Specialja pritet t’i ngritë mbi 100 aktakuza – Zhvillime dramatike mund të ndodhin pas pandemisë

Aktuale

Specialja pritet t’i ngritë mbi 100 aktakuza – Zhvillime dramatike mund të ndodhin pas pandemisë

Më: 5 qershor 2020 Në ora: 14:35
Specialja

Ndonëse deri më tani janë ngritur vetëm tri aktakuza ndaj ish-ushtarëve të UÇK-së nga Dhomat e Specializuara të Prokurorisë në Hagë, ky numër mund të shkojë deri në mbi 100.

Situata me pandeminë COVID-19, ka ndikuar që edhe Gjykata Speciale të ulë intensitetin e punës së saj.

Mirëpo, deri më tani në Dhomat e Specializuara janë deponuar tri aktakuza, dy në muajin shkurt dhe tjetra në muajin prill të këtij viti.

Nasim Haradinaj, nënkryetar i Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ka thënë se kohëve të fundit nuk ka pasur ndonjë ftesë të re.

“Deri më tani nuk e dimë që ka ardhur ndonjë ftesë. As nuk po presim sepse s’ka arsye me pas ftesë edhe ato që i kanë çua i kanë çua kot. Kështu që për ne janë të panevojshme. Ne nuk kemi ndonjë informatë. Neve na informojnë vetë klientët, ata që duan të na informojnë, kështu që ne nuk e kemi ndonjë lidhje me ata”, tregoi Haradinaj.

Sa i përket numrit të përgjithshëm të ftesave që kanë ardhur në Kosovë, Haradinaj thotë se janë rreth 250 sosh.

Ai shton se OVL e UÇK-së nuk kanë asnjë lloj komunikimi me zyrtarët e Speciales.

“I kanë përzier në të gjitha zonat dhe rreth 250 aty diku munden me qenë. Rreth 250 janë, por mbi 200 janë gjithqysh sepse te ne janë 170 ose 180 të konfirmuara me gojë klientët që na kanë treguar vetë, ndërkaq tjerat i kemi marrë përmes medieve. Nuk kemi ne ndonjë lajm që e mbajmë konfidencial apo diçka, përpos vetëm nëse duan të na tregojnë vetë klientët që i thirr Gjykata Speciale. Ne nuk merakosemi fort edhe nëse nuk na thirrin kurrë, veç mirë na vjen. Nuk ka ndonjë zhvillim të ri, përveç raportimeve që janë bërë deri më tani që janë duke u përgatitur aktakuzat, po ju referohem gjithmonë raportimeve në medie”, theksoi Haradinaj.

Në anën tjetër, avokati i licencuar nga Gjykata Speciale, Teki Bokshi, ka thënë se për shkak të pandemisë me COVID-19, edhe Gjykata Speciale e ka ndaluar tempon e punës.

Ai thotë se pas përfundimit të kësaj situate të krijuar nga koronavirusi, edhe Gjykata Speciale do t’i rikthehet punës dhe se vala e “nxehtë” e punës së saj mund të jetë pas përfundimit të pandemisë.

“Me të thënë të drejtën Gjykata Speciale e ka ndaluar tempon për shkak të koronavirusit sepse ata së paku ne nuk kemi ndonjë informacion të dorës së parë se deri ku ka ardhur puna. Është pritur me u vërshua ato, por sigurisht çështja e koronavirusit e ka ndalë këtë punë. Ma merr mendja që tash duhet të fillohet puna”, tha Bokshi.

Sipas avokatit Teki Bokshi, fillimisht është përfolur se mund të jenë rreth 200 aktakuza mirëpo, ai thotë se mbi 100 mund të jenë.

“Nuk pritet edhe shumë të ketë aktakuza ndonjë numër të madh. Fillimisht është folur përreth 100 ose 200. Mbi 100 aktakuza munden me qenë. Sigurisht sa të përfundojë kjo situatë me koronavirusin edhe Gjykata Speciale do t’i rikthehet punës sepse nëpër gjithë botën janë pezulluar gjërat edhe gjykatat tona e kanë ndaluar proceset dhe i kanë ngadalësuar”, theksoi Bokshi.

Ndryshe, më 3 gusht të vitit 2015, me 82 vota për, 5 kundër dhe një abstenim, deputetët e Kuvendit të Kosovës miratuan ndryshimet kushtetuese të cilat e mundësuan themelimin e Gjykatës Speciale për krime lufte. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat