Ismaili: Kurti s’mund të jetë lider i opozitës

Aktuale

Ismaili: Kurti s’mund të jetë lider i opozitës

Më: 10 qershor 2020 Në ora: 23:46
Uran Ismaili

Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Uran Ismaili, i ka quajtur qeveri të mashtrimit Qeverinë Kurti dhe Qeverinë Hoti.

Sipas tij, të dy këto qeveri të fundit “i kanë bërë dëme shumë Kosovës për kohë shumë të shkurtër”.

“Pamë që janë marrë me gjëra të parëndësishme për qytetarin, me tendencë për të dominuar njëri-tjetrin. Humbën shumicën. Tash kemi qeveri të re, vazhdimësi të atij qëndrimi pasi kishin deklaruar gjithnjë se në koalicion do të ishin vetëm me VV-në. E ndërruan. Për ne si PDK, kemi pa se jemi në situatë delikate, udhëkryq të madh, ku vullneti i qytetarëve bëhet vetëm lojë mashtrimi. Kemi konsideruar se është koha të paraqesim platformë për qytetarët e cila ruan tërësinë dhe sovranitetin e Kosovës dhe forcon raportet tona me SHBA-në dhe që merret edhe me brengat e qytetarëve”, ka thënë ai në Interaktiv të KTV-së duke komentuar prezantimin e “platformës së rimëkëmbjes” të PDK-së.

Ai ka thënë se qytetarët më nuk presin “luftë për mashtrim”, por duan të dëgjojnë “diçka që ka të bëjë me jetët e tyre”.

Ismaili ka vlerësuar se së fundmi janë lëkundur themelet e shtetit të Kosovës.

“Janë bë eksperimente qeveritare, nën petkun e mashtrimit të madh se po bëjnë për qytetarët, por është në dëm të qytetarëve. Pati tendencë të madhe për konfrontim jashtëzakonisht të madh me SHBA-në për çka PDK-ja kishte mbajtur edhe seancë të jashtëzakonshme duke ngritur flamurin si sugjerim se po shkojmë në rrugë jo të dobishme për qytetarët. Ndoshta për një njeri po, por jo për qytetarët. Ruajtja e partneritetit strategjik është i shtetit të Kosovës jo partive. Konflikti s’u ndal, por vetëm u thellua. Pamë sinonime të ndryshme që i vinin administratës amerikane nga ish-kryeministri Kurti”, ka vazhduar Ismaili.

Sipas tij, PDK-ja ka reflektuar si opozitë pasi humbi në zgjedhjet e 6 tetorit, teksa e ka vlerësuar këtë parti si më të zëshmen në opozitë.

Ai ka thënë se lider i opozitës nuk mund të jetë kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, pasi “ai është më shumë rrezik për Kosovën sesa lider i opozitës”.

“Kemi reflektuar si parti opozitare, po bëjmë punën tonë si partia më e zëshme, mirë që në demokraci ka parti të zëshme. Ne mendojmë se lider i opozitës do të jetë ai që arrin të artikulojë më së miri nevojat e qytetarëve, brengat, dhe paraqet rreziqet. Kurti është rrezik për Kosovën më shumë se lider i opozitës”, ka shtuar Ismaili.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat