Thaçi shuan të gjitha dilemat: Në Uashington do të ndjehem mirë pranë kryeministrit Hoti

Aktuale

Thaçi shuan të gjitha dilemat: Në Uashington do të ndjehem mirë pranë kryeministrit Hoti

Më: 18 qershor 2020 Në ora: 16:35
Hashim Thaçi

(E plotësuar) - Përkundër rritjes së rasteve të reja me Covid-19 në Kosovë, presidenti Hashim Thaçi nuk do të kërkojë shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme.

Ai në konferencën e sotme për media, tha se do t’i bashkëngjitet vetëm rekomandimeve të Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik (IKPSH).

Derisa, për dallim nga e kaluara, i pari i vendit i dha mbështetje punës së ministrit të Shëndetësisë, Armend Zemaj në menaxhimin me pandemi.

Thaçi: E mbështes punën e Ministrisë së Shëndetësisë

“Sa i përket Covid-19 unë vetëm iu bashkëngjitëm rekomandimeve të IKSHP-së. E mbështes punën e Ministrisë së Shëndetësisë. Në anën tjetër, ftoj qytetarët të respektojnë këshillat, në mënyrë që të tejkalohet kjo sfidë bashkërisht”, tha ai.

Në fillim të pandemisë, presidenti Thaçi, kur ishin vetëm 19 raste me koronavirus, kishte kërkuar shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme në Kosovë. Në 24 orët e fundit, në nivel vendi janë regjistruar 77 raste të reja, numër ky përgjysmë më i vogël se një ditë më herët kur u regjistrua rekordi prej 141 rastesh brenda ditës.

***

Më 27 qershor Kosova dhe Serbia do të zhvillojnë një takim në Shtëpinë e Bardhë.

Me ftesë të emisarit të SHBA-ve për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, përfaqësuesit e Prishtinës dhe Beogradit do të takohen më 27 qershor në Shtëpinë e Bardhë.

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, në një konferencë për medie, ka bërë të ditur se është shumë e rëndësishme që Kosova të përfaqësohet me një bazë më gjithëpërfshirëse politike, i cili edhe e vlerësoi lartë qëndrimin e kreut të PDK-së, Kadri Veseli.

Presidenti Thaçi po ashtu bëri të ditur se takimi i Uashingtonit është një mbështetje më e gjerë i cili edhe tha se do të ndjehet mirë pranë kryeministrit Avdullah Hoti.

“Kosova do të përfaqësohet me një bazë sa më të gjerë  gjithëpërfshirëse politike dhe institucionale. Vlerësoj lartë qëndrimin e zotëri Veseli nga opozita që ka qenë shumë i qartë për takimin në Uashington ku Kosova duhet të përfaqësohet në mënyrë të dinjitetshme dhe të jetë prezente dhe të jetë e përgjegjshme në veprimet e veta. Do të thotë për takimin e Uashingtonit është një mbështetje më e gjerë sesa në kuptimin e ngushtë qeveritar. Prandaj edhe për të shuar vëmendjen dhe kureshtjen tuaj unë do të ndjehem mirë që të jem me dhe pranë kryeministrit Hoti. Kështu që s’ka dilemë në këtë drejtim”, deklaroi Thaçi.

***

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka thënë se delegacioni i Kosovës do të shkojë me parime të qëndrueshme në takimin e 27 qershorit në Uashington.

I pari i shtetit përmes një konference për medie tha se në ShBA do të shkohet me flamurin e shtetësisë që është sigurimi i integritetit territorial të vendit.

“Në Uashington shkojmë me parime të qëndrueshme. Takimin e konsiderojmë si kthesë historike për arritjen e një marrëveshje finale. Kosova do të punojë për një marrëveshje paqësorë dhe historike, në këtë mënyrë i hapim rrugë për anëtarësimin në Kombe të Bashkuara”, tha ai

Sipas tij sa herë ka pasur bashkëveprim me bashkësinë ndërkombëtare, Kosova ka fituar.

“Takimi në Uashington do t’i kontribuojë konsolidimit të brendshëm dhe të jashtëm. Kosova në Uashington shkon me flamurin e shtetësisë që është sigurimi i integritetit të territorit të Kosovës”, tha ai.

***

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat