124 projekte preken nga pandemia, Demi kritikon qeverinë “Hoti” për vazhdimin e autostradave

Aktuale

124 projekte preken nga pandemia, Demi kritikon qeverinë “Hoti” për vazhdimin e autostradave

Më: 12 qershor 2020 Në ora: 10:11
Ilustrim

Pandemia ka bërë që komunat të mos mund të inkasojnë të hyra. Të hyrat vetanake të komunave për muajin prill kanë rënë për 81% në krahasim me periudhën para pandemisë.

Kështu ka thënë drejtori i Institutit GAP, Agron Demi.

Ai ka vlerësuar se prej 16 komunave së paku 124 projekte do të ndikohen nga pandemia.

“Prej 16 komunave të kontaktuara nga GAP është konfirmuar se së paku 124 projekte do të ndikohen nga pandemia. Shuma totale e këtyre projekteve është vetëm 15.8 milionë euro.

Pandemia ka ba që komunat të mos mund të inkasojnë të hyra. Të hyrat vetanake të komunave për muajin prill kanë rënë për 81% në krahasim me periudhën para pandemisë.

Në mesin e atyre 124 projekteve janë edhe renovime të shkollave, renovime të qendrave mjekësore, parqe, ngrohje, kanalizime…”, ka thënë ai.

Demi ka kritikuar Qeverinë Hoti që në programin qeverisës ka përfshirë vazhdimin e tri autostradave dhe ndërtimin e autostradës së Dukagjinit.

Sipas tij “shumë më shumë do të punësoheshin në ato 124+ projekte nëpër komuna e që kushtojnë 15.8 milionë euro, se sa në autostradën miliardëshe”.

“Përkundër kësaj, Qeveria Hoti në program qeverisës ka përfshi vazhdimin e tri autostradave dhe ndërtimin e autostradës së Dukagjinit me një kosto prej mbi 1 miliard euro. Vetëm autostrada e Dukagjinit do të kushtojë aq sa parashihet fondi emergjent për rimëkëmbjen nga pandemia – 1.2 miliard euro.

Dy autostradat që janë ndërtu deri sot kanë dëshmu se nuk kanë ndikim në ekonomi dhe nuk ndikojnë në punësim. Shumica e pareve del jashtë dhe shumica e të punësuarve në pozita mbikëqyrëse janë të huaj, nga vendet e tjera të Ballkanit dhe Turqia.

Shumë më shumë do të punësoheshin në ato 124+ projekte nëpër komuna e që kushtojnë 15.8 milionë euro, se sa në autostradën miliardëshe.

Por, këtë nuk është që nuk e dinë politikanët. 560 milionë euro i shkojnë ndërtuesit, por 500 milionë euro tjera shkojnë për shpronësim të rreth 37 kilometrave të trasesë së autostradës (prej 91 km total), trase që kalon nëpër arat e akrabave.

Qytetarët mund edhe të mos kenë kanalizim e ngrohje, nxënësit do të vazhdojnë t’i lagin këmbët me urinë sa herë shkojnë në banjo të shkollave…por ama me 130 km/h në autostradë do të mbërrijnë 15 minuta ma shpejtë prej Istogut në Deçan”, përfundoi ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat