Në ditën kur Skenderaj po shënon 21-vjetorin e çlirimit nga forcat okupatore serbe sheshi i këtij qyteti ka marr pamje festive. Flamujt e Republikës së Kosovës dhe flamuri kombëtar kuq e zi janë vendosur nëpër gjithë qytetin.
Për të shënuar këtë ditë, kryetari i komunës së Skenderajt, Bekim Jashari i shoqëruar nga kabineti i komunës dhe deputetë fillimisht kanë bërë homazhe tek shtatorja e komandantit legjendar të UÇK-së Adem Jashari në Skenderaj.
Prej aty, ai vazhdoi për homazhe në kompleksin memorial “Adem Jashari” në Prekaz.
Bekimi, i cili është djali i heroit Hamëz Jashari, ditën e çlirimit e vlerësoi si një ditë të madhe për qytetarët e kësaj ane, por sipas tij ende nuk është arritur ideali i dëshmorëve që ranë për lirinë e Kosovës.
Jashari: Breza të tërë kanë shkuar që ne sot ta gëzojmë këtë ditë
“Është një ditë e madhe për qytetin tonë dhe të gjithë shqiptarët. Muaji qershor i 21 viteve të çlirimit të vendit tonë, të popullit tonë të shumë vuajtur për një shekull. Breza të tërë kanë shkuar që ne sot ta gëzojmë këtë ditë për fat të keq ende nuk është dita të cilën kanë rënë të gjithë këta dëshmorë, sepse këta nuk kanë rënë që ky vend vetëm të jetë i lirë nga okupatori, por që ky vend të ketë mirëqenie për secilin qytetar që jeton në këtë vend, ta dojë këtë vend, ta dëshirojë këtë vend, që të jetojë në këtë vend e jo të mendoj të ik nga ky vend”, tha ai.
Nën emocione ai kujtoi disa nga momente kur ishte kthyer 21 vite më parë në Kosovë nga Gjermania së bashku me familjarët e tij vetëm 10 ditë pasi kishte ndodh çlirimi i qytetit të Skenderajt.
Jashari: Para 21 vitesh kemi ardhur në këmbë
“Me lëvizjet që i bëmë tek secili varrë mu kujtua 21 vite më parë kur kemi ardhur nga Gjermania me axhën Rifatin, Muratin, Lulëzimin djalin e Ademit që kemi ardhur 10 ditë pas 18 qershorit dhe mu kujtua se si kemi ardhur nga qyteti në këmbë me të gjithë ata qytetarë dhe ushtarë dhe këtu ka qenë krejt ndryshe emocionet janë shumë të përziera është krenari”, theksoi Jashari.
Kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hysni Gucati teksa uroi të gjithë për çlirimin e Skenderajt tha se në Kosovë ende vazhdojnë edhe shumë veteranë dhe invalidë të luftës ta kenë gjendjen të rëndë ekonomike.
Gucati: Liria nuk është si e kemi menduar
“Ata na sollën në këtë ditë ku jemi je sot këtu ne e gëzojmë këtë liri jo edhe aq qysh kemi menduar ne. Kemi menduar të kemi një liri më të mirë dhe mirëqenie sociale më të mirë një mirëqenie më të mirë ekonomike. Sot në 21-vjetorin e çlirimit të vendit një pjesë e veteranëve e invalidëve dhe disa familjarëve nuk gjenden në gjendje të mirë ekonomike”, tha ai.
Me rastin e Ditës së Çlirimit të Skenderaj kjo komunë ka organizuar një sërë aktivitetesh. Pas homazheve në Prekaz homazhe u bënë edhe në kompleksin e dëshmorëve në Morinë, ndërsa po në këtë ditë u përurua edhe rruga “Malush Ahmeti”, në Rrezallë të Re. Ndërsa për nder të kësaj dite do mbahet seancë solemne si dhe do bëhen vizita tek familjet e dëshmorëve të kësaj ane.