Të pajisur me maska e doreza, nxënësit e klasave të nënta rifillojnë mësimin

Aktuale

Të pajisur me maska e doreza, nxënësit e klasave të nënta rifillojnë mësimin

Më: 8 qershor 2020 Në ora: 11:59
Foto ilustrim

Nxënësit e klasave të nënta të shkollës fillore “Naim Frashëri” në Prishtinë, sot janë rikthyer në bankat shkollore. Ata kanë filluar mësimin plotësues për dy javët e ardhshme si parapërgatitje për mbajtjen e testit të arritshmërisë.

Mësimdhënësit dhe nxënësit mësimin po e vijojnë të pajisur me maska e dorëza, ndërkohë që edhe distanca fizike në këtë shkollë ishte respektuar.

Kjo shkollë ka 6 paralele të klasës së nënta dhe sot mësimin e kanë vijuar vetëm tri paralele, kurse tri të tjera do ta vazhdojnë ditën e nesërme.

Drejtoresha e kësaj shkolle, Shqipe Vllasalija Mehmedi, tha se i kanë bërë të gjitha përgatitjet për rifillimin e procesit mësimor.

Ajo bëri të ditur se janë respektuar të gjitha rekomandimet për mbajtjen e mësimit dhe se po respektohet distanca fizike.

Mehmedi: Sot vijojnë mësimin vetëm tri nga gjashtë klasat e nënta

“Kemi filluar sot mësimin shtues me nxënësit e klasave të nënta, në bazë edhe të rekomandimeve dhe ndihmës që na është dhënë edhe nga DKA. Ne kemi një orar të caktuar sot dhe në bazë të menaxhimit të brendshëm sot vijojnë mësimin vetëm tri nga gjashtë klasat e nënta. Klasa është ndarë në dy pjesë, do të thotë gjysma e njërës klasë mban orën e parë në një lëndë tjetër, kurse gjysma tjetër me një mësimdhënës tjetër. Nxënësit janë pajisur me maska dhe doreza, gjithashtu ka qenë i vendosur edhe një tapet në të cilën nxënësit kanë dezinfektuar të mbathurat e tyre, kanë dezinfektuar duart, janë vendosur në klasë”, tha ajo.

Mehmedi u shpreh se edhe nxënësit kanë shprehur interesim për të vijuar mësimin, ku tha se nga tri paralele vetëm një nxënës sot ka munguar.

Fokus i mësimit, sipas saj, do të jenë lëndët në të cilat do të mbahet testi i arritshmërisë.

Mehmedi: Do të mbahet vetëm në ato lëndë në të cilat do të testohen nxënësit

“Meqenëse në bazë të udhëzimit ka edhe një ndryshim të testit të arritshmërisë, do të thotë nga 100 pikët e mëparshme tani do të jenë 80 pikë për nxënësit dhe do të mbahen lëndët edhe mësimi shtues do të mbahet vetëm në ato lëndë në të cilat do të testohen nxënësit. Është rekomanduar që të punohet në pjesën para pandemisë, do të thotë edhe detyrat do të jenë më shumë të fokusuara në pjesën derisa janë shkëputur nxënësit nga shkolla dhe kanë kaluar në mësimin në distancë”, tha ajo.

Në klasën 9/3 të shkollës “Naim Frashëri”, nxënësit po mbanin orë në lëndën e Gjeografisë. Mësimdhënësi i kësaj lënde Fatos Ferizaj tha se do të mundohen të përgatisin nxënësit për testin e arritshmërisë.

Ai tha se edhe nxënësit edhe ata po i respektojnë rekomandimet për parandalimin e përhapjes së pandemisë COVID-19.

Ferizaj: Do të fokusohemi më shumë që këta me i përgatitë për test

“Sot e kemi filluar mësimin dhe fëmijët kanë ardhur të gjithë iu kanë përgjigjur, ne i kemi bërë disa përgatitje edhe në hyrje atje të shkollës edhe brenda shkollës, po i shohim që edhe fëmijët kanë shprehur interesim.... Pikërisht duke e pasur parasysh që testi i arritshmërisë është me 23 qershor, në këto dy javë do të fokusohemi më shumë që këta me i përgatitë. Do të mundohemi edhe ju urojmë sukses sa më të mirë”, tha ai.

Ndonëse me maska e dorëza, nxënësit e kanë mirëpritur rifillimin e procesit mësimor.

Endrit Hasani nxënës në klasës 9/3 në shkollën “Naim Frashëri”, tha se këto orë plotësuese do t’i ndihmojnë për t’u përgatitur për testin e arritshmërisë.

Hasani: Na janë dashur këto orë për t’u plotësuar

“Sa i përket testit, puna e pandemisë nuk kemi mundur të mësojmë aq shumë dhe na janë dashur këto orë për t’u plotësuar dhe me e pas një sukses më të mirë. Normal që është testi vendimtar për neve dhe na vyejnë këto orë që të mësojmë pak më shumë, t’i përkujtojmë ato gjëra që i kemi mësuar”, tha ai.

Si mundësi për t’u përgatitur më shumë për testin orët plotësuese po i sheh edhe nxënësja Argjira Krasniqi.

Krasniqi: Orët plotësuese do të na ndihmojnë për testin e arritshmërisë

“Mendoj që orët plotësuese që janë duke u mbajtur në shkollë munden të na ndihmojnë deri në një pikë edhe pse është situatë e jashtëzakonshme shpresoj që të kalojmë mirë testin”, tha ajo.

Edhe nxënësi Jon Ajvazi, nxënës në klasës 9/2, tha se ndonëse në gjendje të jashtëzakonshme orët plotësuese do t’iu ndihmojnë që të përgatiten për testin.

Ajvazi: Do të na ndihmojë shumë në përgatitje për testin e arritshmërisë

Besoj që ky mësim plotësues do të na ndihmojë shumë, duke marrë parasysh edhe situatën në të cilën gjendemi... Besoj që do të na ndihmojë shumë në përgatitje për testin e arritshmërisë sepse e dimë që testi vetëm se na është afruar”, tha ai.

Me 13 mars, Qeveria e Kosovës kishte mbyllur shkollat si masë parandaluese për përhapjen e COVID-19, ndërsa me 23 mars ka filluar mësimi online.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat