Pas letrës së përbashkët dhe para takimit Kosovë-Serbi në Washington, Le Drian dhe Mass takohen në Berlin

Aktuale

Pas letrës së përbashkët dhe para takimit Kosovë-Serbi në Washington, Le Drian dhe Mass takohen në Berlin

Më: 19 qershor 2020 Në ora: 12:20
Jean-Yves Le Drian, Heiko Mass

Ministri i Punëve të Jashtme të Francës, Jean-Yves Le Drian, do të udhëtojë sot drejt Berlinit me ftesë të homologut të tij gjerman, Heiko Mass. Ky takim në kryeqytetin gjerman mes dy kryediplomatëve evropianë është konfirmuar përmes një komunikate për media të lëshuar nga MPJ franceze.

Siç shkruhet në komunikatë në këtë takim do të diskutohen problematikat kryesore me të cilat është duke u përballur Bashkimi Evropian, megjithatë nuk kanë theksuar në mënyrë specifike nëse do të diskutojnë edhe për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, çështje kjo për të cilën vetëm para pak ditësh dy ministrat kishin lëshuar një komunikatë të përbashkët.

“Kjo vizitë në Gjermani është në përputhje me bashkëpunimin e ngushtë që ka mbizotëruar mes dy ministrave gjatë muajve të fundit që është ndërlidhur me krizën shëndetësore”, thuhet në njoftimin e francezëve.

Gjithashtu thuhet se përgjatë këtij takimi do të diskutohet rreth çështjeve kryesore evropiane dhe ndërkombëtare dhe do të diskutohet për prioritetet e Gjermanisë për pjesën e dytë të vitit, kohë kjo kur Berlini udhëheq me presidencën e Bashkimit Evropian. Nuk dihet nëse Gjermania do të kërkojë nga Franca përkrahje për Kosovën sa i përket procesit të liberalizimit. Ditë më parë nga Qeveria gjermane për Express kanë deklaruar se Berlini dhe Parisi kanë një koordinim të ngushtë.

“Kancelarja gjermane Merkel dhe presidenti francez Macron kanë bashkëpunim të ngushtë për një sërë çështjesh dhe zakonisht koordinojnë pozicionet e tyre ngushtë për çështjet aktuale që ndërlidhen me punët në Bashkimin Evropian”, kanë deklaruar nga Berlini për Express.

“Kjo vizitë zhvillohet para fillimit të presidencës gjermane në Këshillin e Ministrave të BE-së që nisë në gjysmën e dytë të vitit 2020. Jean-Yves Le Drian do të diskutojë me homologun e tij gjerman për  çështjet kryesore evropiane dhe ndërkombëtare”, thuhet në njoftim.

Gjithashtu theksohet se do të diskutojnë për prioritet e Gjermanisë në prag të marrjes së presidencës së Bashkimit Evropian.

Heiko Mass dhe Le Drian ditë më parë kanë dalë me një qëndrim të përbashkët sa i përket dialogut në mes të Kosovës dhe Serbisë, ku shprehnin gatishmërinë e tyre për një Samit në Paris, sapo Kosova dhe Serbia të krijonin kushtet për rinisjen e negociatave.

Ky takim i tyre vjen edhe pak ditë para mbajtjes së takimit në mes të Kosovës dhe Serbisë në Washington me ndërmjetësimin e emisarit të Trump, Richard Grenell dhe këshilltarit të Trump për Siguri, Robert O’Brien. Grenell ka thënë se për këtë takim në Washington është koordinuar në mënyrë konstante me këshilltarin për siguri të presidentit francez dhe atë të kancelares gjermane, Angela Merkel.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat