Valbon Krasniqi: 22 persona në Klinikën Infektive me oksigjenoterapi, dy tjerë në gjendje kritike

Aktuale

Valbon Krasniqi: 22 persona në Klinikën Infektive me oksigjenoterapi, dy tjerë në gjendje kritike

Më: 17 qershor 2020 Në ora: 17:23
Valbon Krasniqi

Në Klinikën Infektive të QKUK-së janë të hospitalizuar 59 pacientë me Covid-19, prej të cilëve dy janë në gjendje të rëndë shëndetësore.

Infektologu, Valbon Krasniqi ka thënë se gjatë dhjetë ditëve të fundit është rritur numri i të shtrirëve edhe në Klinikën Infektive.

Sot në Klinikën Infektive kemi të shtrirë 59 pacientë me COVID-19. Prej tyre 22 janë me oksigjeno terapi në gjendje të rëndë dhe dy pacientë të tjerë janë të shtrirë në repartin intensiv në gjendje shumë kritike”

Infektologu thotë se është shumë shqetësues fakti që familjarët që kanë persona në Klinikën Infektive po qëndrojnë në klinikë lirshëm dhe po u sjellin gjëra familjarëve të tyre.

“Të njëjtit më pas mund të dalin në qytet. Nëse qytetarët vazhdojnë të qarkullojnë të lirë dhe pa maska mund të ketë edhe më shumë rritje të rasteve”.

Krasniqi thotë se për momentin në Kosovë janë rreth 700 raste aktive dhe mund të ketë edhe qindra raste tjera të kontaktit që në të ardhmen mund të rrezikojnë kapacitetet tona shëndetësore.

“Klinika Infektive ka në dispozicion 126 shtretër, mirëpo gjatë kësaj jave jemi në përgatitje edhe të Klinikës së Pulmologjisë dhe Dermatologjisë për të shtuar kapacitetet në rast se kalohen kapacitetet e Klinikës Infektive. Pra me këto zgjerime kemi gjithsejtë rreth 250 shtretër në dispozicion”, ka thënë Krasniqi për media.

Infektologu ka thënë se vigjilenca e qytetarëve duhet të jetë shumë e lartë në këto momente pasi sipas tij mënyra tjera pos bartjes së maskave dhe mbajtja e distancës nuk ka për parandalimin e coronavirusit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat