Përfundon seanca mes akuzash e përplasjesh, s’ka konsensus për marrëveshjet ndërkombëtare

Aktuale

Përfundon seanca mes akuzash e përplasjesh, s’ka konsensus për marrëveshjet ndërkombëtare

Më: 11 qershor 2020 Në ora: 07:51

(E plotësuar) - Seanca e Kuvendit të Kosovës ka përfunduar pa konsensus rreth shqyrtimit dhe miratimit të marrëveshjeve ndërkombëtare, me të cilat përfitonte Kosova.

Në vazhdimin e seancës ishte paraparë shqyrtimi i projektligjit për ratifikimin e marrëveshjes për financim ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim për projektin e fuqizimit të sektorit financiar, projektligjit për ratifikimin e marrëveshjes për hua ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim për Projektin e zhvillimit të ujërave të zeza në Gjilan, projektligjit për ratifikimin e marrëveshjes për financimin e projektit për kadastër të patundshmërisë dhe infrastrukturë gjeohapësinore ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim, projektligjit për ratifikimin e marrëveshjes ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Republikës së Kosovës mbi pjesëmarrjen e Kosovës në Programin e Bashkimit “Dogana 2020”, projektligjit për ratifikimin e marrëveshjes ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Republikës së Kosovës mbi pjesëmarrjen e Kosovës në Programin e Bashkimit “Fiskalis 2020”, si dhe shqyrtimi i raportit vjetor financiar të Buxhetit të Republikës së Kosovës për vitin 2019.

Shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Arben Gashi akuzoi VV-në që këto marrëveshje ndërkombëtare janë dërguar në Kuvend nga Qeveria Kurti, por nuk po përkrahen nga deputetët e këtij subjekti politik.

Grupi parlamentar 6+ i bashkohet Kuvendit

Në seancën e sotme plenare të Kuvendi të Kosovës, është miratuar kërkesa e grupit parlamentar 6+ që t’i bashkohet Kuvendit.

Kërkesa u miratua me 88 vota pro.

Në grup u rikthye deputetja boshnjake, Duda Balje.

Kuvendi dështon të ratifikojë pesë marrëveshjet ndërkombëtare

Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë vazhduar seancën plenare gjatë të enjtes. Por pesë marrëveshjet ndërkombëtare që pritej t’i sjellin vendit miliona euro dështuan të ratifikohen nga të zgjedhurit e popullit. Dy partitë opozitare, LVV-ja dhe PDK-ja nuk votuan fare, duke pamundësuar shmangien proceduriale për këto projektligje.

Kryesuesja e seancës, Arbërie Nagavci tha se votën e dy të tretave të deputetëve nuk mund të procedohet tutje për pikat tjera të rendit të ditës.

Nagavci: Për të vazhduar me pikat e tjera duhet vazhduar me të njëjtën procedurë

“Për të vazhduar me pikat e tjera duhet vazhduar me të njëjtën procedurë votimit për shmangien nga rregullorja. Duhet të bërë me 2 e të pranishmëve të deputetëve”, tha ajo.

Marrëveshjet ndërkombëtare që dështuan të miratoheshin janë shqyrtimi i Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes për financim ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim për Projektin e Fuqizimit të Sektorit Financiar. Shqyrtimi i Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes për Hua ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim për Projektin e Zhvillimit të Ujërave të Zeza në Gjilan. Shqyrtimi i Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes për Financimin e Projektit për Kadastër të Patundshmërisë dhe Infrastrukturë Gjeohapësinore ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim. Shqyrtimi i Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Republikës së Kosovës mbi Pjesëmarrjen e Kosovës në Programin e Bashkimit ‘Dogana 2020’. Shqyrtimi i Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Republikës së Kosovës mbi Pjesëmarrjen e Kosovës në Programin e Bashkimit “Fiskalis 2020”.

***

Kuvendi i Kosovës po vazhdon seancën plenare, ku do të shqyrtohen pesë projektligje për ratifikimin e marrëveshjeve ndërkombëtare dhe raporti vjetor financiar të buxhetit të Republikës së Kosovës për vitin 2019.

Kalon propozimi i Qeverisë në parlament, nuk rrezikohen pagat e sektorit publik

Kalon propozimi i qeverisë për tejkalimin e përkohshëm të rregullave fiskale të deficitit ,nuk rrezikohen pagat e sektorit publik.

Me 59 vota për, 41 kundër ka kaluar propozimi  i qeverisë për shqyrtimit e vendimit për ndryshimin dhe tejkalimin e përkohshëm të rregullave fiskale të deficitit, si dhe kufizimit të bilancit bankar të përdorshëm.

Para këtij vendimi u bë një diskutim i gjatë në mes të deputetëve, dhe në një rast ministrja e Financave Hykmete Bajrami ka paralajmëruar se në rast të mos votimit të këtij tejkalimi rrezikoheshin të uleshin pagat në sektorin publik.

***

Për simbole shtetërore në zyrat e Qeverisë pati përplasje sot në Kuvendin e Kosovës mes zëvendës kryeministres Albulena Balaj dhe shefit të Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje Rexhep Selimi.

Zëvendëskryeministrja Balaj fillimisht theksoi se kur mori postin në qeveri në zyre nuk gjeti flamurin dhe Deklaratën e Pavarësisë.

Ajo tha se kur ka hyrë në zyrën pasi mori postin, nuk ka gjetur flamuj të Kosovës e as Deklaratën e Pavarësisë.

Balaj: Në zyrën time dikush i ka hequr simbolet

“Kur kam hyrë në zyrën time në qeveri nuk ka pasur flamur as deklaratë të pavarësisë, sepse ato dikush i ka hequr. Prandaj, për të mos bërë shpenzime të panevojshme në ditët e para, ne po presim që administrata t’i plotësojë me këto. Nuk dua të arsyetoj askënd, por unë po them që i ka hequr dikush nga zyrat”, tha Balaj.

Edhe deputeti i PDK-së, Memli Krasniqi ka komentuar deklaratën e zëvendëskryeministres për simbolet, i cili kërkoi nga Balaj të sqarohet se për cilat zyre bëhet fjalë.

Krasniqi theksoi se kushdo që i ka hequr simbolet e Kosovës duhet të jetë i turpëruar dhe i dënuar si rast nga secili njeri që e ndien veten qytetar të këtij vendi.

Krasniqi: Heqja e simboleve shtetërore është shqetësuese

“Deklarata e zonjës zëvendëskryeministre ishte shumë shqetësuese, numri dy i qeverisë. Do të thotë ju thatë që kur keni shkuar në zyrë, normal pa pranim-dorëzim, ju s’keni gjetur as flamurin e Kosovës, as Deklaratën e Pavarësisë së Kosovës. Nuk e specifikuat një gjë, në zyrën të cilit ish-zëvendës kryeministër ke shkuar? Kjo është me rëndësi. Pra, a ke shkuar në zyrën që e ka pasur Avdullah Hoti apo në zyrën që e ka pasur Haki Abazi? Është me rëndësi të na tregoni cilën zyrë e keni parë të zhveshur prej simboleve shtetërore, sepse zyrat e Kryeministrisë nuk janë OJQ. Bile edhe OJQ-të është mirë të mbajnë Deklaratën e Pavarësisë dhe flamurin e Kosovës, por në institucionet shtetërore është obligim”, tha Krasniqi.

Balaj theksoi se nuk e di kush i ka hequr simbolet, por ka informacione se janë nga kabineti i ish-kryeministrit Kurti.

Balaj: Nuk e di kush ka qenë në zyrë, por e di që ka qenë e zhveshur nga simbolet

“Në zyrë nuk jam e sigurt kush ka qenë, por e di se nuk ka pasur asgjë. Kam informacione që atë zyre ku jam unë e ka shfrytëzuar kabineti i Kurtit për punë të tyre. Pra, kam informacione që e kanë shfrytëzuar ata, por duhet ta thotë dikush tjetër derisa ne ta kemi të vërtetën. Është shumë shqetësuese që përveç nuk kanë qenë ato simbole, ka pasur një tollovi dhe një parregullsi në zyrë dhe besoj në shumicën e tyre. Normalisht, të nesërmen kabineti im e ka vendosur flamurin. Ende kam mbetur pa Deklaratën e Pavarësisë se nuk e di ku e kanë dërguar nga ajo zyrë. Kështu që kjo është e vërteta, nuk po e mbroj dhe nuk po e sulmoj askënd”, tha Balaj.

Në emër të Grupit Parlamentar të VV-së, Rexhep Selimi ka reaguar ndaj deklaratave të zëvendës kryeministres Balaj, i cili tha se janë të pavërteta. Ai tha se ndoshta nuk e dinë se në cilën zyrë ka shkuar Balaj, teksa shtoi se këto janë shpifje.

Deputeti Selmi tha se në paraqitjet publike të të gjithë zyrtarëve të qeverisë Kurti, asnjë herë nuk kanë munguar dhe nuk janë larguar simbolet shtetërore.

Sipas tij, i vetmi ndryshim që ka ndodhë në gjithë atë dekor, është shtuar edhe portreti i Skënderbeut.

Selimi: Jeni duke e tepruar me shpifje

“Kolegë të nderuar, jeni duke e tepruar me të pavërteta. Ngritin situata, sajoni situata, jo kështu ka qenë zyra, jo me kenë u takua filani, me kon s’u takua filani. Jo zëvendëskryeministri u takua me dikë, flisni çka keni të gjitha faktet nxjerrin hapur, mos bëni kështu. Jeni duke dashur të thoni edhe ne jemi si ju, që edhe ne takohemi me përfaqësues të Serbisë. Flisni çka keni, se jeni duke e tepruar me shpifje. Kjo është e tepërt. Nëse ke diçka për Haki Abazin, thuaje me kë është takuar dhe kur është takuar. Nëse keni diçka për simbolet, nxirrni fotografi apo s’i keni parë kurrë zyrtarë e Qeverisë Kurti kur kanë dalë në konferenca. Unë kam qenë në ato objekte dhe po ju them asnjë zyrë nuk e kam hasur pa flamur dhe pa simbole të shtetit të Kosovës. Unë po kuptoj që s’po keni tema tjera, por mos e mbushin zbrazëtinë tuaj me tema boshe dhe me të pavërteta”, pohoi Selimi.

Ndërsa, në seancë është duke u zhvilluar debati për tejkalimin e përkohshëm të rregullit fiskal, me propozim-vendim nga Qeveria Hoti.

***

Deputetët e Kuvendit të Kosovës sot janë mbledhur për të diskutuar dhe votuar një numër të madh projektligjesh. Por menaxhimi i seancën nga nënkryetarja Arbërie Nagavci mori kritika nga grupet parlamentare të PDK-së dhe LDK-së.

Deputetët e këtyre partive akuzuan Nagavcin se po i bën ‘diskriminim pozitiv’ deputetit të Vetëvendosjes, Hekuran Murati.

Shefi i Grupit parlamentar të PDK-së, Bedri Hamza i kërkoi Nagavcit të udhëheqë seancën në përputhje me rregulloren.

Hamza: Mos bëni as diskriminim pozitiv, e as negativ

“Zonja nënkryetare, kur të udhëheqësh seancën udhëhiqe në përputhje me rregulloren. Mos bëni as diskriminim pozitiv, e as negativ”, tha ai.

Kritika nënkryetares të LVV-së i dha edhe shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Arben Gashi.

Gashi: Mënyra qysh e ka menaxhuar Nagavci është gabim

“Mënyra qysh e ka menaxhuar zonja Nagavci besoj që është gabim, por shpresoj që është pa qëllim”, tha ai.

Këtyre akuzave iu ka kundërpërgjigjur nënkryetarja Nagavci, e cila tha se seancën po e drejton me saktësi dhe përpikëri.

Nagavci: Seanca po udhëhiqet me përpikëri

“Në momentin që e udhëheq seancën, unë e interpretoj rregulloren me saktësi dhe përpikëri”, tha ai.

PDK nuk mbështet propozim-vendimin e Qeverisë Hoti për ndryshim të deficitit buxhetor

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) në seancën e sotme plenare të Kuvendit të Kosovës, ka bërë të ditur se nuk do të përkrahë propozim vendimin e Qeverisë Hoti për ndryshim dhe tejkalimin e deficitit buxhetor.

Shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Bedri Hamza duke arsyetuar mos përkrahjen e këtij vendimi tha se nuk do të bëhen pjesë e shkeljeve ligjore.

Ai po ashtu tha se ka paqartësi se për çka do të përdoret rritja e deficitit prej 4.2 për qind në buxhet.

Hamza: Përmes këtij propozimi po dëshironi t’i mbuloni minuset

“Dy për qind është brenda projeksioneve aktuale të buxhetit, po kërkoni një rritje prej 4.2 për qind. Për çka dëshironi me përdor atë deficit? A i keni shpjeguar deputetëve dhe opinionit se cili do të jetë destinacioni apo përdorimi final i këtyre fondeve? A do të jetë për t’i mbuluar minusin te pjesa e të hyrave ku sigurisht edhe qeveria e kaluar dhe aktuale do të përdorin pandeminë si arsye për dështimet e veta. E dimë që ka pasur efekt, por a do të përdorni për të mbuluar mungesën e të hyrave që do të jetë mbi 200 milionë euro? A do të jetë për të mbuluar minuset e krijuara brenda buxhetit? Keni krijuar minuse edhe te pagat edhe te pensionet edhe në shumë pozicione. Është mirë qe edhe kur është qëllimi i mirë të bëhet me ligj”, tha ai.

Qeveria Hoti në mbledhjen e javës së kaluar i ka kërkuar Kuvendit të Kosovës të votojë për ndryshim dhe tejkalim të deficitit buxhetor.

Grupet parlamentare të partive në pushtet mbështesin propozimin për ndryshim të deficitit buxhetor

Në seancën e sotme plenare, tri grupet parlamentare të partive në pushtet i kanë dhënë mbështetje propozim-vendimit të ekzekutivit për ndryshim dhe tejkalim të deficitit buxhetor.

LDK-ja, AAK-ja dhe Nisma kërkuan ky propozim të merr përkrahje nga deputetët në mënyrë që të implementohet pakoja emergjente fiskale.

Deputeti i LDK-së, Shkëlzen Hajdini dha arsyet pse duhet votohet ky tejkalim i deficitit buxhetor.

Hajdini: I japim mbështetje të plotë propozimi-vendim të qeverisë

“Në emër të grupit parlamentar i japim mbështetje të plotë propozimi-vendimit të qeverisë për tejkalim të rregullës fiskale për deficitin buxhetor në përqindje prej 6.5 për qind. E uljen e bilancit bankar të përdorshëm në 2 për qind. Kjo në mënyrë t’i mundësohet t’i ofrojë ekonomisë rimëkëmbje, sektorit privat një mbështetje. Jemi dëshmitar të një ndikimi të madh në ekonomi, një ndikim negativ të pandemisë Covid-19 në sektorin privat”, tha ai.

Ndërkaq, deputeti i AAK-së, Gazmend Abrashi adresoi kritika ndaj deputetëve të LVV-së se pse të njëjtin projekt kur ishte Albin Kurti i jepnin përkrahje, ndërsa tash po e stopojnë.

Abrashi: Nuk po i kuptoj deputetët e LVV-së

“Nuk i kuptoj deputetët e LVV-së që një projekt që e kanë shtyrë vetë këta, e në momentin kur qeveria aktuale ka marrë përsipër për të implementuar të njëjtën nuk e përkrahin”, u shpreh ai.

E deputeti i Nismës, Endrit Shala tregoi arsyet pse duhet votuar ky propozim-vendim.

Shala: T’i mundësojmë qeverisë t’i jep përkrahje ekonomisë

“Me qëllim që ne si deputetë t’i mundësojmë qeverisë implementimin e pakos emergjente. Implementimin për përkrahje ekonomike të situatës së krijuar. Pastaj që qeveria e re të fillojë me procedurat e rishikimit të Ligjit për Buxhetit ne si grup parlamentar i japim përkrahje këtij vendimi të qeverisë”, tha ai.

Qeveria Hoti në mbledhjen e javës së kaluar i ka kërkuar Kuvendit të Kosovës të votojë për ndryshim dhe tejkalim të deficitit buxhetor.

***

Kryetari i Komisionit për Buxhet dhe Financa, Hekuran Murati u ka kërkuar deputetëve të mos votojnë propozim-vendimin e qeverisë për ndryshimin dhe tejkalimin e përkohshëm të rregullave fiskale të deficitit buxhetor. Pasi i njëjti sipas tij nuk ka kaluar në komisionin që i mbikëqyrë financat e shtetit.

Murati në seancën plenare që po mbahet të enjten tha se shuma prej 250 milionë euro në rritjen e deficitit nuk janë të justifikueshme.

Murati: I rekomandohet Kuvendit të mos votojë propozim-vendimin e qeverisë

Image
Hekuran Murati

“Kemi ardhur në përfundim si komision që kërkesa nuk është e bazuar dhe justifikuar mjaftueshëm për të justifikuar rritjen e deficitit në vlerë 6.5 përqind. E në shifra përkthehet 485 milionë euro, marrë parasysh që ndikimi I deritanishëm i pandemisë në të hyrat buxhetore ka qenë vetëm 85 milionë euro. Pra kemi të bëjmë me 400 milionë euro shtesë kërkesë prej të cilave rreth 150 milionë euro veçse kanë qenë, lejohen dhe shuma tjetër prej 250 milionë euro nuk ka qenë e justifikuar. Si rrjedhojë komisioni e ka hedhur në votimin dhe propozim vendimi nuk e ka marrë votat e mjaftueshme. Andaj I rekomandohet kuvendit të mos votojë këtë propozim vendim”, tha ai

Ndërkaq, ministrja e Financave, Hykmete Barjami në reagimi ne saj karshi kryetarit të komisionit, tha se një propozim-vendim i tillë ka qenë edhe tek qeveria Kurti.

Ajo theksoi se nëse dëshirohet të implementohet pako emergjente duhet lejuar të bëhet ky tejkalim dhe ndryshim i deficitit buxhetor.

Bajrami: Një propozim-vendim të tillë e ka sjell edhe qeveria Kurti

“Një vendim, propozim-vendim i tillë e ka sjell edhe qeveria Kurti. Ju e dini që pako emergjente fiskale nuk është implementuar në tërësi, pikërisht në mungesë të financave. Nuk kanë qenë të planifikuar në buxhet për menaxhimin e pandemisë”, tha ajo. 

***

Ministrja e Financave dhe Transfereve, Hykmete Bajrami tha deri në fund të muajit maj të hyrat totale kanë qenë për rreth 128 milionë më pak sesa që ishin planifikuar në buxhetin 2020, duke shënuar kështu rënie vjetore prej 14.5 për qind.

Sipas saj deri në fund të vitit të hyrat e rregullta të nënperformojnë rreth 230 milionë euro në raport me të hyrat e buxhetit 2020

Bajrami: Deri në fund të muajit maj ka rënie të hyrave për 14.5 për qind

“Të hyrat buxhetore veç janë ndikuar dukshëm gjatë periudhës maj qershor 2010 dhe pritet që ndikimi negativ të vazhdoj edhe në muajt në vijim, deri në fund të muajit maj të hyrat totale kanë qenë përreth 128 milionë e më pak sesa që ishin planifikuar në buxhetin 2020, duke shënuar rënie vjetore prej 14.5 për qind. Sipas draft projeksioneve të fundit të ministrisë së Financave parashihet që deri në fund të vitit të hyrat e rregullta të nënperformojnë rreth 230 milionë euro në raport me të hyrat e buxhetit 2020. Ndërkohë që FMN insiston që ne do të kemi një nënperformancë rreth 300 milionë euro për të qartësuar tutje edhe pse ne që në muajt në fillim të hyrat të rriten në raport me tre muajt e fundit rritja nuk do jetë assesi rritja që ishte projektuar në fillim të vitit 2020. Në krahasim me parashikimet fillestare për vitin 2020 ne presim që edhe në muajt në vazhdim të kemi një nënperformancë çka do të bëjë që diferenca që është në projeksionet buxhetore të rritet në muajt në vijim për të shënuar një total në minutë prej 230 milionë“, tha ajo.

Tutje ministrja e Financave tha se për shpenzime buxhetore që lidhen direkt me COVID-19 përgjatë vitit 2020 pritet të jenë 180 milionë euro.

Bajrami: Të hyrat buxhetore dhe tatimore mund të ndikohen me një rënie 13 për qind

“Brenda të hyrave buxhetore dhe tatimore priten të ndikohen më së shumti me një rënie prej 13 për qind krahasuar me vitin 2020 të pasuar kjo nga rënia e të hyrave jo tatimore. I vetmi zë buxhetor që pritet të ketë rritje janë grantet për mbështetje buxhetore duke u rritur nga 11 milionë në 34 milionë. Në anën tjetër shpenzime buxhetore që lidhet direkt me COVID përgjatë vitit 2020 pritet përafërsisht të jenë rreth 180 milionë euro. Kjo shumë lidhet me financimit e pakos fiskale emergjente të miratuar nga qeveria e kaluar, por nuk përfshinë shpenzimet që lidhen me financimin e rimëkëmbjes ekonomike e cila është pjesë e programit tani më të aprovuar në qeverinë Hoti. Rrjedhimisht vlerësimet aktuale të ndikimit të pandemisë në të hyra dhe shpenzime për vitin 2020 duke përjashtuar koston e rimëkëmbjes vlerësohen të jenë diku rreth 410 milionë euro, rënia e të hyra 130 milionë, shpenzimin për menaxhimin e pandemisë rreth 180 milionë euro do thotë rreth 410 milionë“, u shpreh Bajrami. 

Abrashi: Vetëvendosje tash nuk po e përkrah implementimin për pagat 170 euro të propozuar nga Kurti

Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Gazmend Abrashi, ka bërë thirrje që të kthehet vëmendja nga sektori privat. Ai ka thënë se sektori privat e ka pësuar më së shumti gjatë krizës së pandemisë.

“Sektori civil i ka marrë pagat dhe të ardhurat e veta, madje edhe një javë më parë, sektori privat ka qenë 80% i bllokuar dhe i është pamundësuar çfarëdo aktiviteti ekonomik gjatë kësaj pandemie. Besoj se sot duhet të ketë përparësi sektori privat, i cili është bartës i ekonomisë së Kosovës”, tha ai.

Abrashi ka kritikuar edhe deputetët e Vetëvendosjes, për të cilët ka thënë se tash nuk po e mbështesin implementimin e vendimit të Qeverisë Kurti për t’i paguar punëtorët e sektorit privat me nga 170 euro.

Abrashi ka thënë se Qeveria ka paguar vetëm 80% të aplikantëve për muajin mars, ndërsa për muajin prill nuk ka bërë asnjë pagesë të vetme.

“Qeveria paraprake përkundër asaj që ka proklamu 180 milionë pakon, dikun vetëm 80% të pagave të muajit mars i ka paguar. Pagat e muajit prill as që kanë fillu të paguhen. Kam kuptu që nuk ka mjete. Dje Ministria e Financave ka ardhë me propozim për implementimin e vendimit të Kurtit. Nuk i kuptoj deputetët e VV-së se si nuk e përkrahin implementimin e projektit të qeverisë Kurti”, ka thënë ai.

“Ju ftoj edhe një herë që t’i tejkalojmë fërkimet politike dhe t’i kthehemi qytetarit”, ka thënë ai në fund.

***

Zv/kryeministrja: Flamur nuk ka pasur as në zyrën e shfrytëzuar nga kabineti i Kurtit

Zëvendëskryeministrja e Kosovës nga radhët e NISMA-së, Albulena Balaj-Halimaj, ka thënë se ka informacione se zyra në të cilën është vendosur, është shfrytëzuar nga kabineti i ish-kryeministrit Kurti.

“Sipas informacioneve që kam atë zyrë e ka shfrytëzuar kabineti i kryeministrit Kurti”, ka thënë ajo.

Pasi i është kërkuar që të tregojë se a ka informacione se kush ka qenë më herët në atë zyrë, Balaj-Halimi ka deklaruar se aty nuk e ka gjetur as flamurin e  Republikës së Kosovës dhe as deklaratën e pavarësisë së Republikës së Kosovës.

Zëvendëskryeministrja ka thënë se me vetë iniciativë e ka vendosur flamurin e Kosovës.

***

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka mohuar se zëvendësi i tij dhe ministri i Pushtetit Lokal, Goran Rakiq ka larguar flamurin dhe simbolet e tjera të Republikës së Kosovës nga zyra e tij.

Hoti: Asnjë ministër nuk ka hapësirë t’i lëvizje simbolet

“Simbolet e shtetit të Kosovës janë të pacenueshme, asnjë ministër nuk ka pasur hapësirë për t’i lëvizur ato. Informatat që janë dhënë në dy ditët e fundit janë të pavërteta. Simbolet e shtetit të Kosovës në atë zyrë dhe në të gjitha zyrat e tjera janë ashtu siç kanë qenë. Besoj mund ta verifikoni vetë këtë çështje si deputet i Kuvendit të Kosovës”, deklaroi Hoti.

Si replikë, deputeti i PDK-së, Mërgim Lushtaku i cili pyeti rreth kësaj çështje, insistoi që Rakiq duhet të shkarkohet.

Lushtaku: Është mirë të shkarkoni ministrin

“Ne mund të flasim çfarë të duam dhe të arsyetojmë çfarë të duam, por realiteti është diçka tjetër. Besoj që është mirë që të shkarkoni këtë ministër për shkak se nuk e ka respektuar flamurin dhe simbolet shtetërore”, tha Lushtaku.

Mirëpo, kryeministri Avdullah Hoti tha se ka komunikuar me zëvendëskryeministrin dhe ministrin Rakiq dhe siguroi se simbolet e shtetit të Kosovës janë në zyrat e tij.

Hoti: Simbolet janë në zyrat e Rakiqit

“Unë kam kontaktuar dje me zv.kryeministrin për këtë çështje pas raportimit në media, në komunikim me të nëse ai e ka ndërruar karrigen kur është ulur, kur është fotografuar nuk i di ato çështje, simbolet e shtetit të Kosovës në zyrën e tij, në Ministrit ë Pushtetit Lokal dhe në një zyrë të tij në ndërtesën e qeverisë ku është si zëvendëskryeministër janë aty ku kanë qenë dhe do të mbesin aty”, deklaroi Hoti.

​Çeku: Duke hequr reciprocitetin hoqët dorë nga sovraniteti

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Hajrullah Çeku në seancën e sotme tha se qeveria ilegale e cila nuk doli nga votat e qytetarëve po insketon një zakon në kohën kur pavarësisë së Kosovës po i cenohet liria dhe barazia.

Sipas tij ata do jenë aty për të demaskuar këtë qeveri e cila po i mban zyrat e qeverisë të uzurpuara.

Çeku: Detyra jonë është ta demaskojmë qeverinë ilegale

“Qeveria ilegale e cila nuk doli as nga vota e qytetarëve dhe as nga vota e deputetëve, po synon të inskenoj një zakonshmëri, në kohën kur pavarësisë së Kosovës po i cenohet edhe liria edhe barazia nga tjetërsimi i vullnetit qytetar të shprehur me votë tek delegimi i dialogut tek presidenti e deri tek mashtrimi me premtimin për reciprocitet asgjë normale nuk po ndodh që nga dita që jeni ulur në këto karrige. Është detyrë parësore e jona që për çdo ditë t’iu demaskojmë, ju mbase mund t’i mbani zyrat e qeverisë të uzurpuara për ca kohë për të vërtetën nuk mund ta tjetërsoni”, tha ai.

Derisa kritikuar ashpër qeverinë Hoti për heqjen e reciprocitet ndaj mallrave Serbie, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje tha se me heqjen e kësaj mase është hequr dorë nga sovraniteti i vendit.

Çeku: Kjo nuk është heqje e pengesa për dialog kjo është heqje dorë nga sovraniteti

“Si është e mundur që reciprocitetin ta quani pengesë, kujt i paska penguar kjo barazi mes Kosovës dhe Serbisë mbishkrimi Republika e Kosovës në dokumentet e maunave të Serbisë nuk duhet t’i pengoj askujt madje as vetë Serbisë. Vendimet dhe veprimet qeverisë ilegale janë edhe parimisht të paqëndrueshme dhe logjikisht jo konsistente. Në program flasin se si Serbia dhe Kosova trajtohen si palë të barabarta në dialog, ndërsa këta shfrytëzuan vendimin dhe e hoqën menjëherë vendimin për reciprocitet.np program flasin se si do vijë njohja nga Serbia dhe si do e ruajmë reciprocitetin dhe sovranitetin tonë, ndërsa nxituan për të hequr dorë menjëherë nga reciprociteti , pra nga sovraniteti. Me çfarë logjike pyesim ne mund të kërkohet diçka prej të cilës kemi hequr dorë paraprakisht. Kjo nuk është heqje e pengesa për dialog kjo është heqje dorë nga sovraniteti..Pse kaq shumë dëme cili është motivi i vërtetë në fakt asnjë motiv nuk e arsyeton këtë nivel degradimi as motivi për t’i hapur rrugë Zajednicës e sidomos jo motivit për t’i shërbyer presidentit i cili lobon me paratë tona për ndarjen e Kosovës ”, tha ai.

***

Deputeti i AAK-së në Kuvendin e Kosovës nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Arbër Tolaj, ka folur në seancën e sotme plenare për efektet e pandemisë në ekonominë dhe sistemin shëndetësor të vendit.

Tolaj ka thënë se gjendja pandemike në Kosovës është e pafavroshme edhe tani. “Gjendja e disfavorshme me COVID -19, pavarësisht heqjes së masave kufizuese, vazhdon të jetë edhe më tej e rënduar, qoftë sa i përket numrit të personave të infektuar, po ashtu edhe në kuptimin e rënies ekonomike.Pra gjersa flasim këtu, numri i rasteve të reja në Kosovë vazhdon të rritet. Tashmë numërohen mbi 354 raste aktive me koronavirus, duke shtuar rrezikun që të shpërthejnë edhe vatra të reja epidemike në disa komuna të Kosovës”, ka thënë Tolaj në foltorern e Kuvendit.

Ai ka thënë se shtimi i numrit të të infektuarve ditët e fundit, mund ta mbingarkoj sistemin shëndetësor. “E të gjithë ne jemi koshient, se shtimi tej mase i numrit të të infektuarve me virusin SARS-COV-2, mund të mbingarkoj sistemin shëndetësor edhe ashtu të brishtë, dhe të sjell pasoja të pa parashikuara deri në shpërthim”, ka theksuar ai.

Tolaj ka thënë se është për keqardhje se si Kosova nuk ka informacione për rënien e mundshme ekonomike si pasojë e pandemisë. Ai ka cituar raportin e Bankës Botërore, ku thuhet se Kosova mund të pësojë rënie ekonomike deri në 4.5%, si pasojë e pandemisë.

***

Deputeti i PDK-së, Mërgim Lushtaku, gjatë fjalës së tij në Kuvend, pretendoi se ish-zëvendëskryeministri i Kosovës, Haki Abazi ka pasur lidhje me zyrtarë të BIA-s serbe, ndërsa kërkoi nga prokuroria që të marrë në pyetje edhe presidentin Thaçi për informatat e tij se Abazi ishte takuar me këta zyrtarë në Kapaonik.

Lushtaku ka pyetur Abazin se sa i kishte kushtuar blerja e postit të zëvendëskryeministrit të Kosovës.

Lushtaku: Sa i kushtoi blerja e postit të zv.kryeministrit Haki Abazit?

“Sa i ka kushtuar Haki Abazit blerja e postit të zëvendëskryeministrit nga Albin Kurti? Me cila para i kishte blerë ato në zyrën e kryeministrit, kjo ishte njëra ndër pyetjet për zotin Abazi. Po ashtu i bëj thirrje prokurorisë që të thërrasë presidentin zotëri Hashim Thaçi për të dhënë më shumë informata në lidhje me takimin e z. Abazi me zyrtarë të BIA-s në Kapaonik. E dimë shumë mirë që i njëjti si zëvendëskryeministër, por bashkë me Luan Dalipin shef i kabinetit të ish-kryeministrit Albin Kurti, e ka bërë një takim me përfaqësues të kabinetit të Marko Gjuriq i cili dihet shumë mirë që edhe nga qeveria e kaluar janë pranuar edhe 1000 teste”, deklaroi Lushtaku.

Po ashtu, i njëjti i ka parashtruar pyetje kryeministri aktual Avdullah Hoti nëse është e vërtetë që Goran Rakiq e ka larguar flamurin e Kosovës nga zyra e tij dhe nëse kjo është e vërtetë të shkarkohet i njëjti.

Lushtaku: Nëse e ka larguar flamurin Rakiq duhet të shkarkohet

“Ndërsa për qeverinë aktuale, për kryeministrin Hoti nëse është këtu: A është e vërtetë që zëvendëskryeministri Goran Rakiq e ka larguar flamurin shtetëror nga takimi që e ka pasur me ambasadorë dhe takime zyrtarë? Nëse po, atëherë kërkoj të shkarkoni si shenjë vetëdijesimi për respektimin e flamurit shtetëror dhe simboleve shtetërore”, tha Lushtaku.

Fillon seanca e Kuvendit të Kosovës, betohen deputetët e rinj

Deputet i PDK-së, Sejdi Hoxha, ka kritikuar VV-në dhe LDK-së, që sipas tij, kanë dështuar në implementimin e Pakos Emergjente.

Hoxha në seancën e rregullt të Kuvendit shtoi se disa biznese që janë të afërta me pushtetin kanë marrë para.

“Qeveria e ndërtuar nga LDK-VV, në mënyrë klandestine që kishte votuar buxhetin, atyre nuk iu ra ndërmend që të ndihmohen qytetarët dhe bizneset. Përveç në vonesa të pakos, ju u vonuat edhe në implementimit të saj”.

“Shumë biznese që kanë aplikuar, ato nuk i kanë marrë ato paga për punonjës. Disa biznese që janë të afërta me pushtetin kanë marrë para, e kjo është diskriminim. Shumë bizneseve nuk iu është mbuluar qiraja, ku kjo ka bërë probleme te qiradhënësi tek qiramarrësi, ku qiradhënësi e ka larguar”, tha Hoxha.

Hoxha tha se ka edhe punëtorë që nga shumën prej 170 euro, atyre iu kanë dal vetëm 80 euro.“ju jeni fajtor në lidhje me keqmenahimin e pakos emergjente, ku shumica prej bizneseve rrezikojnë që të mbyllen dhe shumë punëtorë rrezikojnë që të mbesin pa punë”, tha ai.

Çeku: Qeveria ilegale po tenton të inskenoj normalitet në kohën kur Kosovës po i cenohet liria e barazia

Deputeti Hajrulla Çeku nga LVV-ja ka thënë se kjo qeveri ilegale po tenton të inskenoj një zakonshmëri në kohën kur Pavarësisë së Kosovës po i cenohet liria e barazia.

Ai ka thënë se heqja e reciprocitetit paraqet dëm të pa riparueshëm politik e Kushtetues.

“Seanca e sotme është përpjeka e radhës për të krijuar përshtypjen e normalitetit silur në Kosovë nuk ka ndodhë asgjë. Qeveria ilegale që nuk doli nga votat e qytetarëve e as deputetëve po synon të inskenoj një zakonshmëri në kohën kur pavarësisë së Kosovës po i cenohet liria e barazia. Nga tjetërsimi i vullnetit qytetar të shprehur me votë te delgimi i dialogut te presidenti e deri te mashtrimi për premtimin për reciprocitet asgjë normale nuk po ndodh që nga dita që jeni ulur në këto karrige”, tha Çeku.

Çeku duke ju drejtuar Qeverisë, tha se do të jenë këtu për t’ju kujtuar se kanë mashtruar.

“Qytetarëve ia kërkuat votën për reciprocitet ndaj Serbisë për ta hequr atë me nxitim të madh dhe të pashpjegueshëm. Reciprociteti është çështje dinjiteti, deklaratë barazie, garancë sovraniteti. Nuk ka shtet në botë që heq dorë nga këto tipare që janë të qenësishme për ekzistencën e vet. Si është e mundur që reciprocitetin ta quani pengesë, kujt i paska penguar kjo barazi mes Kosovës dhe Serbisë”, tha Çeku.

Deputeti i LVV-së, theksoi se mbishkrimi “Republika e Kosovës” në dokumentet e maunave të Serbisë nuk duhet t’i pengojë askujt.

Betohen deputetët e rinj

Katër deputetë të rinj i janë shtuar sot Kuvendit të Kosovës, pas ndryshimeve që u bën me zgjedhjen e qeverisë së re.

Pjesë e legjislaturës së Kuvendit të Kosovës tani e tutje do të jetë, Faton Bislimi nga Lidhja Demokratike e Kosovës i cili do të zëvendësojë ministrin e Shëndetësisë, Armend Zemaj.

Visar Hoti nga LDK, i cili do të zëvendësojë zv/kryeministrin Driton Selmanaj,  Ismet Beqiri i cili do të zëvendësoje Arban Abrashin.

Poashtu deputete e re e Kuvendit të Kosovës është Arbëresha Kryeziu nga Nisma, e cila zëvendëson zv/kryeministrin Albulena Balaj-Halimaj.

Betimi solemn i deputetëve të Kuvendit të Kosovës është i paraparë me Kushtetutën dhe rregulloren e Kuvendit të Kosovës, betim ky që u bë sot nga këta deputetë të rinj.

Image
Arbëresha Kryeziu

****

Në Kuvendin e Kosovës tashmë kanë arritur edhe disa nga ministrat e Qeverisë së Kosovës.

Ai i Shëndetësisë Armend Zemaj, i Ekonomisë Blerim Kuçi, i Bujqësisë Besian Mustafa, i Punëve të Brendshme, Agim Veliu.

Po ashtu, edhe zëvendëskryeministrja e Kosovës, Albulena Balaj- Halimi, ka hyrë në ambientet e Kuvendit të Kosovë.

Gjithashtu, disa prej deputetëve të PDK-së si Bedri Hamza, Ganimete Musliu, Abelard Tahiri kanë ardhur në Kuvend.

Ashtu sikurse edhe shefi i GP të VV-së, Rexhep Selimi dhe kolegët e tij deputetë nga partia e Kurtit.

***

Ekipet mjekësore që do të kontrollojnë deputetët para hyrjes në seancë tani kanë arritur në Kuvend.

Në Kuvend ka arritur edhe kryetarja Vjosa Osmani, si dhe disa deputetë.

Ndryshe, sot do të shqyrtohen 9 pika ndër të tjera edhe disa marrëveshje ndërkombëtare të cilat duhet të marrin 2/3 e votave.

Image

***

Deputetët e Kuvendit të Kosovës do të mbajnë sot seancë plenare nga ora 10:00.

Në pikat e rendit të ditës do të jenë shqyrtimi i vendimit të Qeverisë së Kosovës, nr. 02/03 datë 05.06.2020, për ndryshimin dhe tejkalimin e përkohshëm të rregullave fiskale të deficitit, si dhe kufizimit të bilancit bankar të përdorshëm.

Pika e katërt do të jetë shqyrtimi i Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes për financim ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim për Projektin e Fuqizimit të Sektorit Financiar.

Deputetët do të shqyrtojnë edhe Projektligjin për ratifikimin e Marrëveshjes për Hua ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim për Projektin e Zhvillimit të Ujërave të Zeza në Gjilan.

Në rendin e ditë janë edhe shqyrtimi i Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes për Financimin e Projektit për Kadastër të Patundshmërisë dhe Infrastrukturë Gjeohapësinore ndërmjet Kosovës dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim, Projektligji për ratifikimin e Marrëveshjes ndërmjet BE dhe Kosovës mbi Pjesëmarrjen e Kosovës në Programin e Bashkimit “Dogana 2020”, Projektligji për ratifikimin e Marrëveshjes ndërmjet BE dhe Kosovës mbi Pjesëmarrjen e Kosovës në Programin e Bashkimit “Fiskalis 2020”, dhe shqyrtimi i Raportit vjetor financiar të Buxhetit të Kosovës për 2019.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat