​Cakaj: Njohja e Kosovës nga Bosnja do të ishte vendim i rëndësishëm për prosperitetin e Ballkanit

Aktuale

​Cakaj: Njohja e Kosovës nga Bosnja do të ishte vendim i rëndësishëm për prosperitetin e Ballkanit

Më: 16 qershor 2020 Në ora: 14:54
Gent Cakaj

Ministri i Punëve të Jashtme në detyrë i Shqipërisë Gent Cakaj është takuar sot në Sarajevë me nënkryetaren e Këshillit të Ministrave dhe ministren e Punëve të Jashtme të Bosnje dhe Hercegovinës, Bisera Turkoviq, me të cilën ka biseduar për thellimin e marrëdhënieve dypalëshe, shkëmbimet tregtare dhe turizmin.

Në këtë takim është vlerësuar edhe rëndësia e bashkëpunimit rajonal në fushën e ndërlidhjes, transportit, digjitalizimit dhe domosdoshmërinë e përpjekjeve të shtuara drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Cakaj ka thënë se njohja e pavarësisë së Kosovës nga Bosnja dhe Hercegovina do të ishte një vendim jo vetëm historikisht i drejtë, por edhe i rëndësishëm për zhvillimin e demokracisë e forcimin e prosperitetit të Ballkanit Perëndimor në përgjithësi.

“Në fund, ndamë pikëpamjen e njëjtë lidhur me bashkëpunimin e mirë në një varg organizatash ndërkombëtare, përfshirë OSBE-në dhe UNESCO-n. Gjithashtu, vlen të përmendet mbështetja e Bosnje dhe Hercegovinës për synimin e Shqipërisë për të marrë një vend jo të përhershëm në Këshillin e Sigurimit 2022-2023”, ka shkruar Cakaj në Facebook.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat