Muhaxhiri: Vendimi i Hotit për dialogun është jashtëzakonisht i rëndësishëm, Kurti nuk e pati këtë guxim

Aktuale

Muhaxhiri: Vendimi i Hotit për dialogun është jashtëzakonisht i rëndësishëm, Kurti nuk e pati këtë guxim

Më: 5 qershor 2020 Në ora: 19:48
Artan Muhaxhiri

Analisti politik Artan Muhaxhiri, e ka cilësuar si jashtëzakonisht me rëndësi vendimin e Kryeministrit Avdullah Hoti për t’i prirë procesit të dialogut me Serbinë dhe këmbënguljen për të mos lejuar ndryshim të kufijve dhe shkëmbim të territoreve.

“Ky është një vendim jashtëzakonisht i rëndësishëm dhe duhet përgëzuar Kryeministri Avdullah Hoti. Është një vendim që është dashur ta marrë ish Kryeministri Albin Kurti.

Është vendim i guximshëm dhe vendim për t’i identifikuar vijat dhe binarët që mund të shkojë kjo Qeveri”, është shprehur Muhaxhiri.

“Ky vendim shkërmoq marrëzirat që janë theksuar për çështjen e dialogut pa pasë asnjë fakt, me fjalë kafenesh dhe spekulimesh. Është një vendim që do ta tregojë rrugën e Qeverisë. Është një guxim dhe çdo lëvizje do të dënohet nga opinioni dhe votuesit”.

Muhaxhiri në Info Magazine ka theksuar se Hoti ka bërë me dije se nëse dikush i kërkon ndryshim të kufirit ai do të tërhiqet nga pozita e kryeministrit.

“Hoti dhe kjo Qeveri e ka bërë me dije se cili është plani i tyre. Pranojnë të shkojnë në dialog me përkrahjen e SHBA-së dhe BE-së. Kurti është dashur ta bëjë këtë, por nuk pati guxim. Hoti nuk e ka marrë këtë vendim kokë më vete, besoj se është konsultuar me Mustafën dhe vendimmarrësit në LDK dhe partnerët e koalicionit”.

“Qëndrimi për mosndryshim të territoreve ka qenë qëndrim i 99 përqind të liderëve politikë kosovarë. Por ky është një vendim qeveritar sepse i paraprinë dialogut. Hoti kur nuk do të mund ta çojë përpara këtë ide do të largohet dhe vendi do të shkojë në zgjedhje. Kushdo që këkron ndryshim territoresh do të ketë një largim të Hotit”.

Sipas tij nuk duhet qenë frikësuese prezenca e Listës Serbe në Qeveri, ndonëse votat e saj janë të pakta.

“Lista Serbe është organizëm politik, strukturë politike e veçantë. Është paradoksale shumë pasive dhe ndonjëherë është shumë e rëndësishme – kalon nga një ekstrem në ekstremin tjetër. Mendoj se Hoti dhe LDK dhe Ambasada e SHBA-së dhe faktorët relevantë kanë një ide se deri ku mund të shkojë Lista Serbe. Do të jetë desktruktive, por nuk do të ketë autonomi në vendimmarrje”.

“Nuk duhet t’i frikësohemi kaq shumë Listës Serbe sepse nuk ka autonomi. Do të ishte frikësuese nëse do të kishte autonomi në vendimmarrje. Mund ta kushtëzojë Qeverinë mirëpo jo me prishje të Qeverisë. Nuk mendoj se do të ketë peshë të madhe në dialog”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat