Italia feston Ditën e Republikës, Orlando: Bashkë me Kosovën do të ringjallim ekonomitë tona

Aktuale

Italia feston Ditën e Republikës, Orlando: Bashkë me Kosovën do të ringjallim ekonomitë tona

Më: 2 qershor 2020 Në ora: 11:17
Nicola Orlando

Italia sot feston Ditën e Republikës dhe ambasadori i këtij vendi në Kosovë, Nicola Orlando, i është drejtuar të gjithë qytetarëve me një videomesazh. Ai tha se në shenjë respekti për viktimat e pandemisë, festimet e këtij momenti kaq të rëndësishëm për identitetin tonë kombëtar do të jenë të matura këtë vit.

Duke u ndalur te raportet mes dy vendeve, Orlando u shpreh se edhe në këto kohë të ëvshtira, Italia nuk i ndali ndihmat për Kosovën.

"Edhe në momentet më të vështira, Italia ka qëndruar përkrah Kosovës. Përmes Ambasadës e bashkëpunimit për zhvillim, forcave tona të armatosura, zyrtarëve tanë në organizatat ndërkombëtare dhe sipërmarrësve tanë i kemi shtrirë dorën popullit kosovar, duke kontribuar në reagimin efikas ndaj krizës shëndetësore. E kemi bërë me vetëdijen se fatet e popujve tanë janë gjithmonë të bashkuara në aspiratën për liri, barazinë e çdo qytetari para ligjit dhe demokracisë”, u shpreh Orlando.

Ai tha se në aspiratën e rrugëtimit të integrimit euro-atlantik në të cilën besojnë bindshëm dhe që duan të shohin të realizuar sa më shpejt, duke filluar me liberalizimin e vizave.

Duke folur për hapjen e kufijve të Italisë, Orlando u shpreh se tashmë fillon një fazë e re ku së bashku do të ringjallim ekonomitë e të dy vendeve.

“Nesër, në Itali dhe Kosovë, fillon një fazë e re në të cilën me entuziazëm dhe përgjegjësi do të rihapim vendet tona dhe do të ringjallim ekonomitë tona. Duke u bazuar në frymën e solidaritetit të treguar deri më sot, ne mund të dalim më të fortë dhe më të bashkuar se kurrë. Ne do të kthehemi për të festuar çdo ditë për vendin tonë dhe miqësinë vëllazërore që lidh Italinë me Kosovën. Gëzuar Ditën e Republikë”, përfundon Orlando.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat