​Shuarja e Ministrisë Integrimeve dhe bartja në zyrën e kryeministrit shihet si e dobishme

Aktuale

​Shuarja e Ministrisë Integrimeve dhe bartja në zyrën e kryeministrit shihet si e dobishme

Më: 6 qershor 2020 Në ora: 14:05

Shuarja e Ministrisë së Integrimeve nga ana e Qeverisë Hoti dhe bartja e saj në zyrën e kryeministrit po shihet si aspekt pozitiv në Kosovë. Realizimi i reformave evropiane konsiderohet se përshpejtohet më shumë kur është në kuadër të shefit të ekzekutivit, por dështimi ose suksesi i këtij veprimi do të matet me zbatimin e MSA-së dhe intensifikimin e luftës kundër korrupsionit.

Drejtori i Institutit “Epik”, Demush Shasha thotë për KosovaPress, se shuarja e MI-së nuk është mesazh negativ karshi BE-së, por shton se në Qeverinë Hoti duhet ketë një adresë politike, si njëri prej zëvendëskryeministrave të marrë përsipër integrimet evropiane.

Shasha: Suksesi ose dështimi i shuarjes së MI-së do të kuptohet në përkushtimin politik në reformat evropiane

“Nuk mund të themi që është mesazh negativ. Suksesin ose dështimin e shuarjes së Minsitrisë së Integrimit do e kuptojmë në nivelin e përkushtimit politik në reformat Evropiane. Me fjalë të tjera sa do të zbatohet marrëveshja e Stabilizim Asocimit, sa do të intensifikohet lufta kundër korrupsionit të nivelit të lartë. E kërkuar për procesin e liberalizimit të vizave dhe sa do të zbatohen dokumentet sikur agjenda Evropiane e reformave. Pra suksesi ose dështimi i MI-së do e matim me rezultatet në kuadër të këtyre procesve kyçe”, u shpreh Shasha.

Shuarjen e Ministrisë së Integrimeve e mirëpret edhe njohësi i kësaj fushe, Besnik Vasolli, e cila sipas tij, nuk është dashur as të krijohet.

Ai thotë se reformat evropiane më lehtë përshpejtohen kur ato centralizohen në zyrën e kryeministrit.

Vasolli: Adresa e saktë e procesit të integrimit është te zyra e kryeministrit

“Adresa e saktë e procesit të Integrimit është te zyra e kryeministrit. Në parim kjo ministri siç ka qenë nuk është dashur të krijohet as në fillim. Procesi i integrimit nuk është shtyllë vertikale, nuk është një proces i ndarë prej proceseve tjera. Procesi i integrimit duhet të shihet si pjesë përbërëse e krejt punës të qeverisë. Adresa më mirë edhe në këtë rast siç e kemi parë edhe prej shteteve të rajonit, kur është e vendosur në zyrën e kryeministrit”, thotë ai.

Por kundër një vendimi të tillë, u shpreh për KosovaPress, deputetja tashmë opozitare nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Fitore Pacolli, e cila thotë se është në interes të Kosovës që të ketë një ministri të veçantë për Integrime Evropiane.

Pacolli: Është në interesin e Kosovës që të ketë një ministri të veçantë për Integrime Evropiane

“Është konsideruar që kjo ministri është tejet e rëndësishme, për këtë arsye e kemi mbajtur si ministri. Kemi bërë modifikimin e ministrive tjera që kanë pasur mundësi të integrohen brenda, mirëpo nuk e kemi konsideruar se reduktimi i Ministrisë, duke e eliminuar komplet Ministrinë e Integrimeve do t’i japin më shumë hapësirë çështjes. Është në interesin e Kosovës që të ketë një ministri të veçantë për Integrime Evropiane që të punojë drejt reformave të caktuara. Mirëpo ne e shohim që kjo qeveri, nuk pritet ndonjë sukses, sido që luajnë këta me ministritë”, thotë ajo.

Ministria e Integrimeve Evropiane në Kosovë është themeluar në vitin 2010.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat