Hoxhaj: Kryeministri Hoti bëri mirë, masat e Kurtit ishin për manipulim opinioni - Bota Sot
Hoxhaj: Kryeministri Hoti bëri mirë, masat e Kurtit ishin për manipulim opinioni

Aktuale

Hoxhaj: Kryeministri Hoti bëri mirë, masat e Kurtit ishin për manipulim opinioni

Më: 6 qershor 2020 Në ora: 14:45
Enver Hoxhaj

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj, po e cilëson si veprim të duhur heqjen e masave të reciprocitetit nga Qeveria që po e drejton Avdullah Hoti i LDK’së.

Sipas ish-ministrit, Kurti i kishte vendosur ato masa për të manipuluar opinionin dhe për përfitime elektorale.

Sipas Hoxhajt, Kosova nuk ka përfituar asgjë nga reciprociteti, siç e quan ti, gjysmak dhe mashtrues.

“Kam qenë kundër reciprocitetit gjysmak të Albin Kurtit, të cilin e bëri për efekte elektorale. Sepse, Kosova nuk përfitoi asgjë prej tij, pos diskursit patetik të instaluar për gjoja mbrojtjen e Kosovës nga copëtimi.”, ka shkruar Hoxhaj në rrjetin social Facebook.

Ai ka thënë se ky lloj reciprociteti ka qenë veçse një mashtrim i radhës i Kurtit, pas kauzave të rrejshme me të cilat manipuloi opinionin e Kosovës në vazhdimësi.

“Reciprociteti gjysmak i tij jo vetëm që nuk i solli gjë Kosovës, por vetëm i acaroi raportet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, rrezikoi përkrahjen e SHBA-së për Kosovën dhe e bëri Serbinë të duket viktimë. “, ka shtruar ish-zv.kryeministri i Kosovës.

Tutje, ai ka lavdëruar vendimin e sotëm të Qeverisë Hoti, edhe pse ka thënë se ishte pjesë e asaj qeverie që dëmtoi Kosovën ndërkombëtarisht.

“Vendimi i sotëm i qeverisë Hoti është i duhuri dhe këtë duhet thënë publikisht. Pavarësisht se çka mendojmë për faktin se edhe z. Hoti ishte pjesë e asaj qeverie që dëmtoi ndërkombëtarisht Kosovën.”, ka thënë Hoxhaj.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat