Zyra e kryeministrit Hoti: Goran Rakiq nuk e ka hequr flamurin e Kosovës

Aktuale

Zyra e kryeministrit Hoti: Goran Rakiq nuk e ka hequr flamurin e Kosovës

Më: 10 qershor 2020 Në ora: 12:40
Avdullah Hoti

Zyra e Kryeministrit ka demantuar lajmin se zëvendëskryeministri dhe ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Goran Rakiq e ka hequr flamurin e Kosovës nga zyra e tij.Zyra e Hotit ka thënë se çështja e përdorimit të simboleve është e përcaktuar nga Protokolli i shtetit dhe secili zyrtar është i obliguar që ta respektojë atë.

“Zëvendëskryeministri Goran Rakiq nuk e ka hequr asnjë simbol të Kosovës, as flamurin, nga Zyra e tij. Çështja e përdorimit të simboleve është e përcaktuar nga Protokolli i shtetit, prandaj secili zyrtar është i obliguar t’i përmbahet këtij protokolli”, thuhet në përgjigje.

Nga zyra e Hotit sigurojnë se simbolet e Kosovës janë edhe në zyrën e Rakiqit.

“Sa i përket rastit të përfolur në media, ju sigurojmë se simbolet janë aty ku kanë qenë dhe nuk ka pasur asnjë heqje të tyre”, thuhet në përgjigjen e ZKM-së.Mediumi serb, B92 raportoi se Rakiq e ka hequr flamurin e Kosovës nga zyra e tij.

“Zëvendëskryeministri i Kosovës dhe Ministri i Administratës dhe Vetëqeverisjes Lokale, Goran Rakiq, hoqi nga kabineti i tij të ashtuquajturin flamur i Kosovës. Flamuri u përdor në takimet zyrtare nga paraardhësja i tij Emilja Rexhepi”, shkruante B92.

Sipas këtij mediumi, në dy takimet që Rakiq i pati me ambasadorin amerikan Philip Kosnett dhe përfaqësuesen e BE-së në Kosovë, Natalia Apostolova, nuk kishte simbole të Kosovës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat