Ky diplomat pritet të jetë ambasadori i ri i BE-së në Kosovë

Aktuale

Ky diplomat pritet të jetë ambasadori i ri i BE-së në Kosovë

Më: 8 qershor 2020 Në ora: 13:27
Foto ilustrim

Bashkimi Evropian do të përfaqësohet në Kosovë nga diplomati nga Çekia, Tomas Szunyog, i cili do të jetë pasardhës i Nataliya Apostolovës, si përfaqësues i posaçëm i BE-së në Prishtinë, mëson Radio Evropa e Lirë nga burimet diplomatike në Bruksel.

Szunyog është zëvendës i shefit të Përfaqësisë Çeke në BE dhe ambasador i këtij shteti në Komitetin për politikë dhe siguri në bllokun evropian. Ai në këtë post ka qenë që nga viti 2017, ndërsa pas ardhjes në Bruksel, ai ka qenë drejtor i departamentit për politikë dhe siguri të Ministrisë së Jashtme çeke.

Shefi i ardhshëm i Zyrës së BE-së në Prishtinë ka punuar edhe më parë në rajonin e Ballkanit Perëndimor, pasi ka shërbyer si ambasador i Çekisë në Bosnjë e Hercegovinë dhe në Slloveni.

Szunyog ka drejtuar edhe departamentin për Evropën Juglindore të Ministrisë së Jashtme çeke.

Posti i shefit të zyrës së BE-së në Kosovë është njëri prej posteve më të larta diplomatike, pasi ka statusin edhe të përfaqësuesit të posaçëm të tillë. Një status të tillë kanë vetëm diplomatët pa detyra specifike dhe ata diplomatë që merren me vende që konsiderohen më problematike.

Pasi të marrë detyrën në Prishtinë, Szunyog pritet të ketë bashkëpunim të ngushtë edhe me përfaqësuesin e posaçëm të BE-së për dialogun midis Kosovës dhe Serbisë, Mirosllav Lajçak.

Shefja e Zyrës së BE-së në Prishtinë, Nataliya Apostolova u zgjodh në këtë post më 2016./rel

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat