Ministri Zemaj tregon prioritetin kryesor, thotë se ka mbështetjen e kryeministrit Hoti

Aktuale

Ministri Zemaj tregon prioritetin kryesor, thotë se ka mbështetjen e kryeministrit Hoti

Nga: N. H Më: 9 qershor 2020 Në ora: 18:50
Armend Zemaj

Armend Zemaj ministri i ri i Shëndetësisë, përmes një shkrimi në Facebook, ka thënë se me qëllim të vlerësimit, koordinimit dhe mbajtjes së komunikimit konstant me institucionet përgjegjëse qeveritare për të vlerësuar situatën epidemiologjike me Covid-19, ka kryesuar sot një takim të Komitetit për menaxhimin e pandemisë Covid-19.

Ai thotë se prioritet kryesor do ta kenë luftimin e pandemisë Covid-19, krahas objektivave të tjera, pasi në tre ditë e fundit është përkthyer në 105 raste të reja të COVID-19 në Kosovë.

Me tej ai thotë se zyra e kryeministrit të Kosovës i ka ofruar mbështetje të plotë Komitetit që të vazhdojë me aktivitetet e tij, derisa do ta fuqizojë atë edhe përmes trupave këshillëdhënëse.

Ja shkrimi i Zemajt:

Me qëllim të vlerësimit, koordinimit dhe mbajtjes së komunikimit konstant me institucionet përgjegjëse qeveritare për të vlerësuar situatën epidemiologjike me Covid-19, kryesova një takim të Komitetit për menaxhimin e pandemisë Covid-19, ku përveç raportimit nga të gjitha institucionet, u kërkova që të vazhdohet me zbatimin e aktiviteteve të Planit të Veprimit të Planit të gatishmërisë dhe reagimit ndaj Covid -19, duke adaptuar një qasje të përshtatshme për rrethanat.

Prioritet kryesor do ta kemi luftimin e pandemisë Covid-19, krahas objektivave të tjera, në tre ditë e fundit është përkthyer në 105 raste të reja të COVID-19 në Kosovë, dhe kjo kërkon nga institucionet monitoruese dhe mbikëqyrëse për zbatimin e masave të Qeverisë (Policia e Kosovës dhe inspektoratet qendrore dhe komunale) që të jenë sa më të pranishme me inspektime në veprimtaritë e lejuara.

Rivlerësimi dhe vendimi për hapjen e veprimtarive të tjera si aeroportet, kufijtë, ahengjet, banjat rehabilituese, panairet, pishinat, klubet e natës, etj., duhet të shoqërohet me analiza të bazuara në indikator matës ku kontributin kryesor duhet ta jap IKSHPK, ashtu që secili vendim i marrë, të jetë i qëndrueshëm dhe në përputhje me situatën epidemiologjike.

Gjithashtu, Zyra e kryeministrit të Kosovës ofroi mbështetje të plotë Komitetit që të vazhdojë me aktivitetet e tij, derisa do ta fuqizojë atë edhe përmes trupave këshillëdhënëse, kurse përmes programit qeverisës është paraparë edhe përkrahja me resurse humane e monitorimit të zbatimit të manualit për veprimtaritë e liruara në kuadër të hapjes ekonomike dhe ato që do të hapen.

Prioriteti ynë do jetë luftimi i pandemisë covid 19, dhe këtë do e bëjmë së bashku me ju të dashur qytetarë!
Bashkë ia dalim.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat