Deliu: Taksa dhe reciprociteti u hoqën pa i sjellë asnjë dobi Kosovës - Bota Sot
Deliu: Taksa dhe reciprociteti u hoqën pa i sjellë asnjë dobi Kosovës

Aktuale

Deliu: Taksa dhe reciprociteti u hoqën pa i sjellë asnjë dobi Kosovës

Më: 6 qershor 2020 Në ora: 16:57
Blerta Deliu

Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu, ka komentuar vendimin e sotëm të qeverisë së Kosovës për heqjen e masave të reciprocitetit.

Ajo me anë të një postimi në Facebook, ka thënë se vendosja e tarifës dhe reciprocitetit ka pasur për qëllim demonstrimin e sovranitetit të Kosovës, dhe se sipas saj edhe heqja  e tyre e ka të njëjtin kuptim.

“Vendimi për aplikimin e masës tarifore dhe reciprocitetit ndaj Serbisë, ka përmbajtur një kontekst politik dhe kohor, gjithashtu. Vendimi riktheu dinamikën përfshirëse të SHBA-ve në zgjidhjen përfundimtare të konfliktit tonë me Serbinë dhe për herë të parë fushata serbe kundër njohjeve të Kosovës u pranua si një shqetësim ndërkombëtar dhe jo si një marrëdhënie e izoluar mes Kosovës e Serbisë”, ka thënë ajo.

Sipas Deliut, edhe tarifa edhe reciprociteti u hoqën pa e pasuar asnjë efekt dobiprurës për Kosovën.

Ky është postimi i plotë i Deliut në Facebook:

Vendosja e tarfifës dhe reciprocitetit qëllim parësor ka pasur demonstrimin e sovranitetit të Kosovës dhe sikurse vendosja dhe heqja e saj janë vendime sovrane të Kosovës. Çdo interpretim tjetër është manipulativ!

Vendimi për aplikimin e masës tarifore dhe reciprocitetit ndaj Serbisë, ka përmbajtur një kontekst politik dhe kohor, gjithashtu. Vendimi riktheu dinamikën përfshirëse të SHBA-ve në zgjidhjen përfundimtare të konfliktit tonë me Serbinë dhe për herë të parë fushata serbe kundër njohjeve të Kosovës u pranua si një shqetësim ndërkombëtar dhe jo si një marrëdhënie e izoluar mes Kosovës e Serbisë.

Nëse një vendim i caktuar projektohet për prodhimin e një efekti të caktuar politik ose një rrethane të re politike, atëherë mospërdorimi i tij në kulmin e këtij efekti rrezikon ta shndërrojë atë në një produkt të skaduar dhe paefektshëm, sikurse ndodhi gjithë këtë kohë me tarifën dhe reciprocitetin.

Duhet të kujtojmë se ishte PDK, përkatësisht kryetari Kadri Veseli, i cili e kuptoi drejt dhe e trajtoi pa kalkulime partiake çështjen e tarifës dhe reciprocitetit. Po të suspendohej tarifa dhe reciprociteti në kohën e propozimit të Veselit dhe njëkohësisht, në kulmin e efektit të tyre, ato do të mbeteshin si një shpatë mbi kokën e Serbisë, për faktin se edhe SHBA edhe BE kishin premtuar të respektonin rifuqizimin e tyre nëse brenda tre muajve Serbia nuk do t’i përmbushte premtimet e veta.

Sot, edhe tarfia edhe reciprociteti u hoqën pa e pasuar asnjë efekt dobiprurës për Kosovën dhe për më tepër, pa asnjë efekt kushtëzues për Serbinë (siç përmbante suspendimi në atë kohë) dhe pa asnjë përfitim ndërkombëtar siç mund të rezultonte në atë kohë.

Asgjë më tepër nuk ka demonstruar pasojat e politikave populiste sikurse rastet e humbura për të përfituar në rast të vendimeve të guximshme, të drejta dhe jo manipulative. Mungesa e lirisë së lëvzijes në Shengen për shkak të një kauze të sajuar dhe zhvleftësimi i masës tarifore dhe reciprocitetit deri në shterpësi, do të duhej të flisnin shumë për një shoqëri të vëmendshme.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat