Maliqi për ftesën e Washingtonit: Momenti i fundit për gjasat e arritjes së marrëveshjes Kosovë-Serbi

Aktuale

Maliqi për ftesën e Washingtonit: Momenti i fundit për gjasat e arritjes së marrëveshjes Kosovë-Serbi

Më: 16 qershor 2020 Në ora: 00:10
Shkëlzen Maliqi

Emisari special i presidentit amerikan për dialogun, Richard Grenell, gjatë ditës së sotme  ka njoftuar se më 27 qershor është data e diskutimeve për dialogun Kosovë-Serbi në Washington nga qeveritë e të dyja shteteve.

Por kjo ftesë e Grenellit është duke ndodhur me vonesë sipas opinionistit Shkëlzen Maliqi.

Ai deklaroi se tani mundet të jetë momenti i fundit për të kuptuar se a ka gjasa të arrihet marrëveshja historike Kosovë-Serbi.

“Ftesa e Grenellit për liderët e Kosovës dhe të Serbisë, nuk është befasi, madje po ndodhë me vonesë sepse ka mundur të realizohej edhe para katër muajve kur Kryeministër ishte Albin Kurti, sikundër që ka mundur të ishte edhe një vjet më parë, në kohën e Kryeministrit Ramush Haradinaj”.

“Tani jemi mbase në momentin e fundit për të parë pse administrata e Presidentit Trump insistonte për një samit Kosovë-Serbi në Shtëpinë e Bardhë, dhe të kuptojmë a ka gjasa që të arrihet marrëveshja historike me Kosovës dhe Serbisë, e kurorëzuar me njohje të ndërsjellë”.

“Rreth arritjes së zgjidhjes finale mbizotëron skepticizmi, madje besohet se ajo s’mund të arrihet në afate të shkurta, çfarë i ka premtuar ndërmjetësuesi Grenell. Ky skepticizëm nuk vjen vetëm nga Bashkimi Evropian, pasi që edhe Brukseli sapo i ka nisur përpjekjet për të ringjallë dialogun, por ka dyshues të tillë edhe në Kosovë dhe në Serbi. P.sh. Albin Kurti nuk pati guxim që ta pranojë këtë sfidë të SHBA-ve”.

“Edhe unë besoj se proceduralisht është shumë vështirë që të arrihet zgjidhja e shpejtë përfundimtare. Por, nuk e përjashtojë mundësinë e nënshkrimit të një marrëveshjeje në formë të deklaratës së parimeve ose synimeve ku përcaktohen kornizat substanciale të marrëveshjes historike, e cilado të shërbejë pastaj si udhërrëfyes për konkretizimet e marrëveshjes së plotë”.

Maliqi i komentoi edhe reagimet e Presidentit Hashim Thaçi dhe kryeministrit Avdullah Hoti, duke thënë se ata edhe më herët kanë qenë pro këtij procesi.

“Presidenti Thaçi e ka përshëndetur ftesën e emisarit Grenell, duke konfirmuar pjesëmarrjen, kurse Kryeministri Hoti po ashtu e mirëpriti nismën. Ata edhe më herët kanë qenë pro procesit”.

“Mua më duket se rolet e Presidentit dhe të Kryeministrit janë deri diku të ndara në proceset e paralajmëruara, Presidenti mbetet i për kushtuar bisedave në Washington, kurse Kryeministri, edhe pse do të jetë edhe ai në Shtëpinë e Bardhë, do ta mbajë linjën e dialogut që drejtohet nga Brukseli. Përfaqësuesi i BE-së Miroslav Lajçak vjen nesër në Kosovë për të negociuar formatin e ri të dialogut Kosovë-Serbi”.

Maliqi ka folur edhe rreth asaj se çfarë pritet të ndodhë pas këtij takimi në Shtëpinë e Bardhë.

“Dy kanalet e negociatave që i përshkrova shkurtazi më herët, mund të janë komplemantare, si dy shtytëse ose dy binare për një qëllim të njëjtë”.

“Nëse SHBA-të janë lokomotiva e procesit, kështu kanë qenë edhe më herët në krizën jugosllave, kompozicioni që të hiqet nga kjo lokomotivë dihet se për destinacion e ka BE-në, andaj edhe roli i Brukselit është me rëndësi me gjithë 27 vagonat që i tërheq lokomotiva”.

“Thjesht, nëse SHBA-të arrijnë t’i bindin liderët e Kosovës dhe të Serbisë për një formulë parimore të marrëveshjes kornizë dhe të shpejtë politike, BE do ta ketë më lehtë ta procedojë dialogun në kuadër të BE-së duke lehtësuar realizimin e detajeve të marrëveshjes, mbase edhe të afatizuara për periudha të arsyeshme ku edhe kompromiset eventuale të “dhimbshme” për të dy palët, nuk do të kishin efekte shokante dhe apriori refuzuese”.

“Më në fund, me rëndësi është që proceset të lëvizin nga vendnumërimi shumëvjeçar”, ka thënë Maliqi në një intervistë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat