin me pandeminë COVID-19. Së pari i falënderohemi të gjithë qytetarëve të cilët kur këto masa ishin tejet rigoroze me një kulturë të jashtëzakonshme, e disiplinë që buronte nga ndërgjegjja njerëzore me një përmasë të pashembullt kanë respektuar të gjitha vendimet e qeverisë, përkatësisht ato të ministrisësë Shëndetësisë dhe këshillat e mjekëve të IKSHPK-së. Atëherë ishte koha kur ne kishim nevojë për masa rigoroze e disiplinë të skajshme, nga nesër mund të fillojmë me një hapje që s’është absolute dhe e plotë”, tha Kurti.

Vitia thotë se prej nesër rihapen çerdhet

Qeveria në detyrë ka miratuar propozimin e ministrit në detyrë të Shëndetësisë, Arben Vitia, për shfuqizimin e vendimit të Qeverisë për masat anti-Covid.

Vitia para kabinetit qeveritar ka propozuar që nga data 1 qershor të hapen çerdhet për moshat 0 deri në 5 vjeç.

Ai në mbledhjen e Qeverisë ka kërkuar të shfuqizohet vendimi i datës 26 mars.

I pari i MSH’së gjithashtu ka propozuar të bëhet rikthimi në shkolla nga data 15 qershor e deri më 30 qershor i nxënësve të klasave të nënta.

Vitia po ashtu tha se lejohet të organizohet edhe testi i maturës, ai i arritshmerisë, të lejohet organizimi i provimeve dhe lejimi i orëve praktike.

Deri më tani në Kosovë janë 1070 të infektuar me COVID-19, 841 janë shëruar dhe 30 kanë vdekur.

***

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti ka njoftuar se klasët e 9-ta dhe ato të 12-ta do të kthehen në bankat e shkollës.

Kurti ka treguar edhe datat kur këto dy klasë do të kthehen në shkollë për t’u përgatitur për testin e arritshmërisë dhe atë të maturës.

“Kthimi i klasve të nënta prej datës 8 qershor, ndërsa kthimi i klasëve të 12-ta prej datës 15 qershor”, ka deklaruar Kurti.

​***

Albin Kurti dhe Arben Vitia mbajnë konferencë për media.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat