Vendosë Kryesia: Seanca për votimin e Qeverisë “Hoti” mbahet të mërkurën në orën 11:00

Aktuale

Vendosë Kryesia: Seanca për votimin e Qeverisë “Hoti” mbahet të mërkurën në orën 11:00

Më: 2 qershor 2020 Në ora: 10:18
Kryesia e Kuvendit

(E plotësuar) - Të mërkurën do të mbahet seanca e jashtëzakonshme për votimin e qeverisë së re, në krye me Avdullah Hotin e LDK-së. Kështu vendosi sot kryesia e Kuvendit të Kosovës, pas kërkesës së 61 deputetëve. Shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Arben Gashi pas përfundimit të mbledhjes së kryesisë u shpreh i bindur se nesër do të votohet qeveria e re, pasi siç tha i kanë votat e mjaftueshme për një gjë të tillë.

Duke treguar që i kanë numrat për votimin e qeverisë, Gashi para gazetarëve tha se deputetët nuk duhet të konsiderohet si vota, pasi është në dorën e tyre si do të veprojnë në seancën e nesërme.

Gashi: Jemi të bindur se i kemi votat e mjaftueshme për të formuar qeverinë

“Ne jemi të bindur se i kemi votat e mjaftueshme për të formuar qeverinë...ne jemi të bindur që nuk do të dështojë dhe jemi të bindur se nesër do të kemi qeveri”,

Për mundësinë e pazareve politike në shkëmbim të votës për qeverinë Hoti dhe hezitimin e deputetit Haxhi Shala për të votuar qeverinë Hoti, Gashi tha se ato janë çështje të brendshme të partnerëve të koalicionit qeverisës.

Gashi: Është e padinjitetshme që deputetët të konsiderohen si vota

“Është e padinjitetshme që deputetët të konsiderohen si vota. Deputetët janë personalitet në veti dhe duhet të respektohen si të tillë. Nesër secili deputetë e ka mundësinë të jap vlerësimin e vet përmes diskutimit dhe në fund përmes votimit. Trajtimi i deputetit si votë po më duket e padinjitetshme”, tha ai.

I pyetur për mundësinë qe LDK-ja të votojë sërish për president, Hashim Thaçin, Gashi tha se një gjë e tillë nuk do të ndodh, derisa tha se partia e tyre do të jetë faktor në procesin e emërimit të presidentit, pas shtatë muajve.

Gashi: LDK-ja do të jetë faktor në procesin e emërimit të presidentit

“Normalisht është parti serioze, është partia më e madhe e koalicionit dhe normalisht do të jetë faktori kryesor në këtë proces”, tha ai.

Krahas kësaj, shefi i grupit parlamentar të LDK-së tha se gjitha marrëveshjet politike me partnerët e koalicionit qeverisës kanë përfunduar, sipas tij ditëve në vijim do të bëhen publike.

***

Kryesia e Kuvendit të Kosovës ka vendosur që seanca për votimin për Qeverinë Hoti do të mbahet të mërkurën në ora 11:00.

Ndryshe, shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi ka thënë se e kanë të garantuar formimin e qeverisë.

Ai ka shtuar se sot në mbledhjen e Kryesisë së LDK-së do të zyrtarizohen edhe emrat e ministrave nga ana e LDK-së.

***

Ka nisur mbledhja e kryesisë së Kuvendit të Kosovës ku do të vendoset data e mbajtjes së seancës për votimin e qeverisë Hoti.

Dje shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Arben Gashi dorëzoi kërkesën më 61 nënshkrime për seancë të jashtëzakonshme. Aty kërkohet që qeveria e re të votohet të mërkurën në orën 11:00.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat