Pacolli flet për tubimin e VV-së, përmend kërcënimet me burg nëse nuk do karantinohej!

Aktuale

Pacolli flet për tubimin e VV-së, përmend kërcënimet me burg nëse nuk do karantinohej!

Më: 13 qershor 2020 Në ora: 20:16
Behgjet Pacolli

Dje në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, për 15-vjetorin e themelimit të Lëvizjes Vetëvendosje u mbajt një tubim, ku morën pjesë mijëra simpatizantë të VV-së.

Kjo parti u akuzua se në atë tubim rrezikoi qindra njerëz, pasi që nuk u respektua aspak distanca sociale, madje shumë pak persona kishin mjete mbrojtëse.

Media ka kontaktuar me të parin e AKR-së, Behgjet Pacollin në lidhje me këtë tubim, ku ai përmendi rastin kur ishte kërcënuar me burg nëse nuk do e respektonte karantinimin.

“Ju kujtohet rasti im dhe kërcënimet me burg nëse unë nuk do të respektoja karantinimin, edhe pse unë në atë kohë qëndroja jashtë Kosovës!!!!”, u shpreh Pacolli.

Tutje ai thotë se i njeh simpatizuesit e Lëvizjes Vetëvendosje, dhe do shahet e do fyhet për deklarimet e tij se dje në shesh nuk u respektua distanca sociale, dhe pak njerëz kishin masa mbrojtëse.

Behgjet Pacolli tregon se askush nuk foli për problemin dhe rrezikun e këtij manifestimi, ani pse ka dëgjuar shumë komplimente për pjesëmarrësit e fyerje për të tjerët.

Kujtojmë që kthimi i Pacollit nga Zvicra gjatë muajit prill është përcjellë me debate e përplasje mes udhëheqësve institucionalë, në lidhje me karantinimin e tij.

Ish-ushtruesi i detyrës së Ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla kishte akuzuar presidentin Hashim Thaçi nën dyshimin se ai e ka futur Pacollin në Kosovë ilegalisht nga Shqipëria.

Sveçla ka thënë se Behgjet Pacolli do të ndalohej e ndoshta edhe do të arrestohej, në rast se do të kthehej ilegalisht në Kosovë nga Tirana.

Por, Pacolli kur mbërriti në Aeroportin e Prishtinës ka deklaruar se për herë të parë nuk kishte guxuar të ateronte në aeroportin e shtetit të tij, nga frika se do t’i organizohej një sulm terrorist, nga shteti.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat