Përplasje në Kuvend për simbole shtetërore në zyrat e qeverisë

Aktuale

Përplasje në Kuvend për simbole shtetërore në zyrat e qeverisë

Më: 11 qershor 2020 Në ora: 14:18
Ilustrim

Për simbole shtetërore në zyrat e Qeverisë pati përplasje sot në Kuvendin e Kosovës mes zëvendës kryeministres Albulena Balaj dhe shefit të Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje Rexhep Selimi.

Zëvendëskryeministrja Balaj fillimisht theksoi se kur mori postin në qeveri në zyre nuk gjeti flamurin dhe Deklaratën e Pavarësisë.

Ajo tha se kur ka hyrë në zyrën pasi mori postin, nuk ka gjetur flamuj të Kosovës e as Deklaratën e Pavarësisë.

Balaj: Në zyrën time dikush i ka hequr simbolet

“Kur kam hyrë në zyrën time në qeveri nuk ka pasur flamur as deklaratë të pavarësisë, sepse ato dikush i ka hequr. Prandaj, për të mos bërë shpenzime të panevojshme në ditët e para, ne po presim që administrata t’i plotësojë me këto. Nuk dua të arsyetoj askënd, por unë po them që i ka hequr dikush nga zyrat”, tha Balaj.

Edhe deputeti i PDK-së, Memli Krasniqi ka komentuar deklaratën e zëvendëskryeministres për simbolet, i cili kërkoi nga Balaj të sqarohet se për cilat zyre bëhet fjalë.

Krasniqi theksoi se kushdo që i ka hequr simbolet e Kosovës duhet të jetë i turpëruar dhe i dënuar si rast nga secili njeri që e ndien veten qytetar të këtij vendi.

Krasniqi: Heqja e simboleve shtetërore është shqetësuese

“Deklarata e zonjës zëvendëskryeministre ishte shumë shqetësuese, numri dy i qeverisë. Do të thotë ju thatë që kur keni shkuar në zyrë, normal pa pranim-dorëzim, ju s’keni gjetur as flamurin e Kosovës, as Deklaratën e Pavarësisë së Kosovës. Nuk e specifikuat një gjë, në zyrën të cilit ish-zëvendës kryeministër ke shkuar? Kjo është me rëndësi. Pra, a ke shkuar në zyrën që e ka pasur Avdullah Hoti apo në zyrën që e ka pasur Haki Abazi? Është me rëndësi të na tregoni cilën zyrë e keni parë të zhveshur prej simboleve shtetërore, sepse zyrat e Kryeministrisë nuk janë OJQ. Bile edhe OJQ-të është mirë të mbajnë Deklaratën e Pavarësisë dhe flamurin e Kosovës, por në institucionet shtetërore është obligim”, tha Krasniqi.

Balaj theksoi se nuk e di kush i ka hequr simbolet, por ka informacione se janë nga kabineti i ish-kryeministrit Kurti.

Balaj: Nuk e di kush ka qenë në zyrë, por e di që ka qenë e zhveshur nga simbolet

“Në zyrë nuk jam e sigurt kush ka qenë, por e di se nuk ka pasur asgjë. Kam informacione që atë zyre ku jam unë e ka shfrytëzuar kabineti i Kurtit për punë të tyre. Pra, kam informacione që e kanë shfrytëzuar ata, por duhet ta thotë dikush tjetër derisa ne ta kemi të vërtetën. Është shumë shqetësuese që përveç nuk kanë qenë ato simbole, ka pasur një tollovi dhe një parregullsi në zyrë dhe besoj në shumicën e tyre. Normalisht, të nesërmen kabineti im e ka vendosur flamurin. Ende kam mbetur pa Deklaratën e Pavarësisë se nuk e di ku e kanë dërguar nga ajo zyrë. Kështu që kjo është e vërteta, nuk po e mbroj dhe nuk po e sulmoj askënd”, tha Balaj.

Në emër të Grupit Parlamentar të VV-së, Rexhep Selimi ka reaguar ndaj deklaratave të zëvendës kryeministres Balaj, i cili tha se janë të pavërteta. Ai tha se ndoshta nuk e dinë se në cilën zyrë ka shkuar Balaj, teksa shtoi se këto janë shpifje.

Deputeti Selmi tha se në paraqitjet publike të të gjithë zyrtarëve të qeverisë Kurti, asnjë herë nuk kanë munguar dhe nuk janë larguar simbolet shtetërore.

Sipas tij, i vetmi ndryshim që ka ndodhë në gjithë atë dekor, është shtuar edhe portreti i Skënderbeut.

Selimi: Jeni duke e tepruar me shpifje

“Kolegë të nderuar, jeni duke e tepruar me të pavërteta. Ngritin situata, sajoni situata, jo kështu ka qenë zyra, jo me kenë u takua filani, me kon s’u takua filani. Jo zëvendëskryeministri u takua me dikë, flisni çka keni të gjitha faktet nxjerrin hapur, mos bëni kështu. Jeni duke dashur të thoni edhe ne jemi si ju, që edhe ne takohemi me përfaqësues të Serbisë. Flisni çka keni, se jeni duke e tepruar me shpifje. Kjo është e tepërt. Nëse ke diçka për Haki Abazin, thuaje me kë është takuar dhe kur është takuar. Nëse keni diçka për simbolet, nxirrni fotografi apo s’i keni parë kurrë zyrtarë e Qeverisë Kurti kur kanë dalë në konferenca. Unë kam qenë në ato objekte dhe po ju them asnjë zyrë nuk e kam hasur pa flamur dhe pa simbole të shtetit të Kosovës. Unë po kuptoj që s’po keni tema tjera, por mos e mbushin zbrazëtinë tuaj me tema boshe dhe me të pavërteta”, pohoi Selimi.

Ndërsa, në seancë është duke u zhvilluar debati për tejkalimin e përkohshëm të rregullit fiskal, me propozim-vendim nga Qeveria Hoti.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat