Selimi e quan gënjeshtër deklaratën e Veselit që tha se VV i kërkoi të bënin koalicion

Aktuale

Selimi e quan gënjeshtër deklaratën e Veselit që tha se VV i kërkoi të bënin koalicion

Më: 11 qershor 2020 Në ora: 22:56
Rexhep Selimi

Shefi i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosjes, Rexhep Selimi e ka quajtur “gënjeshtër” deklaratën e kryetarit të Partisë Demokratike, ku tha se “Lëvizja Vetëvendosje i kishte dërguar mësit për bashkëpunim”.

“Ne nuk i kemi çuar mësit. Është gënjeshtër. Nuk do të doja t’iu përgjigjesha fare. Nuk është çështje mësitnish kjo dhe raporti mes subjekteve politike, pavarësisht oponencave, nuk duhet të jetë i tillë. Lëvizja Vetëvendosje nuk përfaqëson mendësi të tillë në politikë”, thënë Selimi.

Më tej, ai ka shtuar se PDK-ja po mundohet ta nxjerrë Lëvizjen Vetëvendosje sikur dëshiron që të bashkëpunojë me ta.

“Kemi plot arsye që të mos bashkëpunojmë me ata, për shkak të kaluarës dhe pozicionit të tyre politik. Ne nuk kemi si të bashkëpunojmë me ta për këto dy arsye kryesore dhe të tjera. Edhe sot në Kuvendin e Kosovës e formuluan një fjali sikur ne po kërkojmë paqe. Unë u detyrova t’i them se ‘Kush po të pyet?’ dhe ‘Kush po të kërkon paqe?’. Ne nuk po kërkojmë paqe politike me PDK-në, sepse ne, ashtu si edhe qytetarët e Kosovës, e dimë shumë mirë kush është PDK-ja. PDK-ja, për fat të keq, vazhdon të jetë e njëjta dhe ne jemi të detyruar ta kemi qëndrimin e njëjtë për ta”, ka thënë ndër të tjera ai në emisionin “Rubikon”.

Shefi i Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes Rexhep Selimi ka thënë se nuk pret një bashkëpunim me PDK-në, ndonëse janë bashkë në opozitë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat