Çka ndodhi, Thaçi tërhiqet nga akuzat ndaj babait të Vjosa Osmanit

Aktuale

Çka ndodhi, Thaçi tërhiqet nga akuzat ndaj babait të Vjosa Osmanit

Më: 11 qershor 2020 Në ora: 21:09
Hashim Thaçi

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi ka mohuar se ka akuzuar babain e kryeparlamentares Vjosa Osmani, duke thënë se nuk merret me çështjet personale të askujt.

“Nuk merrem me çështje personale të askujt. Nuk merrem me familjen e askujt, as me nënën, as me babin, motrën apo vëllain e dikujt. Unë nuk e kam akuzuar babain e Vjosa Osmanit. Nuk kam thënë asgjë për këtë temë”, ka deklaruar presidenti Thaçi i ftuar në emisionin me Çim Pekën.

Por, të kundërtën e kësaj deklarate e dëshmon intervista e presidentit e para dy netëve, ku ky i fundit i ftuar në emisionin “Rubikon” u shpreh se pjestarë të familjes së Osmanit i kanë shërbyer shtetit të Serbisë.

“Dikush nga familja e Osmanit i ka shërbyer Serbisë, e unë e kam luftuar Serbinë”, ishte shprehur presidenti duke shtuar se do të flasë më shumë për këtë temë pasi të deklarohet Osmani lidhur me këtë çështje.

“Nuk dua të shtoj më shumë. Por, do të deklarohem pas reagimit të Osmanit”, kishte thënë tutje Thaçi.

Ndërsa, sa i përket akuzave ndaj familjarëve të ish-ministres së Drejtësisë, Albuena Haxhiu lidhur me një laborator droge në Prishtinë, Thaçi u shpreh se i qëndron prapa të gjitha atyre që i ka thënë më herët.

“I qëndroj prapa atyre që kam thënë më herët, sepse kam fakte dhe dëshmi. Ndonjë pytje tjetër përveç akuzave?”, ka deklaruar presidenti.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat