Çfarë po ndodhë në Vërmicë pas lehtësimit të masave

Aktuale

Çfarë po ndodhë në Vërmicë pas lehtësimit të masave

Më: 8 qershor 2020 Në ora: 11:27
Vërmicë

Pas lehtësimit të masave për lëvizjen e qytetarëve në pikën kufitare në Vërmicë është parë një numër i madh i qytetarëve që po hynin në Kosovë.

Ndonëse shumë prej tyre nuk po respektonin masat mbrojtëse si mbajtja e maskave, ata vetëm iu nënshtruan kontrolleve mjekësore ku edhe iu morën të dhënat e tyre personale.

Mosrespektim të distancës pati edhe tek radha e qytetarëve që prisnin për t’u kontrolluar.

Andi Nilo thotë se ka pritur dy orë për të hyrë në Kosovë. Derisa tregon për kontrollet mjekësore të cilave iu nënshtrua, ai ankohet se nuk patë shenjëzime për mbajtje të distancës sociale që po rekomandohet si masë parandaluese ndaj COVID19.

Nilo: Nuk pati shenja për distancën

“Po matëm temperaturën, thanë mbajë distancën por nuk ka as shenja se sa duhet të rrimë. Kështu me fol gjithçka por me vepra asgjë nuk po bëhet...dy orë”, tha ky qytetar.

Nga Shqipëria drejt Kosovës sot kishte marr rrugë edhe Ermidon Agaj i cili thotë se nuk i frikësohet shtimit të rasteve të reja me koronavirus në Kosovë.

Agaj: Pati kolonë, por ia vlejti

“Pati pak (kolonë) po ia vlen... po u kontrolluam na i morën numrat e telefonit”, tregoi për procedurat në të cilat kaloi Agaj.

Ndriqim Ngadica sot me lehtësimin e masave ka zgjedhur të vijë për vizitë në Prizenin.

Ai thotë se kreu kontrollet mjekësore dhe konform kërkesave, dha të dhënat e tij personale.

Ngadica: Dua të shoh Prizrenin

“Vetëm me e pa sepse jetoj në kurbet, me pa Prizrenin e për t’u kthyer... dokumentet normale si kartën e identitetit, emrin, mbiemrin dhe u kontrolluam këtu”, tha ai.

Mbrëmë Qeveria e Kosovës ka lehtësuar masat për qarkullimin e qytetarëve dhe mallrave me shtetet e rajonit, për të cilat pati kufizime që nga 13 marsi kur u paraqitën rastet e para me COVID-19 në vendin tonë.

Po ashtu, nga sot qeveria vendosi që të heqë orarin e kufizimit të lëvizjes të qytetarëve nga ora 21:00 deri në orën 05:00.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat