Qeveria Hoti, nga gjykata në gjykatë

Aktuale

Qeveria Hoti, nga gjykata në gjykatë

Më: 12 qershor 2020 Në ora: 21:15
Avdullah Hoti

Pak ditë pasi vota e tij ishte vendimtare për formimin e Qeverisë së re në Kosovë, deputeti Etem Arifi pritet që të shkojë për të vuajtur dënimin me burg.

Arifi është i dënuar me një vjet e tre muaj burgim për veprën penale “mashtrim me subvencione”.

Sipas vendimit të gjykatës, deputeti Etem Arifi, së bashku me Bajram Gashin, drejtor i OJQ-së “Zëri i Ashkalinjve”, kanë përvetësuar rreth 26 mijë euro.

Përkundër dënimit të formës së prerë të vitit 2019, deputeti Arifi arriti që të merrte pjesë në dy seanca të rëndësishme të Kuvendit të Kosovës, duke kërkuar shtyrje të ekzekutimit të dënimit për, siç pretendonte, shkaqe shëndetësore. Kjo kërkesë iu miratua nga Gjykata Themelore e Prishtinës.

Në seancën e parë të rëndësishme, më 25 mars, Arifi votoi për rrëzimin e Qeverisë së drejtuar nga Albin Kurti.

Në të dytën, më 3 qershor, vota e tij ishte vendimtare për formimin e Qeverisë së re të drejtuar nga Avdullah Hoti i Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Në fund të këtij muaji, deputeti Arifi është i obliguar që të paraqitet në Qendrën e Paraburgimit në Prishtinë, për të filluar vuajtjen e dënimit me burg.

Nga data 5 qershor, Radio Evropa e Lirë ka provuar vazhdimisht që të komunikojë me deputetin Arifi, por ky i fundit nuk u është përgjigjur thirrjeve në telefon.

Arifi është njoftuar edhe përmes mesazheve për çështjen për të cilën është kontaktuar, megjithatë nuk ka kthyer përgjigje.

Votimi i deputetit Arifi nxiti debate të shumta për ligjshmërinë e votës së tij.

Miftaraj: Faji është te gjykatat

Drejtori ekzekutiv i Institutit të Kosovës për Drejtësi, Ehat Miftaraj, thotë se vota e deputetit Etem Arifi për formimin e qeverisë është vështirë që të kontestohet ligjërisht.

Miftaraj thotë për Radion Evropa e Lirë se faji qëndron te gjykatat, të cilat, sipas tij, në rastin e dënimit të deputetit është dashur të shqiptojnë edhe dënim plotësues, duke ia pamundësuar atij garën në zgjedhjet e 6 tetorit të vitit 2019.

“Sipas Kushtetutës dhe ligjit në Kosovë, gjyqtarët, me rastin e shqiptimit të dënimeve për vepra penale, e kanë për obligim dhe duhet që në të njëjtën kohë, përveç shqiptimit të dënimit kryesor, të shqiptojnë edhe dënime plotësuese, ku futet edhe kufizimi i së drejtës së zyrtarëve – në këtë rast zotit Arifi – për të kandiduar apo për t’u zgjedhur, qoftë si deputet, qoftë në pozita të tjera publike. Fatkeqësisht, kjo nuk ka ndodhur dhe nuk po ndodh”, thotë Miftaraj.

VV: Vota e deputetit Arifi e bën qeverinë anti-kushtetuese

Pak ditë pas formimit të Qeverisë së drejtuar nga LDK-ja, Lëvizja Vetëvendosje ka dërguar në Gjykatën Kushtetuese vendimin për formimin e Qeverisë Hoti.

Deputeti i Vetëvendosjes, Artan Abrashi, thotë se vota e deputetit Etem Arifi bie ndesh me Kushtetutën e Kosovës.

“Besojmë se ai proces është i komprometuar, nuk ka bazë legale, e këtu si arsyetim e kemi edhe pjesëmarrjen në votim të ish-deputetit Etem Arifi, ku ne jemi njoftuar se ai tashmë është i dënuar me vendim të Gjykatës Supreme. Pra, i ka kaluar të gjitha instancat e gjyqësisë, ka mbërritur formën e prerë dhe mbi bazën e Kushtetutës, zotëri Arifi tashmë e ka të humbur [pozitën] si deputet i Kuvendit të Kosovës”, thotë Abrashi.

Deputeti Abrashi thotë se vota e deputetit Etem Arifi për formimin e qeverisë, e shndërron Qeverinë Hoti në qeveri anti-kushtetuese.

KDI: Shtyrja e ekzekutimit të vendimit i dha legjitimitet votës së Arifit

Në Institutin Demokratik të Kosovës thonë se deputeti Etem Arifi ka pasur legjitimitet kur ka votuar për qeverinë, pasi ai është dënuar para se të zgjidhej deputet i Kuvendit të Kosovës për legjislaturën aktuale.

“Kur ka votuar deputeti Etem Arifi ka pasur legjitimitet, pasi gjykata nuk e ka çuar në ekzekutim vendimin që e ka pasur për të ekzekutuar. Ai ka qenë i dënuar para se të zgjidhej deputet i Kuvendit të Kosovës dhe dënimi i tij ka qenë i plotfuqishëm para se ai të zgjidhej deputet i Kuvendit”, thotë Florent Spahija.

Pak ditë para se të mbahej seanca për votimin e Qeverisë së drejtuar nga Avdullah Hoti, rasti i deputetit Arifi u dërgua nga kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, në Komisionin për Legjislacion, Mandate, Imunitete dhe Rregulloren e Kuvendit.

Por, anëtarët e këtij komisioni vendosën që mos ta trajtojnë këtë çështje, pasi konsideronin se ishte rast për organet e drejtësisë e jo për komisionin.

Përveç deputetit Etem Arifi, edhe vota e shefit të grupit parlamentar të partisë Nisma Social Demokrate, Haxhi Shala, u kontestua në ditën që u votua Qeveria e drejtuar nga Avdullah Hoti.

Shala nxiti reagime të shumta pasi vetëm pak minuta para se të votohej qeveria mori fjalën në Kuvend dhe tha se kishte ndërruar mendje sa i takon votimit të qeverisë.

Këtë tha se e bëri pasi i kishin shkuar në shtëpi presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, dhe kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj.

Veprimi i pretenduar i presidentit u cilësua si ndërhyrje e drejtpërdrejtë e tij në zgjedhjen e qeverisë.

Vetë presidenti Thaçi e pranoi se kishte pasur takim me deputetin Haxhi Shala. Por, veprimin e tij, presidenti e cilësoi vetëm si “këshillim”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat